Një gisht, një votë

0

Nga Artan Hoxha

Maratona negociuese në Këshillin Politik mbi administrimin zgjedhor përfundoi me një ndryshim të dobishëm dhe me një mosndryshim po aq të dobishëm.

Kontrolli i identitetit të zgjedhësit me shenjën e gishtit nga aparati elektronik në çdo qendër votimi është e reja më e rëndësishme dhe më e dobishme e procesit administrativ të zgjedhjeve. Ruajtja e të njëjtës metodë të formësimit të komisioneve zgjedhore në qendra votimi e numërimi, me përbërje të barabartë qeveri-opozitë, siç ka qenë që nga viti 2005, ishte mosndryshimi, aspak paradoksal, më i dobishëm.

Në zgjedhjet tona janë të mirënjohura rastet e votimit në emër e në mungese të personit. Në një pjesë të madhe të rasteve kjo ka qenë me efekt neutral në rezultat, si p.sh. votimi familjar në zonat rurale. Por duket se nuk janë të pakta rastet, shtuar shumë në zgjedhjet më të fundit, e asimetrisë së këtij fenomeni në favor të kandidatëve të qeverisë. Këtu futen edhe rastet e “sekuestrimit” të dokumentit të identifikimit kundrejt pagesës dhe/ose kërcënimit të votuesve të palës tjetër, me dy mundësi keqpërdorimi: votim në emër të personit (një apo disa herë) ose mosmarrje pjesë e këtij votuesi kundërshtar në votim.

Me përjashtim të rastit të dekurajimit të votuesit për të mos marrë pjesë në zgjedhje, rastet e tjera janë të zgjidhshme nga identifikimi elektronik i votuesit me shenjën e gishtit. Ndonëse off-line, sistemi që është menduar të përdoret, ruan provat e veprimit dhe lejon kapjen e abuzimeve dhe abuzuesve në kohë të shpejtë e me fakte të pakundërshtueshme. Kjo mundëson gjithashtu korrigjimin e efektit të prodhuar në rezultat nëse do të ketë “guximtarë të çmendur”, që të marrin në sy dënimin e do të hedhin në kuti vota fiktive. 

Ky sistem i ri elektronik modernizon, lehtëson dhe garanton më mirë administrimin zgjedhor e, ne rast suksesi, do t’i hapë rrugë edhe moduleve të tjera të votimit dhe numërimit elektronik. E ardhmja i takon elektronikës. E sigurtë që kështu do të jetë, në mos pesë, të paktën dhjetë vite më pas. A nuk u përdor elektronika masivisht edhe gjatë muajve të pandemisë?

Me pa të drejtë, gjate negociatave, pranimi i këtij sistemi nga qeveria u quajt si favor ndaj opozitës. Këtë gabim e bënë edhe ndërkombëtarët e Tiranës, por jo ata të Berlinit, Brukselit, Londrës dhe Uashingtonit. Identifikimi elektronik i votuesit i bën mire votimit, votuesit dhe administrimit zgjedhor. I bën mirë Shqipërisë. Gabimi u kuptua. Edhe vetë Kryeministri në Opinion u tërhoq nga trajtimi si koncesion a favor për opozitën. Bëri mirë.

Një sistem i këtillë duhej te kishte qenë instaluar pa qenë nevoja e kërkesës vijuese e insistuese të opozitës. Siç janë futur në përdorim sisteme elektronike në shumë shërbime publike e vijon të behet, mund të ishte bërë me kohë e vakt edhe në administrimin zgjedhor.

Ndaj janë pa vend pretendimet e qeverisë për mungesë kohe, pretendime që ushqejnë dyshimin se qeveria vijon të mos e dojë ndonëse formalisht ia ka lënë si detyre një nën/komisioneri të emëruar nga opozita, e me gjasa qeveria në vend që ta mbështesë, do ta pengojë e zvarrisë instalimin e një sistemi të këtillë.

Sa për idenë e “depolitizimit” të komisioneve zgjedhore përmes shortit s’mbeti i madh e i vogël pa e kuptuar se, në rastin me të mirë, ky ishte një idiotizëm me brirë e, në rastin më të keq, një avantazh numerik i qeverisë në komisionet zgjedhore me efekt në vendimmarrje.

Idiotizëm se në shorte do merrnin pjese më së shumti, e me gjasa të vetmit që do pranonin detyrën, militantët e të dy krahëve. Asnjanësit vështirë se do pranonin të kuturiseshin në aventura të këtilla me qeder.

Sa për nëpunësit e shtetit, për të cilët rënia e shortit do të përbente detyrim ligjor për të kryer detyrën e komisionerit, këta janë, si rregull, me militantët e militantëve, se për këtë kriter janë marrë, janë mbajtur a janë hequr nga puna.

Çdo parti ka hequr ca, por jo të gjithë të kundërshtarit, e ka sjellë të vetet. Kjo ka ndodhur pas çdo pale zgjedhjeje me amplitudë në rënie. Për rrjedhoje, stoku i nëpunësve shtetërore, në shumicën e vet është militant bipartizan – ata të partisë në pushtet rrinë kokëlart e ata të partisë opozitare rrinë kokëulur deri kur t’u vijë radha për ndërrim rolesh. Një pakicë janë apolitike ose qe e marrin lehtësisht anën politike të radhës.

Të krijosh një sistem të ri e të komplikuar rregullash e procesesh për të formuar komisione zgjedhore cilësisht po aq militante sa edhe kur komisionerët emëroheshin direkt nga partitë, nuk ia vlen fare barra qiranë, as për të prodhuar një gënjeshtër depolitizuese që askush nuk e beson.

Duket as vetë Kryeministri nuk e besonte argumentin që dha në Opinion se ndërrimi i formës së emërimit ndikon psikologjikisht në sjelljen e njeriut – nga militant u bëkarka shtetar – e, ndërsa vete ai pohonte se komisionet partiake nuk kanë shkaktuar zullume po vetë e kuptoi se nuk ia vlente të insistonte në diçka qe ose nuk do t’i jepte ndonjë avantazh me rëndësi ose, perceptuar si përpjekje për të marre avantazh numerik në sistemin e komisioneve, do të bëhej e papranueshme jo vetëm për kundërshtarët opozitarë, por edhe për arbitrat ndërkombetarë.

Ndaj hoqi dorë. Bëri mirë.

Artikulli i mëparshëmNdërtimi i HEC-it të Skavicës, Konfindustria: Projekt me përfitim ekonomik, financimi nga buxheti më mirë se PPP-të
Artikulli i radhësMeta vlerëson Famullinë e Shën Mhillit me dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’