Deri në fund të korrikut, të gjithë shqiptarët që kanë llogari në bankat brenda Shqipërisë, do të vetëdeklarojnë me një formular të posaçëm vendbanimin e tyre dhe numrin tatimor. Këto të dhëna, bashkë me informacionet mbi llogaritë bankare, do të mund të përdoren nga autoritetet tatimore në 112 shtete, në kuadër të një nisme globale për të luftuar evazionin fiskal, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Aktualisht, bankat shqiptare mbajnë rreth 2.94 milionë llogari bankare, të cilat do të vetëdeklarohen nga klientët, por procesi po has vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19, numrin e madh të klientëve emigrantë, adresat e gabuara dhe teknologjisë së cekët. Si po e rrit bota presionin mbi transparencën e offshore
Të gjithë shqiptarët, me një llogari bankare, po thirren nga bankat për të deklaruar vendbanimin dhe numrin tatimor që njëkohësisht shërben si deklaratë pëlqimi, që këto të dhëna do të përdoren nga palët e treta, si informacion për korrektësinë e tyre në pagesën e detyrimeve tatimore.
Ky proces vetëdeklarimi është një detyrim që rrjedh nga Ligji për Shkëmbimin Automatik të Informacionit mes vendeve europiane, i cili në Shqipëri hyri në fuqi në janar të këtij viti. Ligji synon të bëjë llogaritë bankare të hapura për institucionet tatimore dhe të luftojë problemin e evazionit fiskal në llogaritë offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit.
Nga pikëpamja e ligjit detyrohen të plotësojnë formularin shtetasit e huaj që jetojnë në Shqipëri, por duke qenë se ka shumë shtetas shqiptarë që kanë më shumë se një rezidencë tatimore, bankat në Shqipëri, kanë vendosur që të thërrasin për plotësimin e formularit të gjithë klientët me llogari.
Në fund të vitit 2019, Banka e Shqipërisë raportoi se numri i llogarive bankare kishte arritur në mbi 2.94 milionë. Mbajtësit e këtyre llogarive do të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit, me të dhënat personale si emri, vendbanimi dhe numri tatimor.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Zbatimi i këtij ligji në kulmin e pandemisë COVID-19 e ka vështirësuar punën sistemit bankar për të përmbushur këtë detyrim, i cili ka krijuar kosto shtesë për bankat, teksa mbajtësit e llogarive bankare janë të paqartë rreth këtij procesi. Bankat pohuan se shumë shtetas, me llogari në bankat shqiptare, jetojnë jashtë dhe në këtë periudhë e kanë të pamundur të lëvizin për shkak të pandemisë.
Banka Kombëtare Tregtare sqaroi se vetëdeklarimi është për të gjithë klientët, pavarësisht nëse është rezident apo jo. Klientët jorezidentë janë grupi i parë i klientëve që pa diskutim janë pjesë e këtij procesi. Por BKT sqaroi më tej se, për shumë njerëz, rezidenca tatimore mund të jetë e njëjtë, ose ndryshe nga shtetësia, prandaj të gjithë klientët e bankës duhet të vetëdeklarojnë se ku e kanë rezidencën tatimore, pasi ligji parashikon më shumë se një rezidencë fiskale për një individ.
Disa banka, pjesë e grupeve europiane, e kanë nisur më parë këtë proces. Bertina Hajdini, Drejtore e Departamentit të Sekretariatit Korporativ në OTP Bank, tha se, duke qenë pjesë e Grupeve Bankare Europiane, të cilat janë angazhuar më herët për shkëmbimin e këtij informacioni, ka marrë masat për implementimin e disa prej dispozitave të këtij ligji që në fillim të vitit 2017, duke identifikuar dhe duke dokumentuar klientët në kuadër të kërkesave të Standardeve të Përbashkëta të Raportimit. Këtë vit, në kuadër të implementimit të Ligjit lokal, Banka ka nisur zbatimin e fazës së fundit të këtij projekti dhe po përgatitet për raportimin e saktë të të dhënave dhe dërgimin brenda afateve të përcaktuara të raportit të parë pranë autoritetit përgjegjës.
Edlira Muço, nga Banka Credins, tha se përmbushja e këtij detyrimi paraqet vështirësi. Së pari, është një praktikë e re, që kërkon impenjim në burime njerëzore dhe në infrastrukturë. Zbatimi i ligjit sjell vështirësi, pasi zbatohet edhe për llogari të çelura përpara hyrjes në fuqi të tij.
Teksa bankat janë të detyruara të përmbyllin procesin deri në fund të korrikut, gjendja e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë kufizon grumbullimin e klientëve në sportele. Disa banka po e mundësojnë plotësimin e tij online. Ato e kanë publikuar formularin në faqen e tyre online, i cili mund të shkarkohet, plotësohet, skanohet e më pas të niset me email në bankën përkatëse.
Nëse mbajtësit e llogarive nuk plotësojnë formularët e vetëdeklarimit në kohë rrezikojnë masa penalizuese, nga gjobat deri te mosofrimi i shërbimeve. Aktualisht, 112 shtete janë angazhuar për të shkëmbyer informacion mbi llogaritë bankare.
Llogaritë e hapura ndihmojnë Tatimet
Bankat në Shqipëri do të dorëzojnë formularët me llogaritë e klientëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e ngarkuar nga ligji si autoriteti kompetent për shkëmbimin e informacionit. Tatimet mund ta shkëmbejnë informacionin mbi llogaritë me institucionet partnere kudo në botë dhe, gjithashtu, mund ta përdorin me qëllim verifikimi me atë që tatimpaguesit kanë deklaruar në Tatime.
Zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero, tha se “ky proces do të na ndihmojë të marrim të dhëna financiare për rezidentët tatimorë, të cilët mund të kenë llogari financiare në vendet me të cilat do të shkëmbejmë informacionin. Vjero thotë se pas marrjes së informacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mund të investigojë nëse këto të ardhura janë deklaruar edhe në Shqipëri, pasi parimi ynë i të ardhurave bazohet në të ardhurat mbarë botërore (worldwide).
Në sistemet e avancuara financiare dhe në zhvillimet e hovshme teknologjike të viteve të fundit, evazioni fiskal është sofistikuar. Shumë kompani dhe individë në të gjithë botën mbajnë llogari në banka offshore, çka e ka vështirësuar gjurmimin fiskal dhe pagesën e drejtë të taksave. Për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit, autoritetet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit (AEOI), zbatimi i të cilave është i detyrueshëm edhe për vendin tonë që nga muaji janar 2020.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi se, sipas këtyre standardeve, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë balancat e llogarive dhe të pronësisë. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, brenda logjikës se veprimtaria e evazorëve, jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.
Informacioni që do të shkëmbehet nuk ka të bëjë vetëm me individët, por edhe me kompanitë dhe NFE-të (entitete jo financiare) pasive, të cilat kanë pronar përfitues rezidentë në shtetet e tjera. Më tej, raportimi duhet të bëhet për një gamë të gjerë të produkteve financiare, nga një gamë e gjerë institucionesh financiare, përfshirë bankat, institucionet depozituese, sipërmarrje të investimeve kolektive dhe kompanitë e sigurimeve.
Si do të bëhet vetëdeklarimi i llogarive
Të gjithë klientët, me një llogari bankare, duhet të vetëdeklarohen në banka për adresat e tyre të banimit dhe numrin tatimor deri më 31 korrik të këtij viti. Plotësimi i formularit bëhet në çdo kohë brenda orarit të bankës, duke u paraqitur në degën më të afërt. Personat duhet të kenë me vete kartën e identitetit ose pasaportë të vlefshme.
Vetëdeklarimi mund të bëhet dhe nga një person tjetër, të cilin ju e keni autorizuar me prokurë të posaçme për të kryer këtë veprim. Disa Banka e ofrojnë këtë proces online.
Banka Kombëtare Tregtare sqaron se vetëdeklarimi ka qëllimin që çdo institucion financiar raportues në Shqipëri të identifikojë vendin ku klientët e tyre paguajnë taksat (këtu përfshihen persona privatë, subjekte dhe në rrethana të caktuara, persona kontrollues) si dhe numrin identifikues tatimor të juridiksionit përkatës të vendit tatimor. BKT dhe të gjitha bankat garantojnë se e gjithë procedura e vetëdeklarimit dhe raportimit do të veprojë dhe do të bazohet në “Kriteret ligjore për përpunimin e të dhënave personale”.
Onja Hajdini, nga OTP Bank, tha se saktësia e të dhënave të deklaruara nga klienti në formë, janë në përgjegjësi të këtij të fundit, ndaj për të qenë krejtësisht në përputhje me kërkesat e raportimit, bashkëpunimi i klientëve me bankën është shumë i rëndësishëm.
Në formularin e vetëdeklarimit kërkohen edhe informacione të tjera të nevojshme për efekt raportimi, pranë autoriteteve tatimore, ku përveç të dhënave identifikuese të klientit kërkohet edhe adresa, vendi apo vendet në të cilat klienti është rezident për qëllime tatimore, thotë zonja Muço nga Credins Bank.
Rritet presioni për të kontrolluar Offshore
Prania e kompanive offshore në Shqipëri shihet me shqetësim nga institucionet ndërkombëtare. Raporti i fundit i Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, vë një theks të veçantë për rreziqet që paraqet prania e kompanive që nuk kanë pronësi të qartë, të ashtuquajtura “beneficiary ownership”, pra ku përfituesit realë nga këto sipërmarrje nuk dihen.
Në Shqipëri, kompani të regjistruara në offshore, me aksionerë të panjohur, kanë kapur sektorët kryesorë të ekonomisë, që nga nxjerrja e naftës, Banka dhe Aeroporti i Rinasit, etj. Gjithashtu shumë shqiptarë mund të mbajnë llogari bankare në bankat offshore, edhe pse jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Fenomeni i llogarive bankare dhe kompanive offshore ka ndërgjegjësuar botën e zhvilluar, e cila po e bën aksesin e informacionit të detyrueshëm për këto llogari. Shqipëria aktualisht detyrohet me ligj që të bëjë transparente llogaritë bankare, por ndërkohë është duke u hartuar një ligj që synon të bëjë transparente regjistrin e aksionerëve për kompanitë offshore.
UNCTAD (Programi i vlerësimit të investimeve të huaja nga Kombet e Bashkuara) vlerëson se Offshoret, gjithnjë e më shumë po bëhen lojtarë të mëdhenj në investimet globale. Rreth 30% e rezervave të korporatave ruhen në parajsat fiskale, në vend që të investohen në sektorë produktivë.
Praktikat e shmangies së taksave janë tashmë një çështje globale e rëndësishme për të gjitha vendet. Ekspozimi i vendeve në zhvillim ndaj investitorëve nga parajsat fiskale shihet nga UNCTAD i Kombeve të Bashkuara si një risk për këto vende.
Vende si Shqipëria nuk kanë kapacitete për t’u marrë me praktika shumë të ndërlikuara të shmangies së taksave. Vendet në zhvillim, sipas UNCTAD, kanë humbje vjetore 100 miliardë dollarë në formën e të ardhurave tatimore të munguara nga offshoret.
Mesatarisht, në të gjithë vendet në zhvillim, çdo 10 pikë përqindje të investimit në offshore i përgjigjet një normë 1 pikë përqindje më e ulët e kthimit të tatimit.
BKT: Pandemia po vështirëson vetëdeklarimin e llogarive
Banka Kombëtare Tregtare tha se situata e pandemisë e vështirëson procesin, jo vetëm duke u kufizuar në klientët jashtë territorit shqiptar, por edhe brenda vendit është e kufizuar, duke respektuar protokollin e COVID-19 mbi distancimin social dhe informimin e klientëve, për të mos u paraqitur në degë të bankave.
Në kuadër të Ligjit nr.4/2020, datë 30.01.2020 për “Shkëmbimin automatik të informacionit” për llogaritë financiare, bankat në Shqipëri janë angazhuar në përmbushjen e dispozitave të përcaktuara nga ky ligj, duke realizuar mbledhjen dhe dokumentimin e vetëdeklarimeve të të dhënave personale tatimore të klientëve. Si po shkon në bankën tuaj ky proces?
Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit nr. 4/2020, ne si BKT u vumë përpara përgjegjësisë dhe jemi angazhuar për përmbushjen e dispozitave dhe aktet nënligjore të përcaktuara në referencë të këtij ligji. Për rrjedhojë, kemi detyrimin ligjor, si një institucion financiar raportues, për të informuar mbajtësin/t e llogarive të raportueshme, përpara fillimit të procesit të raportimit që të vetëdeklarojnë rezidencën tatimore ku paguajnë taksat dhe numrin identifikues tatimor të juridiksionit përkatës të vendit tatimor.
Në këto kushte, ne kemi marrë masa të nevojshme për informimin e klientëve tanë, me publikimin e informacioneve të detajuara mbi dispozitat që përmban ligji, në faqen tonë zyrtare, me njoftime individuale në adresat elektronike të klientëve tanë dhe gjithashtu me mesazhe personale në numrat e tyre të telefonisë celulare të deklaruara në bankë.
Klientët marrin njoftime të vazhdueshme mbi detyrimin e vetëdeklarimit të rezidencës së tyre tatimore.
Cili është qëllimi i vetëdeklarimit dhe a cenohen të dhënat personale të klientëve?
Vetëdeklarimi ka qëllimin që çdo institucion financiar raportues në Shqipëri të identifikojë vendin ku klientët e tyre paguajnë taksat (këtu përfshihen persona privatë, subjekte, dhe në rrethana të caktuara persona kontrollues) si dhe numrin identifikues tatimor të juridiksionit përkatës të vendit tatimor.
E gjithë procedura e vetëdeklarimit dhe raportimit do të veprojë dhe do të bazohet në ‘Kriteret ligjore për përpunimin e të dhënave personale të nenit 6, të ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore të nxjerra nga Komisioneri në zbatim të tij.
Çfarë informacioni synon të grumbullojë vetëdeklarimi dhe a i keni përfshirë të gjithë klientët në këtë vetëdeklarim, apo vetëm jorezidentët?
Ne si institucion financiar kemi detyrimin për të siguruar një vetëdeklarim të vlefshëm nga klientët tanë. Vetëdeklarimi është për të gjithë klientët (klient individ ose subjekte), pavarësisht nëse është rezident apo jo. Klientët jorezidentë janë grupi i parë i klientëve që janë pa diskutim pjesë e këtij procesi. Por për shumë njerëz, rezidenca tatimore mund të jetë e njëjtë, ose ndryshe nga shtetësia, prandaj të gjithë klientët e bankës duhet të vetëdeklarojnë se ku e kanë rezidencën tatimore p.sh., mund të jesh me shtetësi shqiptare, por jeton e punon në Itali dhe kjo bën që ke rezidencë fiskale edhe në Itali. Ligji parashikon më shumë se një rezidencë fiskale për një individ.
Klienti mban vetë përgjegjësi mbi deklarimin apo mosdeklarimin e Rezidencës Tatimore dhe Numrit të Identifikimit Tatimor. Nëse klientët nuk janë të sigurt për vendbanimin e tyre tatimor, ata duhet të këshillohen me këshilltarin e tyre tatimor, në mënyrë që të sqarojnë vendbanimin / et e tyre për qëllime tatimore.
Sa e vështirë është përmbushja e këtij detyrimi dhe a është mirëpritur nga klientët?
Vendosja e afateve për përmbushjen e këtij detyrimi, ku raportimi i parë do të jetë në fund të korrikut 2020, e ka vështirësuar procesin. Ne vazhdimisht kemi publikuar dhe dërguar njoftime te klientët tanë, nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit, për t’i vënë në dijeni mbi rëndësinë e këtij detyrimi dhe paraqitjen në bankë për vetëdeklarimin mbi të dhënat e tyre tatimore. Vlen të theksohet gjithashtu që, portofoli i klientëve tanë përbëhet nga një numër i konsiderueshëm klientësh emigrantë dhe kjo e vështirëson ardhjen brenda afateve të klientëve. Ne jemi në pritje të VKM-së për të parë nëse do të njihen edhe format online të marrjes së vetëdeklarimit në funksion të këtij ligji.
Cilat janë afatet e vetëdeklarimit dhe a po ju kushtëzon Pandemia COVID-19?
Raportimi i parë do të jetë në fund të muajit korrik 2020 për klientët që kanë pasur një llogari në bankë deri në 31 dhjetor 2018 dhe duke konsideruar që një pjesë e klientëve tanë jetojnë/punojnë jashtë territorit të Shqipërisë, e kushtëzon përmbushjen e detyrimeve brenda afateve dhe bën që një pjesë e klientëve të raportohen si të padokumentuar, nëse nuk e kanë plotësuar vetëdeklarimin. Situata e pandemisë e vështirëson procesin jo vetëm duke u kufizuar në klientët jashtë territorit shqiptar, por edhe brenda vendit është e kufizuar, duke respektuar protokollin e COVID-19 mbi distancimin social dhe informimin e klientëve për të mos u paraqitur në degë të bankave.
Cilat janë përfitimet dhe kostot e këtij procesi?
Autoritetet tatimore shqiptare, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit (AEOI), i cili ka si qëllim shmangien e mashtrimit tatimor dhe të evazionit fiskal, si dhe përmirësimin e procedurave për administrimin e detyrimeve tatimore, bazuar në parimet e organizimit e të funksionimit të administratës tatimore në Republikën e Shqipërisë. Ky detyrim ligjor e vendos bankën para përgjegjësisë për të raportuar rezidencën fiskale të klientëve (n.q.s. ajo është ndryshe nga Shqipëria).
Nëse refuzohet aplikimi, çfarë penalitetesh aplikohen?
Çdo klient i Bankës do të ketë përgjegjësinë personale mbi vërtetësinë e informacionit që deklaron. Klienti mban vetë përgjegjësi mbi deklarimin apo mosdeklarimin e Rezidencës Tatimore dhe Numrit të Identifikimit Tatimor. Në të kundërt (në rast refuzimi nga klienti) ligji parashikon qartë që banka mund të vendosë që të mos vazhdohet me vendosjen e marrëdhënies së biznesit ose të ndërpresë marrëdhënien e biznesit me një klient ekzistues.
Credins Bank, vetëdeklarimi ka krijuar kosto shtesë
Edlira Muço, Drejtore e Drejtorisë së Përputhshmërisë Ligjore dhe Parandalimit të Pastrimit të Parave, tha se vetëdeklarimi ka krijuar kosto shtesë për bankën.
Përmbushja e këtij detyrimi paraqet vështirësi. Së pari, është një praktikë e re që kërkon impenjim në burime njerëzore dhe në infrastrukturë. Së dyti, zbatimi i ligjit sjell vështirësi, pasi zbatohet edhe për llogari të çelura përpara hyrjes në fuqi të tij, tha Muço.
Në kuadër të Ligjit nr.4/2020, datë 30.01.2020 për “Shkëmbimin Automatik të Informacionit” për llogaritë financiare, Bankat në Shqipëri janë angazhuar në përmbushjen e dispozitave të përcaktuara nga ky ligj, duke realizuar vetëdeklarimin e të dhënave personale tatimore të klientëve. Si po shkon në bankën tuaj ky proces?
Për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit, autoritetet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit.
Qëllimi i këtyre standardeve dhe marrëveshjes shumëpalëshe në të cilën ka aderuar edhe Republika e Shqipërisë, është shmangia e mashtrimit tatimor dhe evazionit fiskal, si dhe përmirësimi i pajtueshmërisë tatimore kombëtare dhe ndërkombëtare. Në kuadër të kësaj Marrëveshje, është miratuar edhe Ligji Nr. 4/2020, datë 30.01.2020 për “Shkëmbimin automatik të informacionit”.
Në kuadër të këtij Ligji, Ministria e Financave ka hartuar një Draft-Rregullore “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, e cila i është dërguar grupeve të interesit (ndër të tjera edhe bankave të nivelit të dytë), për të dhënë komentet dhe opinionet për përmirësimin e kuadrit rregullativ dhe procesit në tërësi.
Duke qenë se Bankat e nivelit të dytë janë një nga hallkat kryesore në sigurimin e informacionit të nevojshëm për përmbushjen e detyrimeve që dikton Ligji për “Shkëmbimin automatik të informacionit” (ose ndryshe i njohur si CRS), ky ligj ka paraqitur nevojën imediate për përshtatjen/zhvillimin e infrastrukturës dhe veprimtarisë operacionale të sistemit bankar.
Në Kuadër të këtij procesi, Banka Credins ka marrë masat e mëposhtme:
Krijimin e kuadrit të brendshëm rregullativ për zbatimin e detyrimeve që vijnë nga Ligji dhe aktet nënligjore. Hartimin e një procedure në të cilën përcaktohen kategoritë e klientëve të raportueshëm, llogaritë e raportueshme, hapat që duhet të ndërmerren nga punonjësit front office dhe strukturat mbështetëse në identifikimin, dokumentimin dhe hedhjen në sistem të klientëve të raportueshëm.
Përcaktimin e njësisë përgjegjëse në Bankë, për raportimin çdo vit të klientëve të identifikuar dhe mbajtjen e kontakteve me autoritetin kompetent (Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve).
Hartimin e një formulari të ri për vëtëcertifikimin e rezidencës për qëllime tatimore.
Ngritja e strukturës mbështetëse të teknologjisë së informacionit për regjistrimin, individualizimin dhe raportimin e klientëve të raportueshëm dhe llogarive përkatëse.
Trajnimi i stafit të bankës në marrëdhënie me klientët dhe stafin mbështetës për detyrimet që ka banka në kuadër të identifikimit, dokumentimit dhe raportimin e klientëve të raportueshëm.
Përgatitja e një plani masash për identifikim e llogarive/klientëve të raportueshëm.
Njoftimi i klientëve nëpërmjet të gjitha kanaleve të komunikimit
Cili është qëllimi i vetëdeklarimit dhe a cenohen të dhënat personale të klientëve?
Referuar Ligjit nr.4/2020, datë 30.01.2020 për “Shkëmbimin automatik të informacionit”, Bankat dhe institucionet e tjera financiare në Republikën e Shqipërisë kanë për detyrë të identifikojnë rezidencën tatimore të klientëve të tyre, individ dhe biznes. Identifikimi i rezidencës tatimore për klientët e rinj bëhet nëpërmjet “vetëdeklarimit”, në formularët përkatës.
Procesi i deklarimit dhe raportimit të rezidencës tatimore, për sa kohë është një detyrim ligjor i parashikuar shprehimisht në nenin 10 (mbajtja e të dhënave dhe detyrimi për ruajtjen e tyre) të këtij ligji dhe Banka respekton detyrimet në kuadër të transparencës me klientët dhe të drejtën e tyre të informimit, nuk cenon të dhënat personale të klientëve.
Çfarë informacioni synon të grumbullojë vetëdeklarimi dhe a keni përfshirë të gjithë klientët në këtë vetëdeklarimin, apo vetëm jorezidentët?
Qëllimi kryesor i formularit të vetëdeklarimit është deklarimi nga ana e klientit të rezidencës së tij tatimore, pra vendi apo vendet në të cilin/at ka përgjegjësi tatimore. Përveç kësaj në formularin e vetëdeklarimit kërkohen edhe informacione të tjera të nevojshme për efekt raportimi, pranë autoriteteve tatimore, ku përveç të dhënave identifikuese të klientit kërkohet edhe adresa, vendi apo vendet në të cilat klienti është rezident për qëllime tatimore, si dhe Numri Identifikues i Tatimpaguesit.
Sikur parashikohet edhe nga Standardet e Përbashkëta të Raportimit, vetëdeklarimi i rezidencës tatimore do të kryhet nga çdo klient, pavarësisht faktit nëse kanë banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, sipas parashikimeve të Kodit Civil, apo jo.
Sa e vështirë është përmbushja e këtij detyrimi dhe a është mirëpritur nga klientët?
Përmbushja e këtij detyrimi paraqet vështirësi, së pari, është një praktikë e re që kërkon impenjim në burime njerëzore dhe në infrastrukturë. Së dyti, zbatimi i ligjit sjell vështirësi pasi zbatohet edhe për llogari të çelura përpara hyrjes në fuqi të tij. Pra klientët duhet të njoftohen dhe paraqiten posaçërisht në Bankë, për të plotësuar formularët e vetëdeklarimit.
Gjithashtu, vështirësi paraqet zbatimi i Standardeve të Përbashkëta të Raportimit, në kuadër të parashikimeve në legjislacionin e brendshëm tregtar dhe financiar, por edhe me praktikat e tregut, të cilat mund të jenë relativisht të ndryshme nga ato të Bashkimit Europian, apo shtete të tjera anëtare të Konventës.
Për sa i përket impaktit mbi klientët, edhe pse procesi ka filluar, do të duhet më shumë kohë për të pasur një panoramë më të qartë mbi përqasjen e klientit mbi këtë detyrim të ri për ta, por edhe për Bankën Credins.
Cilat janë afatet e vetëdeklarimit dhe a po ju kushtëzon Pandemia COVID-19?
Referuar ligjit të sipërcituar, afati i raportimit të parë të llogarive të raportueshme është 31 korriku i vitit 2020. Duke pasur parasysh vështirësitë e cituara edhe më lart, në implementimin e detyrimeve që sjell ligji në praktikat e përditshme të Bankës, nevojën për përshtatjen e kuadrit të brendshëm rregullativ, hartimi i formularëve përkatës, përshtatjen/zhvillimin e sistemit bankar, trajnimin e burimeve njerëzore, etj., në kushtet ku diferenca kohore midis miratimit të ligjit dhe raportimit të parë (janar – korriku 2020) është e shkurtër, Pandemia COVID-19 pengoi në mënyrë të qenësishme procesin e filluar nga Banka për përshtatjen e veprimtarisë së saj më kërkesat e ligjit.
Njoftimi i klientëve për t’u paraqitur në bankë, për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit të rezidencës tatimore, në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të ekspozonte bankën ndaj një fluksi të shtuar klientësh në degë, çka nuk përshtatet me kërkesat e ligjvënësit në kushtet e gjendjes se fatkeqësisë natyrore dhe ekspozon klientët dhe punonjësit e Bankës me risk të shtuar. Në kushtet e krijuara nga Pandemia COVID-19, procesi i plotësimit të formularit të vetëdeklarimit u pezullua për rreth 2 muaj.
Cilat janë përfitimet dhe kostot e këtij procesi?
Sipas standardeve të vendosura nga ky Ligj, do të shkëmbehet një gamë e gjerë informacioni, i cili do të përfshijë balancat e llogarive bankare, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividentët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare etj.). Kjo do të ndihmojë në parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, do të rrisë besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe do të ulë barrën e tatimpaguesve të ndershëm.
Nga ana tjetër, ky proces ngarkon bankat e nivelit të dytë me kosto të shtuar financiare, përshtatja në sisteme, burime njerëzore të shtuara, kosto administrative të njoftimit të klientëve etj.
Nëse refuzohet aplikimi, çfarë penalitetesh aplikohen?
Plotësimi i formularëve për vetëdeklarimin e rezidencës tatimore është kusht për vendosjen e marrëdhënies me Bankën (për klientët e rinj), apo për vazhdimësinë e marrëdhënies me Bankën (për klientët ekzistues).
OTP Bank: Vetëdeklarimet po vështirësohen nga adresat e pasakta dhe mungesa e teknologjisë
Bertina Hajdini, Drejtore e Departamentit të Sekretariatit Korporativ në OTP Bank, tha se në situatën e Shqipërisë, ku një pjesë e konsiderueshme e portofolit të klientëve të Bankave janë individë emigrantë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, mungesa e një sistemi të rregulluar adresash, moszhvillimit dhe përdorimit të gjerë të lehtësive teknologjike vështirëson procesin e vetëdeklarimit.
Në kuadër të Ligjit nr.4/2020, datë 30.01.2020 për “Shkëmbimin Automatik të Informacionit” për llogaritë financiare, bankat në Shqipëri janë angazhuar në përmbushjen e dispozitave të përcaktuara nga ky ligj, duke realizuar vetëdeklarimin e të dhënave personale tatimorë të klientëve. Si po shkon në bankën tuaj ky proces?
Ligji nr.4/2020, datë 30.01.2020 për “Shkëmbimin automatik të informacionit” përshkruan dispozitat e nevojshme rregullatore për t’u zbatuar në kuadër të zbatimit të Standardit të Përbashkët të Raportimit të rënë dakord nga autoritetet tatimore pjesëmarrëse në bashkëpunim me OECD dhe vendet e G20.
Ky standard për shkëmbimin automatik të informacionit tatimor, i cili synon të luftojë evazionin fiskal ndërkombëtar, nuk ishte fare i panjohur për sistemin financiar, pasi pak vite më herët, disa institucione financiare ishin të detyruara të implementonin kërkesat e FATCA (Foreign Açount Tax Compliance Act) nëpërmjet marrëveshjeve ndërqeveritare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me disa vende, institucionet financiare të të cilave ishin të detyruara të identifikonin dhe raportonin llogaritë e mbajtura nga taksapaguesit amerikanë pranë tyre.
Banka OTP Albania, duke qenë se ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e Grupeve Bankare Europiane, të angazhuara më herët për shkëmbimin e këtij informacioni dhe gjithashtu me nënshkrimin dhe miratimin e Marrëveshjes Shumëpalëshe të Autoritetit Kompetent në fillim të vitit 2016, ka marrë masat për implementimin e disa prej dispozitave të këtij ligji që në fillim të vitit 2017, duke identifikuar dhe duke dokumentuar klientët, në kuadër të kërkesave të Standardeve të Përbashkëta të Raportimit.
Këtë vit, në kuadër të implementimit të Ligjit lokal, Banka ka nisur implementimin e fazës së fundit të këtij projekti dhe po përgatitet për raportimin e saktë të të dhënave dhe dërgimin brenda afateve të përcaktuara të raportit të parë, pranë autoritetit përgjegjës. Kjo do të jetë dhe faza përmbyllëse e të gjithë projektit të implementimit të kërkesave të legjislacionit mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit, në kuadër të Standardeve të Përbashkëta të Raportimit.
Edhe pse miratimi i këtij ligji nuk e gjeti të papërgatitur Bankën tonë, sigurisht që ka çështje ende të paqarta sa u përket detajeve teknike të procesit të raportimit, për të cilin janë zhvilluar disa seanca takimesh e konsultimesh, por që nuk kanë rezultuar në vendime apo udhëzime finale.
Cili është qëllimi i vetëdeklarimit dhe a cenohen të dhënat personale të klientëve?
Qëllimi i vetëdeklarimit është të mbledhë informacionin e nevojshëm në lidhje me rezidencën tatimore të mbajtësve të llogarive financiare, në mënyrë që të përmbushë detyrimin që Banka ka për raportim pranë autoriteteve tatimore përkatëse, por njëkohësisht shërben dhe si deklaratë pëlqimi nëpërmjet së cilës klienti autorizon Bankën për të raportuar informacionin e dhënë prej tij pranë autoriteteve përgjegjëse apo palëve të treta në kuadër të zbatimit të CRS-së.
Formati i vetëdeklarimit të rezidencës tatimore përmban të dhëna personale të klientit, të cilat janë të domosdoshme për t’u mbledhur, me qëllim përcaktimin e saktë të statusit dhe të kualifikimit të statusit të tij tatimor në përputhje me rregulloret dhe ligjin në fuqi. Saktësia e të dhënave të deklaruara nga klienti në formë, janë në përgjegjësi të këtij të fundit, ndaj për të qenë krejtësisht në përputhje me kërkesat e raportimit, bashkëpunimi i klientëve me bankën është shumë i rëndësishëm.
Në këtë formular, klienti njoftohet gjithashtu se Banka merr të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e sigurt të të dhënave të mbajtësit të tij, pasi ato do të trajtohen në përputhje me ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, dhe udhëzimin e Bankës së Shqipërisë nr. 32, datë 8.5.2002 “Për sekretin bankar”. Gjithashtu, edhe Ligji Nr. 4/2020 parashikon dispozita të veçanta në lidhje me konfidencialitetin dhe sigurimin e të dhënave që subjektet financiare do të mbledhin dhe raportojnë pranë autoriteteve tatimore.
Çfarë informacioni synon të grumbullojë vetëdeklarimi dhe a keni përfshirë të gjithë klientët në këtë vetëdeklarim, apo vetëm jorezidentët?
Siç shpjegova më lart, formulari i vetëdeklarimit të rezidencës tatimore synon të grumbullojë informacionin e nevojshëm, me qëllim përcaktimin e saktë të statusit dhe të kualifikimit të statusit tatimor të klientit në përputhje me rregulloret në fuqi. Aktualisht Banka jonë kërkon plotësimin dhe nënshkrimin e formularit të vetëdeklarimit të rezidencës tatimore për të gjithë klientët e rinj apo klientët ekzistues, të cilët hapin një llogari të re pavarësisht rezidencës së tyre.
Sa e vështirë është përmbushja e këtij detyrimi dhe a është mirëpritur nga klientët?
Detyrimi ligjor për identifikimin dhe dokumentimin e klientëve në kuadër të CRS-së është me fuqi prapavepruese, pasi edhe pse ligji u miratua në fillim të vitit 2020, institucioneve financiare u lindi detyrimi që të identifikojnë dhe dokumentojnë të gjithë klientët e rinj apo ata ekzistues, të cilët kanë hapur një llogari të re që nga data 1 Janar e vitit 2019.
Në të tilla kushte, Bankat kanë nisur fushata komunikimi me klientët, duke u kërkuar që të paraqiten pranë sporteleve të tyre për të dorëzuar deklaratën e rezidencës tatimore. Në situatën e Shqipërisë, ku një pjesë e konsiderueshme e portofolit të klientëve të Bankave janë individë emigrantë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, mungesa e një sistemi të rregulluar adresash, moszhvillimit dhe përdorimit të gjerë të lehtësive teknologjike, siç mund të jetë nënshkrimi elektronik, përmbushja e detyrimit të lindur brenda afatit të përcaktuar, veçanërisht për vitin e parë të raportimit, bëhet mjaft e vështirë.
Ndërsa në parim, përmbushja e këtij detyrimi bëhet e vështirë edhe për shkak të mungesës së informacionit të nevojshëm nga një pjesë e mirë e klientëve. Kështu që, bankave u lind detyrimi t’u japin klientëve të gjithë informacionin e nevojshëm, në mënyrë që të sigurojnë transparencën e duhur mbi procesin, por ta bëjnë atë sa më të kuptueshëm për ta. Në këtë mënyrë, do të kemi edhe bashkëpunimin e tyre, i cili në këtë fazë është i domosdoshëm.
Cilat janë afatet e vetëdeklarimit dhe a po ju kushtëzon Pandemia COVID-19?
Bazuar në dispozitat kalimtare të Ligjit 4/2020 për “Shkëmbimin automatik të informacionit” përjashtimisht për vitin 2020, institucionet financiare duhet të raportojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të gjitha llogaritë e raportueshme brenda datës 31 korrik 2020. Në këtë kontekst, afati që institucionet kanë për të identifikuar dhe për të dokumentuar llogaritë e raportueshme për vitin 2019 është pikërisht data 31 korrik.
Duke marrë në konsideratë situatën e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, gjatë këtyre muajve të vështirë, në mënyrë që të shmangim sa më shumë përhapjen e virusit, jemi munduar që të krijojmë lehtësi për klientët tanë, duke i nxitur ata të kryejnë transaksionet në rrugë elektronike, që të shmangim aq sa mundemi praninë e tyre në degët e bankës. Ndaj mund të themi se situata nuk i favorizon bankat për të sjellë klientët subjekt të këtyre të dhënave në degë.
Disa prej Bankave të nivelit të dytë, në komunikimet e tyre ndaj klientëve për detyrimet që lindin nga Ligji për Shkëmbimin Automatik të Informacionit, u kanë lënë një afat prej 30 ditësh për t’u paraqitur pranë sporteleve të Bankave, për të depozituar vetëdeklarimin e tyre mbi rezidencën tatimore, duke shpresuar edhe në një përmirësim të situatës.
Cilat janë përfitimet dhe kostot e këtij procesi?
Nëse e konsiderojmë në rang ndërkombëtar, CRS është rregullore ndërkombëtare për të luftuar evazionin fiskal, e cila mbështetet në shkëmbimin automatik të informacionit mes juridiksioneve partnere. Gjatë gjithë këtyre viteve, institucionet financiare kanë qenë në qendër të përpjekjeve të bëra, për të siguruar transparencën mbi taksat.
Për bankat, mospërmbushja e detyrimit për identifikim, dokumentim dhe raportim të llogarive financiare të mbajtura nga individë jorezidentë pranë institucioneve bankare, përbën një shkelje në përputhshmëri dhe e përball institucionin financiar me risk reputacional, por edhe me penalitete financiare. Bazuar në ligjin në fjalë, ne bankat jemi të detyruara të raportojmë pranë autoriteteve tatimore, sipas kushteve dhe afateve të përmendura në ligj.
Përfitimi primar i këtij procesi, nga pikëpamja e institucionit financiar, është menaxhimi dhe kontrolli i të tilla risqeve, por ndërkohë si nga pikëpamja e aktivitetit të përputhshmërisë në Banka, por dhe e biznesit në vetvete, paraqitja e klientit në degë për të depozituar vetedeklaratën e rezidencës tatimore përbën një mundësi që i jepet Bankës për ta njohur edhe më mirë profilin e tij.
Ndërkohë, nëse do të flasim për kostot, sigurisht që i gjithë ky proces përkthehet së pari në kohë punë shtesë për punonjësit në banka, në lidhje me përgatitjen dhe zbatimin e të gjithë kuadrit rregullator të brendshëm, për të qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kosto për implementimet e duhura në sistemet informatike etj. Kjo përkthehet edhe në kohë e dokumentacion shtesë për klientin si dhe zgjatje të kohës së nevojshme për hapjen e një llogarie bankare, të cilat në përfundim përkthehen sigurisht në kosto financiare dhe oportune.
Nëse refuzohet aplikimi, çfarë penalitetesh aplikohen?
Bazuar në dispozitat e draft-akteve nënligjore aktualisht në proces konsultimi me bankat e nivelit të dytë, por duke iu referuar dhe kërkesave të vetë Standardit të Përbashkët të Raportimit në rast se një klient i ri nuk pranon të vetëdeklarojë rezidencën e tij tatimore dhe të japë pranë Bankës informacionin e nevojshëm për përcaktimin e statusit të tij, Banka nuk mund të vijojë me hyrjen në marrëdhënie me këtë klient, pra me çeljen e llogarisë. Nëse klienti është ekzistues dhe nuk pranon të dokumentohet në kuadër të CRS-së, Banka do të duhet ta raportoje atë si të “padokumentuar” pranë autoriteteve tatimore.
Union Bank: Procesi më i thjeshtë për individët
Union Bank vlerëson se procesi i vetëdeklarimit të të dhënave personale në banka do të jetë më i thjeshtuar për individet dhe komplikohet disi në rastin e subjekteve me rezidencë fiskale apo ndërvarësi në më shumë se një shtet.
Në një prononcim zyrtar, Banka tha se llogaritë e klientëve të raportueshëm janë ato të individëve si edhe të personave juridik, dhe në raste të caktuara edhe të personave kontrollues të këtyre personave juridik.
Në kuadër të Ligjit nr.4/2020 datë 30.01.2020 për “Shkëmbimin Automatik të informacionit” për llogaritë financiare, bankat në Shqipëri janë angazhuar në përmbushjen e dispozitave të përcaktuara nga ky ligj, duke realizuar vetëdeklarimin e të dhënave personale tatimorë të klientëve. Si po shkon në bankën tuaj ky proces?
Vetëdeklarimi i të dhënave personale tatimore është një proces që buron nga kërkesat e ligjit për ‘Shkëmbimin Automatik të Informacionit’’ i miratuar nga parlamenti Shqiptar në 30 Janar 2020. Ligji hyri në fuqi gjatë muajit Mars të këtij viti, muaj i cili përkon edhe me përhapjen e pandemisë Covid-19 dhe duke qenë se kërkesat për raportim kanë afat datën 31 Korrik 2020, bankat i japin një prioritet maksimal zbatimit të kërkesave të këtij ligji.
Në Bankën Union, ky proces ka filluar gjatë tre-mujorit të parë të vitit me specifikimet e kërkesave të draft-VKM-së si dhe me përcaktimin e infrastrukturës së duhur për këtë qëllim. Procesi vlerësohet të jetë më i thjeshtuar për individet dhe komplikohet disi në rastin e subjekteve me rezidencë fiskale apo ndërvarësi në më shumë se një shtet. Aktualisht kemi dërguar formatet tip të vetë-deklarimeve tek klientët e bankës për të vazhduar me tej me gjithë proceset operacionale deri në plotesimin e raportimit të parë.
Cili është qëllimi i vetdeklarimit dhe a cenohen të dhënat personale të klientëve?
Banka duhet të raportojë të gjitha llogaritë financiare jo-rezidente sipas kërkesave të ligjit të ri të miratuar. Në këtë ligj përcaktohet detyrimi i Institucioneve Financiare Raportuese (bankave në këtë kontekst) për mbledhjen dhe raportimin e informacioneve të caktuara financiare pranë Autoritetit Kompetent (Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave), në përputhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit. Llogaritë e klientëve të raportueshëm janë ato të individëve si edhe të personave juridik, dhe në raste të caktuara edhe të personave kontrollues të këtyre personave juridik.
Në këtë kontekst, vetë-deklarimi nga ana e klientëvë është i detyrueshëm pasi nëpërmjet tij klienti merr përsipër dhe informohet për përgjegjësitë që ka, informacionet që duhet të deklarojë në bankë, si dhe penalitet ndaj tij në rast të dhënies së informacioneve e të dhënave të rreme. Në çdo rast, eshtë bërë e qartë se Banka nuk duhet të marrë përsipër të raportojë bazuar në të dhëna të kaluara të marra nga klientët, pa pasur formën e vetëdeklarimit të firmosur.
Pikërisht për të shmangur këtë risk dhe për të zbatuar kërkesat ligjore shërben edhe vetë-deklarimi. Në çdo rast, sipas ligjit të mësipërm është i qartë detyrimi i çdo institucioni financiar raportues për të informuar mbajtësin e llogarive të raportueshme përpara fillimit të procesit të raportimit prandaj edhe bankat kanë filluar një proces të tillë komunikimi me klientët e tyre.
Në këndvështrimin e mbrojtjes së të dhënave personale, institucionet financiare raportuese kanë detyrimin të informojnë subjektet e të dhënave (mbajtësit e llogarive) në lidhje me detyrimin për përpunimin e të dhënave sipas kërkesave të ligjit nr. 4/2020. Me anë të vetë-deklarimeve si edhe me mënyra të tjera të informimit bëhet plotësisht e mundur që ky proces të zhvillohet qetësisht në përputhje me mbrojtjen e të dhënave personale të klientëve.
Cfarë informacioni synon të grumbullojë vetedeklarimi dhe a keni përfshirë të gjithë klientët në këtë vetedeklarimin, apo vetëm jorezidentët?
Një veçanti e kërkesave të ligjit është se kërkohet edhe raportimi i llogarive para-ekzistuese (të hapura para datës 31 Dhjetor 2018) ndërkohë që të gjitha llogarite e hapura pas 31 Dhjetorit 2018 quhen llogari të reja dhe do t’i nënshtrohen kërkesave të këtij ligji të ri. Për të shmangur problemet, që mund të hasim në identifikimin e klientëve jo-rezidente, sidomos në ato raste ku një klient i bankës ka nënshtetësi Shqiptare por është gjithashtu edhe rezident për arsye taksimi në një vend tjetër të raportueshëm, atëherë Banka Union ndërmori një qasje korrekte duke përfshirë të gjithë klientët e saj në procesin e vetë-deklarimit. Informacioni i kërkuar është i karakterit të përgjithshëm ku kryesoret mbeten numri i identifikimit të taksave, data e lindjes, rezidenca etj.
Sa e vështirë është përmbushja e këtij detyrimi dhe a është mirëpritur nga klientët?
Si çdo proces që del nga kërkesat ligjore dhe zbatohet për herë të parë në vend, vështirësitë nuk janë të vogla. Ato fillojne që nga kuptimi i saktë i kërkesave ligjore dhe vazhdojnë me proceset teknike të mbledhjes dhe raportimit të këtij infomacionit të mbledhur. Normalisht ka kureshtje dhe shpesh edhe ankesa nga ana e klientëve por mbetemi maksimalisht të angazhuar si bankë në dhënien e sqarimeve dhe informacionit te nevojshëm, gjithashtu përshtatjen e lehtësimin sa më shumë të procesit. Kërkesat e ligjit po aplikohen pothuaj njëtrajtësisht në gjithë sistemin bankar dhe kjo ndihmon procesin në tërësi.
Cilat janë afatet e vetedeklarimit dhe a po ju kushtëzon Pandemia Covid-19?
Siç e thamë edhe më sipër afati i raportimeve është 31 Korrik 2020. Më se e qartë që pandemia ka kushtëzuar të dy palët, bankat dhe klientët, por shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë përgjatë afatit të mbetur deri në raportim.
Cilat janë përfitimet dhe kostot e këtij procesi?
Përfitimet janë në rang vendi. Në afatin e gjatë vendi do mundet të jetë me i stabilizuar duke luftuar njekohësisht çështje të lidhura me evazionin fiskal, informalitetin dhe pastrimin e parasë. Kjo gjë në mënyrë indirekte do të sjellë edhe rritjen e investimeve të huaja në të ardhmen dhe krijimin e një klime më të qetë dhe konkurruese biznesi.
Nëse refuzohet aplikimi, çfarë penalitetesh aplikohen?
Ligji dhe bankat kanë aplikuar afate të pranueshme për plotësimin e dokumentave. Bankat në rast refuzimi për plotësimin e vetëdeklarimit mund të shkojnë deri në mbylljen e marëdhënies me klientin. Ndërkohë ligji përcakton edhe penalitete për individët apo bizneset./monitor.al/ Blerina Hoxha