Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka ftuar presidentin Ilir Meta që të shqyrtojë një datë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se si opsion që do i kënaqte socialistët është data 9 maj e 2021-it, që përkon me ditën Europës dhe me fitoren mbi nazi-fashizmin.
“Zgjedhjet e programit të pushtetit vendor, sipas Kushtetutës, duhet të jenë me ndryshimet e reja në Kod. Sa i përket zgjedhjeve në Shkodër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, është kompetencë e presidenti të Republikës. Duhet ta kishte ushtruar këtë kompetencë. Kur sezoni i zgjedhjeve ka ndryshuar, 9 maj i 2021-it është një datë kuptimplotë për zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Ditë historike e simbolike, pasi përkon me Ditën e Europës. Ndaj presidenti i Republikës ta shqyrtojë këtë datë, dhe ne socialistët do jemi të kënaqur, pasi është dita e fitores kundër nazi-fashizmit. Më vjen mirë që PD pranoi (marrëveshja për Reformën Zgjedhore). PD hoqi dorë nga të gjitha kërkesat e veta. Pranoi që zgjedhjet e qershorit të 2017-ës kanë qenë të lira dhe demokratike. Sa i përket votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, PS nuk ka hequr dorë nga ata”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së ka folur sot për mediat pas publikimit të dy opinioneve paraprake të Komisionit të Venecias për paketën antishpifje dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Balla tha sot se i qëndron strikt asaj që është thënë më herët duke i sugjeruar çdo institucioni dhe Presidentit të mos komentojnë draftet e papërfunduara.