Si do të vijë e djathta në pushtet?

0

Nga Namir Lapardhaja

Filozofi Roger Scruton kur u pyet gjatë vizitës së tij në Shqipëri se me çfarë strategjie do të vijë e djathta në pushtet, u përgjigj: ‘Me anë të kohës dhe duke e lënë të majtën të gabojë… Dhe, e majta gabon shumë.’

Ndonëse kanë kaluar vite, kuptimësia e fjalëve të tij ka ngërthyer në vetvete eksperiencën dhe përvojën. ‘Rilindja’, një hibridizim mes së majtës, liberalizmit dhe klaneve oligarko-ndërtimore, në gjithë këto vite nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se ka përsëritur gabimet e së shkuarës, duke i shumëfishuar dhe thelluar.

Ndonëse, në dukje, e majta ka qenë në avantazh në këtë periudhë të pushtetit, karremi i hedhur nga opozita është përpirë i tërë. Pushteti i vetëm dhe i pakufishëm do të jetë shtysa kryesore që do të çojë në rënien e piramidës prej rëre. Kur diçka plotësohet, fillon e pakësohet.

Në këtë kuptim, ‘Rilindja’, që asnjëherë nuk e tejkaloi vetveten, është duke jetuar agoninë e pushtetit. Në ikje e sipër, ata do të mundohen të përfitojnë ç’të mundin. Nga frika dhe paniku, do të thellojnë gabimet.

Në dukje të qetë, ata e dinë se rotacioni është i pashmangshëm. Përveç populizmit dhe propagandës, e majta ishte e paaftë të përmirësonte jetesën e shqiptarëve.

Po a mjafton vetëm koha dhe gabueshmëria për të ardhur e djathta në pushtet? Kësaj pyetje i janë përgjigjur profesorët e shkencave politike, Nic Cheeseman dhe Brian Klaas, në librin e tyre ‘Si manipulohen zgjedhjet’.

Në kapitullin që flet për forcimin e demokracisë, studiuesit e njohur theksojnë se duhen identifikuar taktika të reja për parandalimin e përdorimit të imazhit të demokracisë për ruajtjen e diktaturës. Sipas tyre, cilësia e zgjedhjeve mund të rritet dhe autokratët ortodoksë të sfidohen.

Rënia ekonomike pamundëson kapacitetin e regjimeve për të mbajtur afër miqtë e tyre, gjë që do t’i largojë ata nga mbajtja e pushtetit; një komunitet ndërkombëtar më koherent dhe më i fokusuar mund të adaptojë një linjë të ashpër për rëndësinë e reformës, duke gërryer kapacitetin e udhëheqësve për t’i fituar zgjedhjet paraprakisht; krijimi i një koalicioni të madh opozitar, një makine politike më të fortë, që minon efikasitetin e strategjive përça-dhe-sundo, janë tri sugjerimet e tyre për pjekjen e kushteve për ndryshim pushteti.

Megjithëse studimi nuk është kryer për vendin tonë, Shqipëria mund të kategorizohet si shtet autoritar konkurrues, ku zgjedhjet janë të kontestuara, por opozita sërish garon ‘me një dorë të lidhur pas shpine’. Sipas ekspertëve, ekonomia është në pikiatë.

Ata parashikojnë një rënie nga 5 deri në 9%. Jo vetëm si pasojë e pandemisë Covid-19, por edhe të tërmetit të vitit të kaluar. Qeveria e majtë jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë serioze, por vijon me metaforën e makinës me bori, por pa motor. Komuniteti ndërkombëtar, pas marrëveshjes për Reformën Zgjedhore, nuk ka arsye për të bërë një sy qorr dhe një vesh shurdhë përballë arrogancës, korrupsionit dhe nëpërkëmbjes së shtetit ligjor nga Edi Rama.

PD-ja është e vendosur për krijimin e një koalicioni të madh opozitar, i cili do të garantojë në mënyrë të pakthyeshme disfatën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e radhës. Përveç këtij bashkimi të madh numerik, opozitës i duhet shndërrimi në alternativ morale dhe të besueshme përballë shqiptarëve.

Duke filluar me ndryshimin e ligjërimit e duke u bërë më konkret dhe më të drejtpërdrejtë në dhëniet e zgjidhjeve që populli pret. Nëse të gjitha këto elemente bëhen së bashku, premisat janë të favorshme për rotacionin normal të pushtetit në zgjedhjet e vitit që vjen.

Pyetja që ngrihet me të drejtë nga shumë njerëz është: ‘A është e garantuar se opozita fituese do të jetë me ndryshe se sa qeveria që do të zëvendësojë?’ Ndonëse fatal për shoqërinë, shqetësimi është i përligjur.

Në ndihmë të përgjigjes së kësaj pyetjeje do të thërrasë sërish profesorët e sipërcituar, të cilët theksojnë se ‘ndryshimi i qeverisë mundëson një periudhë reforme politike, me përmirësime afatgjate në cilësinë e zgjedhjeve dhe demokracisë’.

Pavarësisht mosbesimin dhe skepticizmit shumë të madh, qoftë edhe për këtë, kjo është një luftë që ia vlen të luftohet./syri.net

Artikulli i mëparshëmBasha me banorë e sipërmarrës në Njësinë 11: Ramavirusi po shkatërron dita-ditës shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, biznesin e vogël
Artikulli i radhësRENEA online e PS punon në bodrumet e Pallatit të Kongreseve