Tiranë: Cilët janë dy personat që iu sekuestruan 2.1 mln euro prona dhe krimet që akuzohen

0

Mësohen emrat e dy personave që Policia  e Shtetit iu ka sekuestruar 2,1 milionë euro pasuri, në objekte dhe llogari bankare, pasuri e vënë me akte kriminale.

Ata janë:  Hasan Lushi, 50 vjeç me origjinë nga Kosova dhe Ryszard Artur Szylak, 47 vjeç me origjinë nga Polonia, të dy me banim në Olten të Zvicrës.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka marrë vendim për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të tyre, të investuar në Tiranë dhe në Vlorë.

Hasan Lushi është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.

Polaku  Ryszard Artur Szylak është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.

Pasuria e tyre që u vu nën sekuestro preventive në Shqipëri ishte:

3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;

Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;

Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;

6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit;

Policia tha se po vazhdon hetimet për të zbuluar prona të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.

Artikulli i mëparshëmGazetari-Majkos: Që i bie botës si satelit mirë bën, por që nuk vjen në Greqi bën keq…
Artikulli i radhësArdian Çapja del nga reanimacioni: Dua të shkojë në shtëpi