Nga çështja detare tek minoriteti grek, çfarë tha Rama sot në forumin ekonomik të Delphi

0
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot pjesë e forumit ekonomik të Delphi në Greqi, ku mbajti fjalën e tij përmes një telekonference. Në këtë takim merrnin pjesë dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ish-kryeministri e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Media greke thekson se Rama në fjalimin e tij është ndalur tek marrëdhëniet në nivel pozitiv mes dy vendeve, ndërsa është pozicionuar edhe për Zonën Ekskluzive Detare dhe delimitimin detar, si dhe në kërkesën konstante të palës greke për minoritarët grekë të Shqipërisë. Duke u ndalur tek marrëdhëniet bilaterale me Greqinë, Rama tha se në lidhje me këtë fakt është bërë progres.

“Kemi bërë progres. Nuk është e lehtë, por kemi vullnet pozitiv dhe marrëdhëniet bilaterale për mendimin tim janë të mira. Përcaktimi është një çështje. Nuk kemi arritur akoma në një marrëveshje. Por, shikoni, Greqia dhe Italia, vende anëtare të BE prej shumë vitesh, arritën në një marrëveshje pak ditë më parë”, tha ai.

Në vijim, Rama ka deklaruar se; “Besoj se ka çështje që duhen shqyrtuar, që janë diskutuar dhe në të kaluarën dhe vijojnë të diskutohen, është arritur dhe një progres, por natyrisht që mbetet akoma për të bërë. Marrëdhëniet mund të përmirësohen, por edhe tani janë në një nivel të mirë”. Në lidhje me minoritetin etnik grek dhe pronat e palëvizshme, Rama ka theksuar se “nuk është një çështje që duhet lidhur me faktin se kanë tjetër kombësi. Ekziston një çështje, që herë pas here evidenton pala greke për të drejtat e pronave të minoritetit grek. Është e vërtet që minoritarët kanë problem me të drejtat e pronës? Po! Por janë vetëm ata që kanë probleme me të drejtat e pronës? Jo! I gjithë vendi, çdo m2 i vendit, ka një peshë të trashëgimisë të komplikuar që lidhet me titujt e pronave, arkivin, sistemet”. Rama evidentoi se qeveria shqiptare po punon për përmirësimin e situatës dhe se është shënuar progres si dhe është miratuar një legjislacion i ri, që gëzon mbështetjen e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Së fundi, Rama u referua në marrëdhëniet shembull mes dy popujve fqinjë, që tejkalojnë ato qeveritare, çfarë nuk vlen vetëm vitet e fundit, por gjatë 30 viteve pas rënies së komunizmit dhe “hapjes” drejt perëndimit të Shqipërisë.

Artikulli i mëparshëmVidal “flirton” me Interin: Konte e di që mund të mbështetet tek unë!
Artikulli i radhësAlbinët, “të bardhët” gjenetikë të botës, çfarë nuk dini për gjendjen e rrallë