Nuk përgjigjej, dilte “i zënë”. Në mos në telefon, së paku në fushë Lautaro nuk ndodhej prezent. Nuk u dallua, pavarësisht se Kontes dhe Interit do t’i ishin nevojitur shkëputjet e tij, lëvizjet, për të luajtur finalen e Kupës së Italisë. “Demi” u përgjigj me vetëm një goditje në portë, në pjesën e parë. Më pas, nëse shikon statistikat, kupton që nuk ekzistonte një zë ku argjentinasi binte në sy, në mos për faullet e pësuara.
Ndërthurja e mendimeve është natyrale, bën të hyjë në mes pa dyshim merkaton, Leo Mesin, Barcelonën, heshtjen e argjentinasit, një negociatë që po vazhdon prej javësh. Është e kuptueshme, në çdo rast. Lautaro është 22 vjeç dhe në kampionatin e tij të dytë në Europë, nuk është e sigurt që i ka shpatullat e duhura për të mbajtur presionin.
Megjithatë, ajo që shqetëson është se nga lojtari që Konte kujtonte mbrëmjen e së shtunës u pa shumë pak, madje asgjë. Këtu nuk flitet vetëm për golat, nuk arsyetohet me festime. Aspekti që krijoi një përshtypje negative ishte tjetër: Lautaro nuk krijoi idenë se ishte totalisht i përfshirë në ndeshje, në shumë momente.
Aq sa zëvendësimi u duk si diçka natyrale. Është një risi absolute, po ashtu si nota më negative e ndeshjes (4,5). As Lautaro i Spaletit, kurrë në lartësi të këtij sezoni, ishte shfaqur kështu. Shumë më mirë u paraqit Aleksis Sançez, i aktivizuar në vendin e “Demit”. Të jetë fillimi i një balotazhi?