Koreja e Veriut ka hedhur në erë zyrën ndërlidhëse me Korenë e Jugut, pranë qytetit kufitar të Kaesong.
Lajmi u konfirmua nga të dy palët.
Sipas BBC, kjo lëvizje vjen pak orë pasi Koreja e Veriut kërcënoi se do të përdorte ushtrinë në kufirin korean.
Zyra e shkatërruar ndodhet në territorin e Veriut dhe ishte hapur në vitin 2018 për të ndihmuar të dy Koretë- të cilat janë në gjendje luftë- që të komunikojnë.
Zyra ndërlidhëse ishte bosh që prej janarit për shkak të kufizimeve nga koronavirusi.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar së fundmi për shkak se një grup dezertorësh në Jug kanë dërguar materiale propagandistike matanë kufirit.
Ekspertët thonë se Koreja e Veriut e ndërmori këtë veprim pasi synon të krijojë një krizë që të rrisë stekën e saj gjatë negociatave bërthamore me SHBA-në, që kanë ngecur gjatë kësaj kohe.
Motra e liderit komunist të Koresë së Veriut, Kim Yo-jong, e cilësuar si një aleate e ngushtë dhe e fuqishme- kërcënoi gjatë fundjavës se do të shkatërrojë këtë zyrë.
Gjatë viteve të fundit, motra e vogël e liderit suprem ka nisur të shfaqet si një personazh i rëndësishëm në politikën e vendit.
Që prej vitit 2014, ajo kuron imazhin e vëllait dhe merret me propagandën. Nga viti 2017 është pjesë e Byrosë Politike.
Kur u përfol se Kim Jong-un mund të kishte ndërruar jetë, emri i saj u lakua si pasuese.