Debati për anëtarët e KQZ-së/ Opozita: PS ka mbetur tek drafti i vjetër, refuzon formulën e Komisionit të Venecias

0
Zgjedhorja1

Opozita i kërkoi maxhorancës një formulë të re për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që sipas saj të reflektojë dakordësinë e arritur mes palëve në 5 Qershor.

Duke u ndalur tek kërkesa për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, opozita i kërkoi PS të shpjegojë se “me cilën pjesë të propozimit nuk është dakord dhe arsyet pse, si dhe të bëjë një propozim të saj alternativ në përputhje me dakordësinë e 5 Qershorit, pra sesi të garantohet me ligj konsultimi dhe ndarja proporcionale e anëtarëve të KQZ midis partive të mazhorancës dhe partive të opozitës, si dhe vendimmarrja konsensuale për çështje të rëndësishme të procesit zgjedhor.”.

Opozita vë në dukje se PS ka mbetur tek drafti i vjetër i saj, duke refuzuar sipas saj të reflektojë dakordësinë e 5 Qershorit, ku “Komisioneri i Zgjedhjeve përzgjidhet në konsultim mes palëve, Zëvendës Komisioneri përzgjidhet nga partitë e opozitës, dhe anëtarët e Rregullatorit dhe KAS përzgjidhen nga partitë e mazhorancës dhe opozitës, të ndarë në mënyrë proporcionale.”. Opozita pretendon se drafti që mbron PS përcakton emërimin e të gjithëve anëtarëve të KQZ nga qeveria, ku sipas saj palës tjetër i hiqet çdo garanci ekzistuese, në lidhje me propozimet dhe vendimarrjen.

“Theksojmë se garancitë ekzistuese për procesin zgjedhor të tilla si vendimmarrja me shumicë të kualifikuar aktualisht në fuqi në Kod, duhet të ruhen dhe nuk mund të zvogëlohen apo hiqen. E kundërta do të përbënte një hap prapa në kohë dhe standardë. Është e pashpjegueshme sesi PS kërkon të zhbëjë garanci që ekzistojnë aktualisht në Kodin Zgjedhor, mbi përcaktimin konsensual nga KQZ të rregullave të garës elektorale.”- thuhet në përgjigjen e opozitës.

Duke theksuar se propozimi i saj është në përputhje me dakordësinë e 5 Qershorit, opozita i ka kushtuar rëndësi të posaçme formulës që garanton pavarësinë, njësoj si tek organet e drejtësisë, e dakordësuar me konsensus nga palët politike dhe e certifikuar edhe nga Komisioni i Venecias. “E kemi të paqartë qëndrimin tuaj se kjo formulë e propozuar nga opozita për KQZ e cila është e njëjtë si ajo që përdorim për organet e reja të drejtësisë, sjell politizim ndërkohë që ju mbroni versionin se kandidatët për KQZ duhet të jenë propozime nga grupet parlamentare apo deputetë të veçantë, çka, në fakt, përbën politizim tërësor të kandidaturave”,- thuhet në përgjigjen e opozitës, e cila tani pret nga PS shpjegime për refuzimin e kësaj formule dhe një propozim të ri, në përputhje me dakordësinë e 5 qershorit, të ndërmjetësuar me BE dhe SHBA.

Artikulli i mëparshëmZbulimi i Oxford? A po përdoret ‘Deksametazoni’ tek të sëmurët me COVID-19 në Shqipëri. Flet shefja e Infektivit
Artikulli i radhësKoronavirusi ‘gjunjëzon’ Maqedoninë e Veriut, regjistrohen 9 viktima dhe 193 raste pozitive në 24 orë