Projektligji i ri, i gjithë bregdeti në duart e kryeministrit

0

Një projektligj i ri, i hedhur për konsultim publik nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama, parashikon që e gjithë vija bregdetare e vendit t’i jepet nën administrim Agjencisë së Bregdetit, e cila do të ketë fuqi të lejojë ose refuzojë çfarëdolloj lejeje zhvillimore apo leje përdorimi nën argumentin se vendi ka nevojë për “menaxhim të integruar”.

Nga Gjergj Erebara | BIRN 

Projektligji “Për Menaxhimin e Integruar të Bregdetit” është publikuar në faqen Konsultime Publike dhe sanksionon në nenin 11 që të gjitha njësitë e qeverisjes vendore që kanë vijë bregdetare të marrin leje paraprake për çdo leje ndërtimi në territorin e vet e madje edhe për çdo leje shfrytëzimi të bregdetit te një agjenci në varësinë e Ministrit të Turizmit të njohur si Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Sipas projektligjit, organet e qeverisjes vendore “i përcjellin Agjencisë çdo aplikim për pajisje me leje zhvillimore apo leje përdorimi që është dorëzuar pranë tyre, me qëllim marrjen e miratimit paraprak të Agjencisë, miratim i cili përbën kusht ligjor për dhënien e lejeve zhvillimore dhe të përdorimit nga ana e organeve të vetëqeverisjes vendore”.

Projektligji, i cili ka gjasa bie ndesh me parimin kushtetues të autonomisë së pushtetit vendor duket se do të përqendrojë në duart e një zyre të vetme të krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2014 si zyrë nën varësinë e ministrit për turizmin, të gjithë perspektivën e zhvillimit të bregdetit nga veriu në jug të vendit.

Projektligji parashikon gjithashtu në nenin 22 që pas miratimit të këtij ligji të ndalohen të gjitha lejet e ndërtimit në bregdet me përjashtim të kontratave koncesionare të dhëna nga qeveria qendrore.

Kjo është e disata herë që qeveria sulmon bregdetin për të krijuar një monopol në zhvillimin e turizmit.

Në vitin 2015, qeveria miratoi një ligj për investimet strategjike ndërsa në vitin 2018 parashikoi miratimin e një ligji që efektivisht i shpronësonte fshatarët e bregdetit për llogari të investitorëve strategjikë. Projekligji i bastardizua nga Komisioni i Venecias si një ligj që ka krijuar “shqetësime për fuqi të tepërta rregullatore që i janë dhënë Këshillit të Ministrave,” si dhe paralajmërojnë se këto probleme, të marra sëbashku, shkelin Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë. [Link]

Vitin e kaluar qeveria parashikoi krijimin e një strukture të njohur si Korporata e Investimeve, e cila do të përvetësonte pronat shtetërore në bregdet me qëllim privatizimin e tyre jashtë kuadrit të ligjeve ekzistuese të prokurimit publik apo koncesioneve ndërsa tani parashikohet ngarkimi i Agjencisë së Bregdetit me kontrollin e të gjitha lejeve të ndërtimit në bregdet.

Artikulli i mëparshëmRama del hapur kundër koalicioneve/ ‘Pakti për reformën mund të griset’
Artikulli i radhësSkandal në Premier League: Goal-line Technology nuk funksionoi, dënohet Sheffield