Në veri të Greqisë, autoritetet të enjten vendosën një shtetrrethimi të ri në Echinos në Xanthi, pasi dhjetëra raste me koronavirus u gjurmuan në fshatin e vogël brenda më pak se një jave.
Kjo është hera e tretë që masa të tilla kufizuese i janë vënë këtij komuniteti, pasi u konfirmuan disa infeksione edhe javën e kaluar, edhe në fund të marsit. Shpërthimi i fundit i koronavirusit përfshiu 73 raste të reja dhe katër vdekje me Covid-19 ndërmjet banorëve, duke bërë që autoritetet të shtojnë edhe një javë, shtetrrethimin.
Banorët e Echinos janë udhëzuar të qëndrojnë në shtëpi për shtatë ditët e ardhshme, gjatë së cilës të gjitha dyqanet do të mbyllen përveç farmacive dhe supermarketeve, ndërsa përdorimi i një maske për fytyrën do të jetë i detyrueshëm në vendet publike. Ushqimi dhe ilaçet do të dërgohen në shtëpi me kamionë.
Megjithë përpjekjet e Greqisë, rajoni i Xanthi po e ndien më shumë se askush tjetër sfidën e koronavirusit. Nga 24 infeksionet e reja Covid-19 të njoftuara të enjten, 18 ishin në Xanthi dhe 2 në Rodopi aty pranë dhe 4 raste nga të ardhurit në Greqi nga jashtë. Një pacient tjetër me koronavirus vdiq të enjten, duke e çuar numrin e vdekjeve deri në 188.
Herën e parë që Echinos u vu nën shtetrrethim ishte në mars, me shpërthim epidemie të lidhur me kthimin në Xanthi të rreth 500 punëtorëve nga Franca, Italia, Belgjika dhe Hollanda.
Përhapjet më të fundit kanë qenë të lidhura me mbipopullimin në festat fetare dhe me mbërritjet nga jashtë, kryesisht me kalime nga kufiri greko-bullgar nga njerëzit që duan të shmangin karantinën e detyrueshme 14-ditore.