Sevilja ndal Barcelonën dhe i jep një asist të çmuar Real Madridit, që tashmë ka shancin të mbërthejë katalanasit në krye të tabelës. Në “Ramon Sanchez Pizjuan”, kryendeshja e javës së 30-të të La Ligas u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ndeshja është plot agonizëm dhe shoqërohet nga nerva të tendosura. Mesi dhe Suarez janë vënë në shënjestër nga ndërhyrjet e ashpra të vendësve dhe gjyqtari Gonzales fal më shumë seç duhet, çka bën që “Pleshti” të nervozohet dhe të shtyjë Diego Karlosin pas një ndërhyrjeje ndaj “El Pistoleros”. Ka tension në fushë dhe një minutë më pas gjakrat nxehen pas një përplasjeje mes Pikes dhe Reguilonit.
Barcelona luan më mirë në 30 minutat e para, ndërsa Sevilja e rrit shumë presionin dhe drithërojnë jo pak Ter Shtegenin, që duhet të bëjë dy ndërhyrje super ndaj Okamposit dhe Munrit. Barça nuk arrin të koordinohet, ndërsa andaluzianët ndërtojnë rastet më të mira duke bërë që katalanasit të kënaqen me një pikë. Nesër Reali Madridi ka shansin më të mirë për të arritur Barcelonën në kuotën e 65 pikëve, por për ta bërë këtë duhet të thyejë Sociedadin.