Partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, zgjeroi të dielën e 21 ershorit, kontrollin e saj mbi pushtetin pas një fitoreje zgjedhore në votimet që u zhvilluan pa 9 partitë kryesore të opozitës. “Unë jam mirënjohës ndaj popullit për këtë mbështetje historike”, tha presidenti nga selia e Partive Progresive Serbe (SNS, e djathtë e qendrës), që është në pushtet prej tetë vitesh. “Ne kemi fituar kudo, kemi fituar atje ku nuk kemi fituar kurrë” konfirmoi ai, duke thënë se SNS ka marrë më shumë se 63% të votave ose 189 vende nga 250 që ka parlamentiu serb (nga 131 që kishte në legjislaturën e mëparshme). Sipas vlerësimeve të institutit Ipsos, partneri i tij në koalicionin në largim, Partia Socialiste Serbe (SPS qendra e majtë), fitoi 11% të votave.
Hija presidenciale i dominoi këto zgjedhje të para në Evropë që nga mbyllja prej pandemisë. Ndonëse Aleksandar Vucic nuk u paraqit, emri i tij u shfaq në fletët e votimit si shefi i SNS.
Kjo “fitore e thellë” u ndihmua nga bojkotimi i votimit nga partitë kryesore të opozitës të cilat pretendojnë se zgjedhjet e lira ishin të pamundura për shkak të mungesës së demokracisë dhe manipulimit të mediave. Ato vazhduan të denoncojnë zgjedhjet “false” dhe të pretendojnë suksesin e lëvizjes së tyre. Këtë gjë nuk e ndaloi as pjesmarrja në garë e rreth 20 partive të tjera, që ndonëse zgjodhën të garonin, zor se e kalojnë pragun prej 3% të kërkuar për të hyrë në parlament. Mes tyre ishin edhe një pjesë e partive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas rezultateve paraprake, Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar, ka siguruar tre vende në Parlamentin e Serbisë. Ndërkohë pritet të dalë rezultati përfundimtar, ku shpresohet që numri i deputetëve shqiptarë të shkojë në 4. Pikërisht për të ruajtur legjitimitetin e zgjedhjeve të kontestuara, miku i tij Edi Rama i bëri thirrje shqiptarëve të Luginës që të dilnin masivisht në zgjedhje. Gjoja me motivin e fitimit të sa më shumë vendeve për deputetët shqiptarë në parlament, kjo thirrje kishte qëllimin shmangjen e një salle njëngjyrëshe në emër të së cilës Vuçiç ndryshoi edhe ligjin elektoral, duke ulur pragun nga 5% në 3%.
Në të njëjtën linjë me Ramën doli edhe presidenti kosovar Hashim Thaçi që e mbështeti sot suksesin e partive shqiptare:
“Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij. Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje. Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”
Por, jo të gjitha përtitë shqiptare iu bindën thirrjes nga Tirana.
Kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa, në Luginën e Preshevës u shpreh se partia e tij nuk ka marrë pjesë në zgjedhje pasi sipas tij, Serbia nuk është treguar asnjëherë e gatshme për të dëgjuar zërin e shqiptarëve në parlamentin e saj. Ai e denoncoi Aleancën e shtyrë nga Tirana zyrtare si fallco “ku 3 parti në Bujanovc dhe Preshevë nuk arrin të kenë më shumë se 5-6% të popullit”. tha ai.
Ndonëse shumë media pranë qeverisë në Tiranë po shesin si fitore numrin rekord të deputetëve shqiptarë në parlamentin serb, kjo ka qenë më shumë një përpjekje e qeverisë Rama për të ruajtuar fasadën e zgjedhjeve fallco dhe pa opozitë, që po bëhen një model i njëjtë i gjithë autokratëve të Ballkanit.