Zhdukja e Ylenia Carrisi-t, vajzës së artistit të famshëm italian, Al Bano Carrisi-it, mbetet ende edhe sot një mister. E reja u zhduk në janarin e vitit 1994, në New Orleans, ku u transferua disa muaj para zhdukjes me idenë për të shkruar një libër. Ndodhi pikërisht atëherë, kur i ati i saj, Al Bano, filloi të vinte re disa ndryshime tek e bija, para se ajo të humbte gjurmët.
Ajo çka ndodhi nuk është sqaruar as sot e kësaj dite. Megjithatë, këngëtari është i bindur për vdekjen e së bijës. Për këtë arsye ai i quan “çakej” njerëzit që herë pas here bëjnë supozime për fatin e Ylenia-s dhe ka shpërthyer sërish ndaj tyre.
“Mjaft me këto spekulime të ulëta rreth sime bije, Ylenia-s. Duhet të marrin fund! Bëjnë gjithçka vetëm për të fituar ato para të mallkuara”, -është shprehur së fundmi këngëtari, i cili kërkon “të drejtën e harresës”, një ligj që është në fuqi në Evropë dhe në një pjesë të madhe të botës.
Në këtë mënyrë ai kërkon qetësinë e tij dhe të familjes, ndaj atyre që thonë të pavërteta lidhur me çështjen që vazhdon të përfiltet edhe pas më shumë se 25 vitesh.
Në një intervistë për “Il Fatto Quotidiano”, Al Bano rikujtoi diçka shokuese që ndodhi pak pasi vajza ishte zhdukur.
“Pak pas zhdukjes së saj, një korrespondent i një televizioni prestigjioz, pretendonte se unë e mbaja Ylenia-n të fshehur në shtëpi dhe kjo ngjarje ishte vetëm për t’i bërë vetes publicitet. Pretendonte edhe të më intervistonte.”
Ndërkohë që Romina shpreson ende ta përqafojë të bijën, Al Bano i ka idetë e qarta rreth asaj që mund t’i ketë ndodhur. Këtë e ka rrëfyer vetë këngëtari në autobiografinë e tij, ku thotë se nën efektin e substancave narkotike, Ylenia-n e kanë vrarë duke e hedhur në lumin e Mississipp-it.
“Para se të shkruaja në libër për zhdukjen e sime bije, piva derisa u deha. Më pas thirra gazetarin që kontribuoi në hartim dhe ia diktova, madje as nuk e rilexova.”
Në një intervistë për “Chi”, në vitin 2018, këngëtari është shprehur se të bijën do ta takojë vetëm në parajsë: “Si baba kuptova që kishte ndodhur një dramë. Ylenia thoshte gjithmonë ‘unë u përkas ujërave’, dhe në ujëra u kthye.”