Kur Jurgen Klopp zëvendësoi Brendan Rodgers në tetor 2015, skuadra e Liverpoolit pozicionohej e teta në Premier League dhe nuk kishte një organikë që të ëndërronte gjëra të mëdha.
Prezantimi i tij me frazën e famshme “Unë jam Normali”, duke e diferencuar veten nga Mourinho dhe “I veçanti”, e bëri të qartë se ai ishte një teknik tjetër …, por nuk do ta merrte aq lehtë në “Anfield”.
Formacioni i parë titullar i Kloppit te Liverpooli ishtë ky: Mignolet; Clyne, Skrtel, Sakho, Alberto Moreno; Lucas Leiva, Emre Can, Lallana, Coutinho, Milner dhe Origi.
Vendin e tetë e ruajti deri në fund të sezonit.
Dy vendet e katërta në sezonet 2016-2017 dhe 2017-2018 treguan se projekti “Klopp” po rritej më shumë jashtë kufijve të Ishujve Britanikë sesa në shtëpi, megjithëse trofetë nuk po vinin.
Finalja e Europa League-s e humbur kundër Sevillas në vitin 2016 dhe finalja e Champions League në 2018 kundër Real Madridit i bënë njerëzit të ëndërrojnë, por qershia mbi tortë mungoi.
Deri në sezonin e tij të katërt në krye të Liverpoolit loja e egër në fushë nuk po përkthehej në trofe për vitrinën e “Anfield”, por erdhi më fund me titullin e kampionit të Europës (Championsi), i fituar në “Wanda Metropolitano” përballë Tottenhamit.
Ishte trofeu i parë që Klopp ngriti si trajner i Liverpoolit e që u pasua nga Superkupa Europiane dhe Botërori i Klubeve, i siguruar dhjetorin e kaluar.
Më në fund erdhi edhe trofeu i Premier League-s, një vit pas atij kampionati të pazakontë, ku as 97 pikë nuk mjaftuan për të ngritur kupën.
Ishte radha e tij: “Ne duam të krijojmë historinë tonë në Liverpool”. Misioni u përmbush.