Albini ua hoqi pagesën, Hoti po ua merr cent e më cent

0

Bashkatdhetarët të cilët po vijnë për pushime në vendlindje e të cilët jetojnë e veprojnë në vende të ndryshme evropiane e më larg, vazhdojnë të paguajnë sigurimin për automjete. 

Edhe përkundër se Qeveria Kurti kishte vendosur për mbulimin e pagesës se sigurimit të qytetarëve kosovarë që vijnë nga jashtë, një gjë e tillë nuk po zbatohet nga Qeveria Hoti.

Qeveria e kaluar e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti ka aprovuar një kërkesë të Ministrisë se Financave për krijimin e një mekanizmi për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar nga Qeveria e Kosovës.

Në hyrje të pikë kalimeve të Kosovës pritjet e kolonat vazhdojnë të përsëriten gjatë pushimeve të verës dhe atyre të fund vitit.  
Mërgimtarët vazhdojnë të maltretohen nga politikat e mbrapshta.

Kjo situatë është bërë e padëshirueshme, jo e këndshme dhe e neveritshme sidomos për bashkatdhetarët që vijnë në pushime në vendlindje.

Dhjetëra automjete me targa të vendeve të ndryshme evropian të mbushura me familjarë e  gjësende të ndryshme presin në radhë për të paguar sigurimin, këndej kufirit ku duhet të ndalen të paguajnë sigurimin për në vendlindje.

 “Syri. net”, ka marr disa nga përshtypjet, rrëfimet dhe shqetësimet e tyre për pagesën e sigurimit të automjeteve.

Hamit Hajdari, i cili  jeton në Cyrih të Zvicrës, ka thënë për “Syri.net” se si shqetësim është pagesa e sigurimit prej 15 e 20 euro e cila është e panevojshme. 

Edhe Nderim Qerimi,  nga Vupertali i Gjermanisë, ka thënë për “Syri.net”, se  është jo e drejtë pagesa e sigurimit të cilën po e bëjnë vetëm në Kosovë, e askund tjetër. 

Agim Ahmeti, nga Sint klas i Belgjikës, ka thënë për “Syri.net”, se çështja e sigurimit është hajni. 

Bledar Miftari, nga Norvegjia, ka thënë për “Syri. net” se pagesa e sigurimit është jo e drejtë dhe brengosëse. 

Vesel Idrizi, nga Soloturni i Zvicrës, ka thënë për “Syri. net”, çështjen e pagesës së sigurimit e ka quajtur si skandaloze dhe që sipas tij edhe pse paguajnë këtë sigurim nuk përgjigjen.   

Po ashtu Ekrem Osmani nga Malmo  i Suedisë ka thënë për “Syri. net” se ka vërejtje për siguracionin i cili është i panevojshëm, derisa e kanë një të tillë.

Kjo do te vlejë për të gjithë bashkëatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë për vitin 2020.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se a kanë filluar procedurat për zbatimin e këtij vendimi apo do të anulohet.

Kryeministri  ka thënë se “qeveria do analizojë me kujdes të gjitha vendimet e marra nga qeveria e kaluar, për të siguruar se a janë në përputhje më ligjin”.

Pagesa e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë është e obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Aty përfshihen edhe automjetet e mërgatës, diasporës së Kosovës.

Në Byronë Kosovare të Sigurimeve pohojnë se janë të gatshëm për diskutime lidhur me këtë çështje, edhe pse sipas tyre, kjo është komplekse dhe kërkon trajtim profesional.

Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), thotë se një vendim eventual do të krijojë implikime financiare dhe duhet te shikohet edhe aspekti ligjor. Sigurimi kufitar është i bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

“Duhet të mendohet mirë për shkak të bartjes se rrezikut me lëshimin e çdo police të sigurimit. Implikimi financiar është mjaft i lartë, për shembull për një rast të siguruar që kushton 15 euro për 15 ditë, kërkesa e personave për dëmshpërblim mund të shkojë deri në 1.2 milion euro. Kurse për dëmet e shkaktuara nga përdorimi i autobusit dhe mjeteve motorike të destinuara për transportin e lëndëve të rrezikshme, zbatohet dyfishi i shumave minimale të sigurimit”, tha Pushkolli.

Ai shtoi se nëse koston e sigurimit kufitar do ta merr përsipër Qeveria e Kosovës, atëherë do të ketë implikime financiare dhe rëndim të buxhetit të Kosovës, i cili mbulohet kryesisht nga tatim-paguesit kosovar.

“Dhe këtu është normale të shtrohet pyetja, si të ngarkohen taksapaguesit kosovarë që ta paguajnë sigurimet e drejtuesve të mjeteve motorike më regjistrime të huaja?

Por, Byroja Kosovare e Sigurimit do të jetë bashkëpunuese në proces dhe do të respektoj çdo vendim që merret nga Qeveria e Kosovës”, thotë Pushkolli.

Nga tarifat e sigurimeve kufitare, thotë Pushkolli, vitin e kaluar janë grumbulluar mbi 7.7 milionë euro të hyra, kurse pagesa e dëmeve të paguara nga BKS për periudhën e njëjtë rezulton vlerën prej 7.9 milionë eurosh./syri.net

Artikulli i mëparshëmMetoda e parë në Botë/ Ja si e shpëtoi Turqia të prekurin me Covid-19
Artikulli i radhësFOTO/ Bukuroshja shqiptare vijon të provokojë