‘Në Shqipëri të lejohen tifozët në stadiume’, Duka: Duam vendin e parë në Ligën e Kombeve

0

Presidenti i FSHF-së Armand Duka kërkon që qeveria shqiptare të lejojë të paktën që stadiumet të mbushen me tifozë në 50% të kapacitetit të tyre.

Në intervistën për “Sports Week” në “Tring”, kreu i futbollit shqiptar ka folur për një sërë temash, që nga ndryshimet e kalendarëve të kompeticioneve të UEFA-s e deri te 90-vjetori i themelimit të FSHF-së.

Presidenti Duka ka komentuar edhe prioritetin kryesor të Federatës, që është futbolli i femrave, duke shpjeguar strategjinë, por edhe mbështetjen financiare që do të jetë e konsiderueshme në mënyrë që kjo iniciativë të jetë e suksesshme brenda një kohe të shkurtër.

Kjo nismë do të përfshijë, jo vetëm futbollin profesionist, por edhe atë amator, pasi FSHF do të mbështesë financiarisht ekipet e shkollave të Shqipërisë për të organizuar kampionatin e shkollave për femra në futboll.

President, do ta nisim fillimisht me UEFA Champions League. U morën vendimet se si do të procedohet me kompeticionet evropiane, por ju si anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA mund të na thoni se sa e vështirë ka qenë kjo periudhë deri në marrjen e vendimeve finale?

UEFA nëpërmjet grupeve të punës të emëruara nga Komiteti Ekzekutiv për vazhdimin apo rikthimin e aktiviteteve ka ndjekur situatën hap pas hapi deri në vendimin se si do të rikthehemi apo të rinisim kompeticionet që u lanë përgjysmë dhe rifillimin e kompeticioneve të tjera. Është një punë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me përshtatjen e futbollit apo me rregullat e gjithë vendeve evropiane, pasi dihet që vende të ndryshme kanë masa të ndryshme për karantinimin, lëvizjen e njerëzve dhe lëvizjen e skuadrave.

Kështu që u mendua si formula më e mirë ose si opsioni më i përshtatshëm pas shumë diskutimeve, që të zhvillohet një turne final i kompeticioneve Europa League dhe Champions League.

Në disa shtete evropiane si për shembull edhe në Zvicër ka patur një prezencë të pjesshme të tifozëve. A mendoni se është e mundur që disa ndeshje të Champions League apo të disa kompeticioneve të tjera të kenë një prani të tifozëve në stadium? A është reale kjo mundësi?

Mendoj që probabiliteti është më shumë se sa 50 % që të kemi prani të spektatorëve në stadium në ndeshjet e Champions League dhe Europa League, por e thashë, nuk është thjesht një vendim i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Është një negociatë apo një bashkëpunim i grupeve të punës të emëruar nga Komiteti Ekzekutiv me qeveritë respektive, portugeze dhe gjermane, për të lejuar tifozë në mënyrë të reduktuar dhe jo në 100% të kapaciteteve të stadiumeve.

Kam shumë besim që do të arrihet diçka deri në ditën e rifillimit të aktiviteteve të kemi një prani të tifozëve dhe të mos kemi ndeshje vetëm me dyer të mbyllura.

Janë katër ndeshje të fazës së 1/8-ve ku ende nuk janë përcaktuar nga një fitues. Do të luhen edhe ato në Portugali apo vendimi është që secila të luajë ndeshjen e mbetur në stadiumet e veta?

Nuk është një vendim definitiv, nuk do të ketë ndeshje vajtje-ardhje, sepse janë dy ndeshje të Europa League, Sevilja-Roma dhe Inter-Getafe, që kanë dy ndeshje të pazhvilluara. Në këto sfida do të përcaktohet fituesi me një ndeshje të vetme, stadiumi ku do të luhet ndeshja do të përcaktohet në varësi të zhvillimeve apo kushteve të pandemisë në vendet respektive dhe pastaj ekipet do të udhëtojnë për në Portugali.

Ndeshjet që do të përcaktojnë ekipet e kualifikuara në fazën e 1/8-ve varen nga vendimet e vendeve ku do të zhvillohen sfidat për të qenë me ose pa tifozë. Në dijeninë time Barcelona po bën gjithë përpjekjet me qeverinë spanjolle, që të ketë prani spektatorësh në stadium në sfidën ndaj Napolit.

Për të kaluar te kombëtaret. Në shtator do të rinisë edhe Nations League, mund të na thoni nëse flasim dot që tani për objektiva apo është ende herët për të folur rreth kësaj teme në Nations League?

Objektivi jonë është i qartë, ai që ka qenë qysh në fillim të shortit dhe është një objektiv real, nuk është thjesht një dëshirë apo një ëndërr. Kombëtarja shqiptare qartësisht duhet të luftojë për t’u renditur e para në grup. Siç ne nuk kemi bërë ndeshje përgatitore, edhe të tjerët nuk kanë bërë asnjë ndeshje, kështu që jemi në kushte të barabarta, në kushte jo shumë të zakonshme, por qoftë në letër, qoftë në praktikë, mendoj që kemi një ekip kompetitiv dhe një ekip që meriton të luftojë për vendin e parë në grup.

Uroj që ta fillojmë mirë që në Minsk dhe ta finalizojmë me dy ndeshjet e fundit në shtëpi për të qenë të parët në grup.

Meqë përmendët pak edhe çështjen e miqësoreve. Është folur shumë se keni siguruar një ndeshje miqësore me Armeninë në fillim të muajit tetor. A do të jetë një rikthim emocionues i Shqipërisë në stadiumin ku siguroi biletën për në Euro 2016?

Po, parimisht kemi rënë dakord me Federatën Armene të Futbollit, sepse domosdo ne duhet të bëjmë një ndeshje miqësore në tetor dhe një tjetër në nëntor. Është detyrim jo vetëm sportiv, por edhe i të gjitha të drejtave të transmetimit, një detyrim nga UEFA që ne t’i zhvillojmë ato dy ndeshje miqësore.

Kemi përzgjedhur Armeninë për arsye, sepse ne kemi ndeshjen zyrtare pak ditë më pas në Kazakistan, ekipet janë të ngjashme me njëra-tjetrën dhe gjithashtu i afrohemi pak Kazakistanit. Nuk do të jemi të detyruar që të udhëtojmë direkt nga Shqipëria, pasi është distancë e largët, por do të udhëtojmë nga Jerevani dhe koha është më e shkurtër.

Patjetër, që është e veçantë për ne dhe do të jetë bukur, që do të rikthehemi në një vend ku kemi siguruar biletën për në Europianin “Francë 2016” ose më saktë do të rikujtojmë ato emocione, por nuk mund të rikthehemi me të njëjtat emocione, sepse ato janë emocione që ndodhin rrallë për një ekip si i yni, që lufton me synimin për t’u kualifikuar në një turne madhor siç ishte Euro 2016, aq më shumë jashtë shtëpie.

Gjithsesi, do të rikujtojmë ato emocione, por e rëndësishme është që futbollistët dhe stafi teknik të bëjnë një përgatitje të mirë për të fituar ndeshjen zyrtare në Kazakistan.

Kalojmë pak zoti Duka në futbollin shqiptar. Duke marrë shkas nga një episod që ndodhi te sfida Skënderbeu-Bylis, ku u akordua një penallti dhe më pas u anulua. A mendoni se është bërë i domosdoshëm ndikimi i sistemit VAR në vendin tonë?

Kjo nuk është më një çështje se çfarë mendoj apo nuk mendoj. Ne kemi marrë tashmë një vendim, që të implementojmë sistemin VAR në edicionin 2021-2022. Madje kemi filluar me zbatimin e projektit, kemi filluar me trajnimin e arbitrave, e stafeve që duhet ta menaxhojnë atë, sepse është krejtësisht një gjë e re, ndryshe nga ato që është mësuar të bëjë një federatë futbolli, sepse ka të bëjë edhe me teknologjinë.

Në këtë edicion 2020-2021 ne do të kemi vetëm një sistem VAR, që do ta përdorim për testime, trajnime dhe ndonjë ndeshje. Ndërsa në edicionin 2021-2022 të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore do të jenë me sistem VAR.

Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin shqiptar, pasi është një tjetër sinjal që edhe ne vazhdojmë të ecim me hapat e Europës sa i përket minimizimit të gjithë gabimeve që ndodhin në arbitrim. Pra, le të themi që futbolli shqiptar po ecën me hapat e Europës…

Kjo është një temë që ha diskutim, nëse VAR-i është zgjidhja më e mirë ose jo, por megjithëse është teknologji, edhe pse i minimizon shumë gabimet nuk i eliminon 100%, sepse jemi dëshmitar edhe të gabimeve që kanë ndodhur, duke pasur mbështetjen e sistemit VAR në ndeshje.

Normalisht, që do të ketë shumë më pak gabime, do të kemi më pak diskutime, por nuk do të eliminohen plotësisht. Gjithsesi, edhe teknologjia do të përdoret nga njerëz dhe ato duhet të përgatiten për ta përdorur mirë atë.

U hodh të premten shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Do të kemi dy përballjet Bylis-Tirana dhe Kukësi-Teuta. Një koment tuajin, cilën nga këto skuadra shikoni si favorite?

Unë nuk mendoj që skuadrat shqiptare, të paktën ato të Kategorisë Superiore, kanë diferenca të mëdha me njëra-tjetrën dhe është shumë e vështirë të parashikosh rezultatin e një ndeshjeje, qoftë në kampionat apo qoftë në kupë.

Duhet t’i shtojmë faktin që kupa ka edhe specifikat e veta dhe çdo rezultat është i mundshëm. Të katër skuadrat që janë kualifikuar për në gjysmëfinale mund të jenë finaliste dhe fituese. Nuk mund të them për asnjërën që është më afër trofeut, më duken në mënyrë të baraslarguar nga trofeu.

Kampionati shqiptar dhe Kupa e Shqipërisë vijojnë me kushte të rrepta sa i përket sigurisë shëndetësore për të mos lejuar përhapjen e Covid-19. A kanë hasur probleme klubet për të respektuar këto protokolle dhe a kanë kërkuar ndihmën e FSHF-së në këto situata?

Deri tani përveç një rasti, që ne kemi pasur në javën e parë të rifillimit me Bylisin, ku njëri nga futbollistët e kësaj skuadre rezultoi pozitiv, por nuk dihet nëse ishte e saktë, sepse brenda një periudhë të shkurtër kohore 3-4 ditësh në dy testet e tjera rezultoi negativ, ne nuk kemi pasur raste të tjera të identifikuar me Covid-19. Nuk kemi pasur pengesa, kemi pasur bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet shtetërore për ta vazhduar dhe për ta përfunduar këtë garë.

Unë dhe i gjithë komuniteti i futbollit në Shqipëri mendojmë se mund të rikthejmë edhe spektatorët në stadium. Dua t’ju marr shembull një ndeshje, ku isha vetë i pranishëm, ndeshja Teuta-Tirana në Durrës. Të dy grupimet e tifozëve ishin jashtë stadiumit, mbështesnin skuadrat e tyre nga jashtë rrethimit, duke brohoritur aq shumë sa dëgjohej gjithçka brenda në stadium, por nuk ishin të lejuar që të hynin brenda.

Kështu që unë e ftoj dhe i bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë, ta rishohë edhe një herë këtë vendim, që të mund të lejojë praninë e spektatorëve në stadiume në kapacitete të reduktuara, mbase me 50% të stadiumit ose më pak. Për këtë ju rikujtoj që edhe vendet e tjera, madje edhe fqinjët tanë si Mali i Zi, Serbia, Kroacia, po vazhdojnë aktivitetet në praninë e spektatorëve.

Pra, duket thuajse e pamundur që tifozët shqiptarë t’i mbajmë larg skuadrave dhe larg futbollit. Por për të folur për kampionatin dhe Kategorinë Superiore, kemi Tiranën dhe Kukësin që vazhdojnë deri në fund luftën për titull. Sipas jush, cila nga këto skuadra mund ta ngrejë trofeun e kampionit në fund?

Gara për kampionatin më duket diçka më ndryshe se sa gara për kupën. Tirana duket shumë më afër trofeut, gati me një dorë te titulli. Duhet që Kukësi të bëjë surpriza të mëdha, të mos bëjë asnjë gabim dhe Tirana të bëjë shumë gabime për ta përmbysur këtë diferencë. Kështu që Tirana, edhe pse jo matematikisht, duket si një kampion i mundshëm i Shqipërisë i këtij viti.

Po për skuadrat që do të shkojnë në Europë, pasi pati ndryshime në sistemin që do të ketë play-off-i për në Champions apo Europa League, a mendoni se jemi të avantazhuar, duke qenë se do të luhet me vetëm nga një ndeshje? Do të kenë më shumë shanse ekipet tona për të shkuar edhe më larg, për të pretenduar edhe më shumë në Europë për sezonin tjetër?

Ndryshimi i sistemit me një apo me dy ndeshje nuk mendoj se i jep ndonjë shans të madh, sepse sipas atij protokolli të parashikuar ndeshjet do të zhvillohen në atë vend ku kushtet do të jenë më të mira dhe më të pranueshme, duke iu përshtatur kushteve të karantinimit për shkak të Covid-19. Kështu që ekipet shqiptare mund të luajnë në Shqipëri ose jashtë vendit, duke parë kundërshtarin dhe duke vlerësuar se ku mund të jetë fusha më e përshtatshme. Ose nëse asnjë nga fushat nuk vlerësohet si e mundshme, sepse duhet të shohim rregullat e komunikimit, të transportit, ku lejohet të zbresin apo jo futbollistët e ekipit mik. Mund të rastisë që të luajmë në një fushë asnjëanëse. Mund të jetë favorizuese ose jo, mund të luajmë në një fushë të huaj ose në fushën tonë.

Meqë përmendëm pak çështjen e parashikimeve, sa i përket Champions League kë shihni si favorit kryesor? Është folur se jeni dashamirës i futbollit italian, kë do të mbështesnit Napolin, Juventusin apo Atalantën?

Tashmë duke patur parasysh që jemi në fund unë nuk jam tifoz i ndonjërës prej këtyre skuadrave, jam pak milanist në përgjithësi, por Milani është jashtë këtij kompeticioni dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse të mbështes Napolin dhe Atalantën. Pse jo një nga këto të jetë edhe fituesi i Champions League, duke qenë se që të dyja kanë në gjirin e tyre futbollistë shqiptarë, Hysajn dhe Gjimshitin.

Elsedi Hysaj fitoi së fundmi Kupën e Italisë, që ishte një tjetër shenjë krenarie për të gjithë futbollin shqiptar…

Gjithashtu edhe Berat Gjimshiti tek Atalanta, i cili po luan shumë mirë dhe po të shohësh edhe ndeshjen e fundit përmbysja e rezultatit ndaj Lacios të bën të mendosh, që nuk është rastësisht as në 1/8-n e finaleve dhe as në pozicionin që ka në kampionatin italian. Është një ekip që vërtetë mund të arrijë shumë më shumë.

Dua t’ju pyes pak rreth futbollit të femrave. Duke ndjekur politikat e UEFA-s, a po merr edhe FSHF hapat e duhur që futbolli i femrave te ne të rritet në nivel europian?

Ky është një nga prioritetet e futbollit shqiptar apo i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe për këtë jo thjesht prioritet në letër, por prioritet me vepra. Ne kemi miratuar edhe një buxhet për të incentivuar këtë futboll, për të nxitur më shumë vajzat që të luajnë futboll. Kemi përcaktuar strategjinë se si duhet ta zhvillojmë këtë futboll.

Dhe e thënë me pak fjalë, në këndvështrimin tonë, e para për zhvillimin e futbollit profesionist duhet që ky futboll të inkuadrohet brenda klubeve dhe për të realizuar këtë ne kemi parashikuar dhe në kriteret e ardhshme të licencimit, që pas dy vitesh një skuadër nuk do të marrë pjesë në kampionatin shqiptar nëse nuk ka një ekip femrash.

Por nga ana tjetër dhe i mbështesim vazjat që luajnë futboll, duke bërë pagesa direkte për futbollistet, për trajnerët, për stafet e tyre, për bazën materiale, uniforma, topa e gjithçka që duhet. Nëse për futbollin e meshkujve FSHF nuk jep pagesa direkte, këtë do ta bëjë për femrat dhe jo vetëm për futbollin profesionist, por edhe për atë amator ne do të mbështesim financiarisht ekipet e shkollave të Shqipërisë, do të paguajmë trajnerët për të krijuar ekipe në shkolla, do të bëjmë kampionatet e shkollave për femra gjithashtu edhe për të gjithë ekipet amatore që do të krijohen në Shqipëri.

Objektivat janë të përcaktuara, qoftë për edicionin 2020-2021 dhe më vonë, por edhe për numrin që ne duhet të arrijmë sa i përket vajzave, që duhet të bëhen futbolliste dhe për nivelin profesional të tyre.

Ky është një vit jubilar për FSHF-në, por që fatkeqësisht përkoi me situatën dhe pandeminë Covid-19. Na thoni pak çfarë planesh keni për të festuar 90-vjetorin e themelimit të FSHF-së?

Siç e thatë, situata e pandemisë nuk e lejoi Federatën Shqiptare të Futbollit që të bënte programin e parashikuar 100%, por gjithsesi qoftë gjatë pandemisë, qoftë edhe më pas ne kemi filluar një lloj aktiviteti. Po rikujtojmë historinë e futbollit shqiptar ndër vite në të gjitha kanalet zyrtare të FSHF-së në internet.

Kemi programuar disa aktivitete dhe tashmë sa më shumë të liberalizohemi nga masat kufizuese do të mund të përcaktojmë edhe datat. Dëshira jonë është që në muajin nëntor ne të bëjmë një aktivitet ndërkombëtar, ku të ftojmë të gjithë drejtues, futbollistë, qoftë edhe të FIFA-s dhe të UEFA-s për të festuar bashkarisht me të gjithë aktorët, klubet, futbollistët dhe trajnerët 90-vjetorin e krijimit të FSHF-së.

Zoti Duka, ju falënderoj për këtë intervistë dhe suksese në punën tuaj të përditshme për të ngritur futbollin shqiptar në nivele sa më të larta.

– Faleminderit dhe ju për intervistën. Faleminderit për mbështetjen dhe për të gjithë pasqyrimin që i bëni futbollit në Shqipëri, që është një kontribut goxha i vyer për zhvillimin e tij.

Artikulli i mëparshëmKryepeshkopi Anastas operohet/ Meta: Krenar për rolin e çmuar të Fortlumturisë së Tij
Artikulli i radhësNa lini të marrim frymë sado pak!