Pandemia e COVID-19 e ka çorientuar biznesin e farmaceutikës, duke krijuar rritje të pazakontë të shitjeve për disa artikuj, por nga ana tjetër janë krijuar stoqe të larta për produktet bazë. Vlerësimi i euros, vështirësitë në transport dhe ndërprerja globale e zinxhirëve të furnizimit kanë rritur kostot e biznesit. Por zgjerimi i barrës së sëmundjeve dhe rritja e kujdesit për shëndetin po rrit perspektivën për biznes në këtë drejtim. Importet e medikamenteve u rritën me 20% vitin e kaluar, teksa të ardhurat nga shitjet e kompanive të mëdha po rriten me ritme dyshifrore
Blerina Hoxha
Pandemia e COVID-19 e zhvendosi vëmendjen e njerëzimit në mbarë globin tek kujdesi mbi shëndetin, si kurrë më parë. Në një pamje të parë u duk se kjo ishte një periudhë lulëzimi për biznesin e farmaceutikës, i cili ishte nga të paktët që nuk ju nënshtrua masave kufizuese, por edhe ky treg, si gjithë linjat e tjera, rrezikon të mbartë humbje për shkak të pandemisë.
Që nga mesi i marsit, kur importuesve iu desh të kryenin furnizime jo të zakonta, u përballën me kosto të larta të transportit, rritje të vlerës së euros, teksa stoqe të mëdha janë krijuar në produktet që konsumohen më së shumti në periudha të zakonshme.
Për shkak se pjesa më e madhe e sistemit shëndetësor u fokusua te pandemia, u kufizuan vizitat ambulatore dhe shërbimet e tjera rutinë, duke bërë që shitjet të bien mbi 50% në të gjithë. Situata pritet të kthehet në normalitet në tremujorin e tretë të vitit, me heqjen e masave kufizuese, por perspektiva paraqitet e mbarë për shkak të rritjes së barrës se sëmundjeve nga plakja e popullsisë dhe nga rritja e vëmendjes ndaj kujdesit shëndetësor.
Merita Sheqi, administratore dhe sipërmarrëse e kompanisë Rejsi Farma, tha se pandemia zhbalancoi kërkesën, e cila u rrit tepërmi për suplemente, pajisje mbrojtëse, si maska dhe doreza, dhe ra ndjeshëm për produktet bazë të farmaceutikës që shërbejmë për trajtimin dhe kurimin e sëmundjeve. Zonja Sheqi tha se, biznesi në këtë periudhë u godit nga rritja e euros, e cila ndikoi edhe më tej marzhin e fitimit. Por, sipas saj, ka një organizim më të mirë të punës nga institucionet që administrojnë çështjet e shëndetit, duke ulur burokracitë në regjistrimin e barnave etj., çka e ka bërë më të lehtë mjedisin e biznesit për tregun e farmaceutikës.
Sipas të dhënave të INSTAT, importet e produkteve farmaceutike shënuan rritje dyshifrore gjatë mars-prill, përkatësisht me 10 dhe 18%, pas një tkurrjeje në dy muajt e parë të vitit. Për 4-mujorin, importet e barnave ranë me 1.3% me bazë vjetore, për shkak të tkurrjes së tyre në janar dhe shkurt (shih grafikun).
Në muajin mars u importuan 2,1 miliardë lekë produkte farmaceutike me një rritje 10,4 % në raport me muajin mars 2019, ndërsa në prill u importuan 2,2 miliardë lekë, me një rritje 18,2 % në krahasim me të njëjtën periudhe të viti më parë.
Përfaqësues të distributorëve më të mëdhenj farmaceutikë pohojnë se kjo rritje ka ardhur pasi kompanitë, në situatën e paqartë të krijuar nga Covid-19, në mars dhe në prill importuan sasi të mëdha barnash, për të evituar mungesën e ilaçeve në treg, pasi dhe kërkesa nga farmacitë ishte e lartë në mars, por edhe për të evituar problemet me transportin.
Por, më pas, farmacitë krijuan stoqe, teksa klientët nuk po shkonin të merrnin ilaçet, në mungesë dhe të vizitave nga mjekët. Ndërsa në prill dhe në maj, kërkesa për barna ka qenë relativisht e ulët. Kjo tendencë është konstatuar edhe për spitalet. Pas krijimit të stoqeve të larta në mars e prill, pritet që situata të normalizohet në muajt në vijim.
Importet në rritje, vit pas viti
Importet e produkteve farmaceutike kanë shënuar rritje vit pas viti me ritme dyshifrore. Në vitin 2019 u importuan 6143 tonë produkte farmaceutike, me një rritje 120% në raport me vitin 2018, ndërsa vlera e importeve u rrit me 1,9%. Burime nga kompanitë importuese pohojnë se, vlera e importeve nuk është rritur me të njëjtat proporcione si me sasinë, për shkak se burimet e furnizimit po shkojnë drejt vendeve që ofrojnë çmime më të lira.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2013 deri në vitin 2019, importet e produkteve farmaceutike janë rritur me 67% në sasi dhe 50% në vlerë, me një ritme shumë më të lartë se importet e mallrave të tjerë të konsumit. Por Kliti Hoti, përfaqësues ligjor i Kompanisë Novartis, tha se, pavarësisht se tregu po zgjerohet, Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për frymë për medikamente në raport me Europën dhe ashtu edhe me rajonin. Ai tha se konsumi në Shqipëri është i kufizuar kryesisht në antibiotikë, porse tregu i farmaceutikës operon me mijëra produkte që ndihmojnë në trajtimin e shëndetit.
Pandemia goditi shitjet me rreth 50%, krijohen stoqe problematike
Pandemia pritet të sjellë sfida të reja për biznesin e farmaceutikës në periudhën në vijim. Ani Tushe, menaxhere në kompaninë CFO Pharma, një nga importuesit më të mëdhenj të farmaceutikës, tha se, të ardhurat nga shitjet gjatë periudhës së pandemisë shënuan rënie me gati 50%, për shkak të përqendrimit të kërkesës vetëm në pak artikuj. Sipas saj, kostot e transportit janë rritur për shkak të masave kufizuese të pandemisë, por gjithashtu lajmëroi se fabrikat e prodhimit të medikamenteve po tentojnë të rrisin çmimet për shkak të prishjes së zinxhirëve të furnizimit nga Kina.
Vizitat rutinë, operacionet e programuara dhe diagnozat e reja u pezulluan nga masat kufizuese. Njerëzit shmangën në maksimum shërbimet për shëndetin, përveçse në raste urgjence. Për pasojë, mjekët nuk referuan mjekime, duke i ndikuar për keq shitjet për 70% të produkteve mjekësore.
Tushe tha se janë krijuar stoqe të këqija që janë me skandenca. Ajo tha se ka disa produkte që kanë afate të shkurtra skadence, të cilat nuk janë dhe rrezikojnë të përkthehen në humbje. Nisur nga kjo situatë që krijoi pandemia, importuesit blenë sasi të larta gjatë muajve mars dhe prill jo të zakonshme për periudha normale. Mbifurnizimet, të shoqëruara me rënie të shitjeve, ndikuan në rritjen e stoqeve.
Menaxheri i Norvatis, Kliti Hoti, tha se mungesa e kontrolleve mjekësore ka bërë që të mos përcaktohen diagnoza fillestare. Sëmundjet mund të jenë përkeqësuar për shkak të mungesës së trajtimit, duke rritur trajtimin me medikamente të këtyre personave në të ardhmen. Ai tha se të ardhurat nga shitjet kanë pësuar rënie të paktën me 30% në këtë periudhë.
Mjekët pohojnë se, gjatë muajve të pandemisë, pati një rënie të natyrshme të kërkesave për shërbime mjekësore dhe trajtim me ilaçe. Pneumologu Petrit Malaj tha se kufizimet në lëvizje, për shkak të pandemisë, kanë ndikuar pozitivisht në frenimin e sëmundjeve të tjera. Të sëmurët kronikë, duke qenë më pak të ekspozuar kundrejt virozave, kanë pasur më pak nevojë për trajtime.
Kjo, sipas Malaj, ka qenë e dukshme në mars dhe prill. Mjekët pohojnë se, virozat sezonale përkeqësojnë gjendjen e të sëmurëve me sëmundje të tjera shoqëruese, të cilët për të përballuar gripin e zakonshëm, duhen trajtuar me antibiotikë. Burimet nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza” pohuan se gjatë periudhës së kufizimeve, kërkesat për urgjencë dhe shtrime pësuan rënie më shumë se 60%.
Trendi i ri i shitjeve, drejt vitaminave
Pandemia e COVID-19 ka nxitur konsumin e vitaminave në një mënyrë jo të zakonte. Olsi Çaushi, i cili prej vitesh zotëron një farmaci në Tiranë, tha se këto ditë, shitjet kanë qenë më të mëdha për vitaminat se sa për medikamentet. Sipas tij, ka pasur kërkesë për të gjitha llojet e suplementeve që ndikojnë në rritjen e imunitetit, por kërkesa më e lartë ka shkuar për blerjen e vitaminës, e cila ishte edhe më e rekomanduara nga ekipet mjekësore kudo në botë që u morën me trajtimin e COVID-19.
Farmacistët pohojnë se edhe para pandemisë kishte një tendencë në rritje të konsumit të suplementeve dhe vitaminave. Njerëzit janë bërë më të vëmendshëm ndaj trajtimit shëndetësor dhe po konsumojnë më shumë vitamina. Farmacisti Emil Qirko tha, se pandemia e rriti në mënyrë jo të zakontë shitjen e vitaminave. Ky trend do të vijojë deri sa të gjendet një vaksinë ose një kurë përgjegjëse për koronavirusin.
Importuesit e mëdhenj do të orientohen në këtë periudhë për kërkesën e re, duke shtuar produktet që po shiten më shumë. Kliti Hoti nga Norvatis thotë se, tregu ka hapësira të mëdha për rritje në këtë drejtim.
Kursi i këmbimit dhe transporti rrisin kostot
Importuesit e farmaceutikës u përballën me kosto shtesë gjatë periudhës së pandemisë që u krijuan nga nënçmimi i euros dhe kostot më të larta të transportit. Zonja Sheqi tha se, se gjatë periudhës së pandemisë, kursi i këmbimit u forcua në favor të euros me dy pikë dhe për një javë, Euro shkoi edhe në 130 lekë. Rritja e vlerës së euros në këmbim me lekun ka shkaktuar humbje tek importuesit, pasi qeveria ende nuk e ka ndryshuar kursin me të cilin importohen barnat.
Por periudha e pandemisë goditi ndër të tjera sektorin e transportit, duke kufizuar lëvizjen në rrugë tokësore. Ani Tushe, nga CFO Pharma tha se, gjatë muajve të pandemisë, disa furnizime që më parë bëheshin në rrugë tokësore, u realizuan me avion, duke e shumëfishuar kostot në këtë drejtim. Pavarësisht situatës, tregu është furnizuar normalisht me produkte tha Kliti Hoti nga Novartis.
Prishen zinxhirët globalë të furnizimit, pritet rritje e çmimeve
Pandemia ka çrregulluar zinxhirin global të prodhimit dhe tregtimit të produkteve të farmaceutikës. Ani Tushe tha se, për shumë fabrika në Europë janë kufizuar furnizimet e lëndës së parë nga Kina, duke i vënë ata në vështirësi. Disa nga furnitorët tanë kanë kërkuar rritje të çmimeve, tha zonja Tushe. Kjo tendencë duket se do të vështirësohet më tej, si në të gjithë sektorët e tjerë të furnizimit, për shkak të ndikimit gjeopolitik në marrëdhëniet tregtarë Kinë – Europë.
Fabrikat e prodhimit të medikamenteve në Europë janë duke kaluar një periudhë tranzitore, e cila me gjasë do të ushtrojë presion për rritjen e çmimeve në furnizimet e reja. Rritja e çmimeve ishte e dukshme te produktet mbrojtëse, maskat dhe dorezat gjatë periudhës së pandemisë, për shkak të bllokimit të furnizimeve globale nga Kina. Nisur nga situata e re që krijoi pandemia, Europa do të nxitet të krijojë ciklin e mbyllur të prodhimit të medikamenteve brenda saj.
Depot farmaceutike dhe farmacitë, para një perspektive të mirë për biznes
Tetë kompanitë më të mëdha të importit dhe prodhimit të produkteve farmaceutike në vend iu rritën të ardhurat nga shitjet me 10% në vitin 2018 në raport me një vit më parë. Rritjen më të madhe e pati kompania CFO Pharma. Të ardhurat e raportuara nga shitjet në bilancin e dorëzuar në QK ishin në vlerën e 4,8 miliardë lekëve më 2018, me një rritje 16% në raport me 2017.
Pozitat e CFO në treg u forcuan pas vitit 2016, me blerjen e operatorit Omega Pharma. Kompania e dytë më e madhe në vend e farmaceutikës, Rejsi Farma arkëtoi 3,8 miliardë lekë nga shitjet më 2018, me një rritje vjetore 7,5%. Operatori i tretë më i madh, Delta Pharma, gjithashtu arkëtoi 3,3 miliardë lekë nga shitjet me rritje vjetore 11%. Rritja ishte e ngjashme edhe për operatorët e tjerë të tregut.
Zgjerimi i tregut të farmaceutikës konfirmohet edhe nga importet në rritje. Në vitin 2019, sasia e produkteve të importuara u rrit me 20%, ndërsa në vlerë, rritja ishte 2%. Importuesit kanë rritur sasinë e importeve, por jo shpenzimet për blerjen e tyre, pasi furnizimet po transferohen gjithnjë e më shumë drejt Turqisë, e cila ofron alternativa më të larta të antibiotikëve.
Mjekët pohojnë se tregu po vuan pasojat e medikamenteve jocilësore të nxitura nga politikat e rimbursimit. Për rrjedhojë, qytetarët paguajnë më shumë, pasi duke blerë dy-tre herë ilaçet për një kurë, harxhojnë më shumë se më parë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt.
Farmacistët pohojnë gjithashtu se, numri i personave që po bëhen rezistentë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje merr më shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave. Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur, nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24% të rasteve pa recetë mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre. Në Shqipëri është i dukshëm dhe konsumi i barnave pa recetë, sidomos antibiotikëve.
Shqiptarët rrisin shpenzimet për shëndetin
Në vitin 2018, shqiptarët kanë rritur shpenzimet për shëndetin, duke vërtetuar se barra e sëmundjeve po ndikon edhe në strukturën e buxhetit të familjeve. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, shpenzimet për shëndet u rritën nga 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjes në 4.2% të totalit. Edhe për vitin 2018, Qarku i Fierit mbante rekord në këto shpenzime, ku rreth 6% të totalit shkonin për shëndetin. Në krahasim me një vit më parë, fierakët rritën shpenzimet me 0.9 pikë përqindje.
Pas Fierit, shpenzimet më të larta janë regjistruar në Kukës dhe Shkodër, me përkatësisht 5.2% dhe 4.9%. Në Qarkun e Kukësit, shpenzimet ndaj shëndetit janë rritur më shumë se dyfish. Kjo ishte rritja më e madhe për vitin 2018. Në anën tjetër, shpenzimet më të ulëta për shëndetin kanë qenë në Qarkun e Elbasanit. Sipas të dhënave të publikuara nga Anketa e Buxhetit të Familjes, një familje nga Elbasani shpenzon mesatarisht për shëndetin 3.1% të totalit të shpenzimeve. Shpenzimet kanë qenë të ulëta edhe në Qarkun e Korçës dhe Durrësit, ku kishin të njëjtën peshë prej 3.5%. Me një diferencë të vogël, edhe shpenzimet në Vlorë dhe Lezhë ishin sa 3.6% e totalit, ndjekur nga Dibra me një peshë prej 3.7%.
Barra e sëmundjeve dhe plakja e popullsisë po nxisin konsumin
Kliti Hoti pohon se tregu po shfaq kërkesë në rritje për medikamentet e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerogjene, të hipertensionit, diabetit dhe sëmundjeve pulmonare. Burimet në QSUT pohojnë se, në krahasim me 2010 janë trefishuar rastet e reja në pavijonin e kardiokirurgjisë, shpesh në mbi 350 raste në ditë, ndërsa në onkologjik, vitin e kaluar u raportuan mbi 6000 raste të reja të evidentuara me sëmundjet malinje.
Një faktor tjetër themelor që po rrit konsumin e medikamenteve është ndryshimi i strukturës së popullsisë, në favor të moshave të vjetra dhe ndërgjegjësimi për marrje diagnoze në mosha më të reja. Doktor Ajet Braho thotë se jetëgjatësia ka rritur numrin e personave mbi 60 vjeç dhe, nga ana tjetër, ka shtrirë trajtimin në kohë të një personi. Ai thotë se moshat mbi 60 vjeç zakonisht kanë më shumë se një diagnozë dhe përgjithësisht janë të sëmurë kronikë. Kjo kategori, thotë ai, merr më shumë medikamente.
Shqiptarët mbi 60 vjeç janë gati 100 mijë më të shumtë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Zgjerimi i tregut farmaceutik evidenton dy faktorë bazë, rritjen e sëmundshmërisë, sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerogjene dhe uljen e çmimeve të medikamenteve. Rritja e konsumit të medikamenteve është nxitur nga politikat e qeverisë për uljen e barrës fiskale nëpërmjet heqjes së TVSH-së dhe zgjerimin e listës së barnave me rimbursim.
Tregu i medikamenteve, 9% prodhimi vendas, 91% importi
Prodhimi vendas i medikamenteve zë afërsisht 10% të tregut të medikamenteve. Më 2018, importi i barnave arriti një vlerë rreth 24 miliardë lekë, ndërsa shitjet e Profarmës në të njëjtin vit ishin afërsisht 2.1 miliardë lekë, sipas të dhënave nga kompania.
Administratorja e Rejsi Farma, Merita Sheqi, importuesi më i madh në vend i medikamenteve pohon se, rritja e importeve po nxitet nga rritja e jetëgjatësisë, sëmundshmërisë dhe polarizimi i shoqërisë. Ajo tha se rritjet më të mëdha i kanë barnat që lidhen me sëmundjet e qarkullimit të gjakut, ato kardiake dhe të tumoreve, dhe shton se është rritur dukshëm përdorimi i antibiotikëve.
Ekspertët e tregut pohojnë se vitet e fundit, importi në rritje e medikamenteve po nxitet edhe nga politikat e rimbursimit të qeverisë. Kjo për shkak se, se si alternativë e parë përcaktohen prodhimet e Profarmës, teksa kjo nxit që alternativat e tjera të importohen me çmime të lira sidomos nga Turqia.
Sëmundjet që po vrasin shqiptarët
Sëmundjet kardiovaskulare, endokrine dhe neoplazmat (malinjet) po rriten me shpejtësi gjatë dekadave të tranzicionit. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, vdekjet nga grup-sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë 53,4% të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 410,0 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës, ka një rritje prej 0,9%.
Brenda grup-sëmundjes të “Aparatit të qarkullimit të gjakut” përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “sëmundjet kronike të zemrës” me 29,4%, “sëmundjeve të enëve të trurit” me 28,9% dhe “sëmundjet ishemike të zemrës” me 23,9%. Vdekjet nga grup-sëmundja “Tumore” zënë 16,3% të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i tretë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara (nga sëmundjet).
Niveli i vdekshmërisë për këtë grup sëmundjesh është 125,5 për 100 mijë banorë dhe ka një ulje prej 3,0%, krahasuar me vitin 2018. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi i “tumore të aparatit të tretjes”, me 34,2% dhe “tumore të aparatit të frymëmarrjes” me 25,9%.
Znj. Sheqi nga Rejsi Farma konfirmoi se është rritur kërkesa e medikamenteve që trajtojnë sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, tumoreve dhe diabetit. Ajo e konsideroi një lajm të mirë sjelljen në Shqipëri të medikamenteve të fundit që trajtojnë sëmundjet kancerogjene, duke ofruar më shumë mundësi për të sëmurët./monitor.al