Ritmi i pandemisë vazhdon të rritet në pjesën më të madhe të botës. Por vendet mund të marrin mjaft masa për ta frenuar
Si mund të parandalohet rritja e numrit të rasteve të reja? Si mund të rihapen bizneset në epokën e distancimit social? Si mund të rimëkëmben ekonomitë e dëmtuara? Këto janë pyetjet që shqetësojnë pjesën më të madhe të vendeve të pasura, ku vala e parë e COVID-19, duket se po venitet, shkruan The Economist.
Por në pjesën tjetër të botës, pandemia nuk ka arritur ende pikun. Brazili po regjistron rreth 25,000 raste të reja në ditë, më shumë se Shtetet e Bashkuara. Rusia dhe India nuk mbeten mbrapa, me rreth 8,000 raste në ditë. Në tërësi, vendet e varfra përbëjnë tre të katërtat e rreth 100,000 rasteve të reja që regjistrohen çdo ditë në botë.
Këto shifra janë alarmuese, sidomos për shkak se janë shumë më të ulëta se niveli real. Vendet më të varfra kanë tendencën të kryejnë më pak teste sesa vendet më të pasura, kështu që shumë infeksione dhe vdekje nuk numërohen.
Testime të rastësishme në qytetin pakistanez Lahore treguan se numërimi zyrtar regjistron vetëm një në 25 raste. Shumë qeveri nuk kanë dëshirë të tregojnë se sa shpejt po përparon virusi nën drejtimin e tyre. Rusia fillimisht pretendoi se rreth 800 moskovitë vdiqën nga sëmundja në prill, por numri i vdekjeve në qytet ishte tre herë më i lartë se aq.
Dhe disa vende janë shumë kaotike dhe të dhunshme për të pasur një qeveri funksionale. Këtë javë, OKB-ja dha alarmin për Jemenin, ku koronavirusi duket se po përhapet në mënyrë të pakontrolluar në të gjithë territorin që kontestohet nga dy qeveritë kundërshtare në vend.
Në vendet më shqetësuese, shumë njerëz mezi arrijnë të fitojnë bukën e gojës. Edhe qeveritë e tyre nuk kanë shumë para. Kjo i ka shtyrë autoritetet të lehtësojnë kufizimet për ngadalësimin e përhapjes së sëmundjes, në mënyrë që të shpëtojnë qytetarët e tyre nga shkatërrimi. India, për shembull, i dha fund karantinës më 1 qershor, pikërisht në një kohë kur numri i infeksioneve të përditshme shënoi një rekord të ri. Meksika ka deklaruar se do të hapet për turizëm më 8 qershor. Dhe bizneseve jo thelbësore u është lejuar të rihapen në Rio de Janeiro, qyteti i dytë më i madh në Brazil.
Kur shpërthimet e sëmundjes janë aq të mëdha sa mbingarkojnë sistemet e kujdesit shëndetësor, vdekjet rriten, pasi edhe rastet që mund t’i përgjigjen trajtimit bëhen vdekjeprurëse. Vendet e varfra kanë më pak spitale dhe mjekë dhe më pak pajisje të nevojshme, nga aspiratorët deri tek dorezat dhe veshjet e spitalit. Kjo mund të çojë në skena tmerruese si ato të dëshmuara në Guayaquil, Ekuador, në prill, kur mbaruan arkivolet dhe kufomat u braktisën në rrugë.
Çfarë mund të bëjnë vendet e varfra
Edhe vendet e varfra mund të bëjnë shumë për të shmangur një rezultat të tillë. Siç është vënë re, karantinat e zgjatura, kanë tendencën të jenë të vështira për t’u zbatuar dhe shoqërohen me një kosto katastrofike për ekonominë dhe shëndetin e përgjithshëm të njerëzve. Por fushatat themelore të shëndetit publik, idealisht në duart e këshillave të fshatit, klinikave parësore të kujdesit shëndetësor e kështu me radhë, mund të promovojnë praktika si larja e duarve, veshja e maskave për fytyrën dhe distancimi social.
Ata mund të organizojnë izolim për personat me simptoma dhe të ushtrojnë presion për nevoja themelore si uji i pastër. Edhe në vendet ku është e vështirë të boshatisen rrugët, qeveritë mund të ndalojnë tubime të mëdha në hapësira të kufizuara, qofshin ato stadiume sportive ose kisha. Dhe si “ngushëllim i ftohtë”, pasi të bëhet e qartë në çdo vend se sa vdekjeprurëse është një përhapje e pakontrolluar, instinkti i vetëruajtjes do t’i nxisë njerëzit të izolohen, duke ngadalësuar përparimin e COVID-19.
Vendet më të pasura mund të bëjnë shumë për të ndihmuar. Disa vende të goditura do të kenë nevojë për furnizime të thjeshta si komplete testimi dhe pajisje mbrojtëse. Të tjerët do të kenë nevojë për lehtësim të borxhit dhe për para, për të luftuar sëmundjen. Ndihma humanitare për vendet e shkatërruara nga lufta dhe refugjatët që ata krijojnë, është edhe më urgjente se zakonisht.
Edhe më mirë, qeveritë që mbështesin palë kundërshtare në luftëra civile në vende si Afganistani dhe Jemeni, mund të nxisin përfaqësuesit e tyre të deklarojnë armëpushime të përkohshme, për të ofruar ndihmë për rajonet e prekura. Përhapjet e koronavirusit janë mjaft vdekjeprurëse, edhe pa mjerimin e shtuar të armëve dhe bombave./monitor.al