I akuzuar për vrasjen në Laç, zbardhet dëshmia e Eduart Lamajt: Unë sigurova kapuçat dhe jelekët ‘policia’. Qëllova pasi më plagosën.

0

“News24” zbardh dosjen e Prokurorisë për Eduart Lamajn, autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë më 30 maj të dy biznesmenëve Bujar Lika (Hasani) dhe Paulin Gjergji Marku, në Laç.

Lamaj shpjegon dinamikën e asaj dite, takimin e tij me 3 miqtë dhe hakmarrjen ndaj shtetasit Arjan Allamani, që sipas tij kishte një konflikt të vjetër që në 2007, për një sasi parash. Lama deklaron se qëllimi i tij ishte që të shkonin tek lokali i shtetasit Arjan Allamani, që t’ia largonin klientët dhe t’i shkaterronin lokalin.

“Më 30 maj, në orën 08.30 kam qenë në shtëpinë time, në lagjen nr.4 në Laç. Kam marrë në telefon një shokun tim të quajtur Klaudjo (identifikuar me vonë si Klaudjo Pepkolaj) dhe Olsi Vlashin, për t’u takuar. Në vendin ku lamë takimin erdhi dhe një shok tjetër, që ka shtëpinë afër nesh, Ilir Lika. Të katërt hipëm në automjetin tim, Golf 5, me ngjyrë të zezë, që e kam regjistruar në emër të Klaudios dhe bëmë një xhiro. Më pas, më dërguan në shtëpi, ku mora dy kapuça, material leshi dhe përgatita jelekët me mbishkrimin ‘Policia’. Iu kërkova të shkonim tek lokali i shtetasit Arjan Allamani e t’i largonim klientët e t’i shkatërronim lokalin. Me Allamanin kisha konflikt që në 2007, në Itali, pasi Allamani më vodhi 3000-4000 euro”, ka deklaruar Lamaj në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala.

Pasi janë kamufluar, janë nisur në drejtim të lokalit të Allamanit. Lamaj kishte me vete automatik dhe Lika pistoletë, ndërsa Oltion Vlashi dhe Klaudio nuk ishin të armatosur. Nga jashtë lokalit, kanë parë se brenda ndodhej kamerieri. Janë drejtuar tek parkingu dhe aty kanë gjetur një automjetet tjetër me drita ndezur dhe njerëz brenda. Lamaj ka marrë automatikun dhe ka hyrë në lokal.

“Jam futur brenda dhe kam kërkuar me sy kamerierin. Në atë moment kam dëgjuar të shtëna me armë zjarri në drejtimin tim. Tentova të largohem, por isha plagosur në këmbën e majtë. Kam rënë përtokë dhe kam qëlluar me armën që kisha me vete. Nuk kam qëlluar gjatë kohës që isha në këmbë, vetëm në momentin kur u rrëzova. Nuk kam parë nëse kishte persona në lokal, por vetëm flakët e shkrepjes se një arme zjarri. Pasi mbaruan krismat, kam kërkuar ndihmë pasi nuk lëvizja dot. Në atë moment erdhi Ilir Lika”, ka thënë Lamaj.

Ilir Lika ka tërhequr zvarrë Lamajn deri te makina, ku e ka futur në sediljen e pasme dhe e ka larguar nga aty. Në makinë kanë marrë edhe automatikun me të cilin qëlloi Lamaj. Pasi kanë lënë Lamajn në shtëpi, janë larguar me mjetin dhe automatikun në drejtim të paditur.

“Pasi shkova në shtëpi, familjarëve të mi iu thashë se jam vetëplagosur me armë zjarri dhe iu kërkova të mos më çonin në spital pasi mund të përfundoja në burg. Iu kërkova të m’i digjnin rrobat dhe që në atë moment kam qëndruar vetëm në shtëpi. Në darke kam parë në televizor se në lokalin ku ndodhi ngjarja ishin vrarë dy persona”, ka thënë më tej Lamaj.

Gjykata e ka lënë në burg Eduart Lamajn, si autor i atentatit në Laç, ku mbetën të vrarë dy biznesmenët Bujar Lika dhe Paulin Gjergji Markaj.

Artikulli i mëparshëmOBSH për koronavirusin: Më e keqja nuk ka ardhur akoma, jemi larg fundit të pandemisë
Artikulli i radhësI shtruar prej 10 ditësh në gjendje të rëndë, ndërron jetë nga koronavirusi 69-vjeçari nga Shkodra në Infektiv