Sipas informacioneve mësohet se Këshilli Politik ka zhvilluar mbledhjen e fundit mbrëmjen e djeshme dhe janë bërë disa ndryshime të tjera në draftin e dakordësuar më herët.
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe anëtari i maxhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, ka dorëzuar sot në Kuvend draftin final të marrëveshjes së arritur me opozitën. Sipas informacioneve mësohet se Këshilli Politik ka zhvilluar mbledhjen e fundit mbrëmjen e djeshme dhe janë bërë disa ndryshime të tjera në draftin e dakordësuar më herët.
Në realcionit shpjegues së dorëzuar bashkë me projektligjin e ri, bëhet me dije se ndryshimet janë dakordësuar në Këshillin Politik për reformimin e bazës ligjore për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Palët politike pjesëmarrëse në Këshillin Politik kanë rënë dakort për të vijuar edhe fazën e dytë të reformimit të legjislacionit zgjedhor dhe ligjeve të tjera të lidhura me të, duke përcaktuar edhe modalitetet e realizimit të një detyrë të tillë. Për këtë gjë është rënë dakort që puna, mbi bazën e konseusit më të gjerë të spektrit politik në vend, të vijojë me hartimin e një ligji të ri zgjedhor, që do të reflektojë plotësisht rekomandimet e dhëna ndër vite nga OSCE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri”, shkruhet më tej.
Më tej në relacion shpjegohet se ky proces do të plotësohet edhe nga nisma të tjera legjislative që janë po aq të nevojshme në Shqipëri si psh ligji i ri “Për partitë politike” dhe ligji i ri “Për financimin dhe kontrollin e financimit të partive politike”. Ndryshimet e paraqitura në Kodin Zgjedhor forcojnë më tej çështjen e zbatimit të kuotës gjinore në Kuvend dhe këshillat zgjedhore nëpërmjet garantimit me mekanizma detyrues efikas më të fortë për zbatim.
PJESË NGA RELACIONI
Një prej ndryshimeve thelbësore në këtë Kod është riformatimi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, i cili është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, dhe që drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e adminstratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore, si dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor.
Organet drejtuese të KQZ-së që parashikon projektligji janë: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Komisioni Rregullator (Rregullatori) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Rregullatori funksionon me kohë të pjesshme. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. KAS-i funksionon me kohë të pjesshme.
Për të tre këto struktura janë paraqitur në detaje mënyra e zgjedhjes së tyre nga Kuvendi dhe komptencat që ata ushtrojnë. Veprimtaria e KQZ-së, organeve drejtuese dhe e administratës, udhëhiqet nga Kodi Zgjedhor dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, si dhe nga ligji Nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”. Për herë të parë në tekstin e një Kodi Zgjedhor, pavarësisht se është një temë e diskutuar gjatë në publik, vendosen dispozita normative që kanë të bëjne me votimin nga jashtë të shtetasve shqiptarë. Hartimi i tyre është bërë i tillë që të mundësojë fleksibilitet dhe përshtatshmëri për KQZ-në dhe strukturat përbërëse të saj të detajojnë praktikën, procedurën dhe mënyrën e votimit nga jahstë, ndërkohë që Kodi Zgjedhor parashikon çështjet themelore të këtij votimi.
Gjithashtu, mbi bazën e dakortësisë politike është bërë ndryshimi i periudhës zgjedhore në të cilën mund të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore në Shqipëri. Me anë të ndryshimeve në Kod ligjërisht hapet rruga dhe mundësohet që në zgjedhjet më të afërta të përdoret teknolgjia në zgjedhje. Kodi parashikon që në zgjedhjet e ardhshme do të bëhet identifikimi elektronik i zgjedhësve në qendrën e votimit në të gjithë Shqipërinë dhe krijon hapësirën e nevojshme që KQZ të mund të ndërmarrë edhe projekte pilot për cështjet e votimit dhe numërimit elektorinik. Kodi parashikon postin e Nënkomisionerit të zgjedhjeve si një funksion i dedikuar plotësisht përgatitjes së paketës së akteve nënligjore për këtë qëllim dhe më pas zbatimit të saj në praktikë për zgjedhjet e radhës.
DAKORDËSIMET E ARRITURA NË KËSHILLIN POLITIK
Në bazë të drafit të arritur në Këshillin Politik, maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për shumë nga pikat që janë diskutuar në muajt e fundit. Sipas drafit të dorëzuar në Kuvend nga Gjiknuri bëhet me dije se është arritur konsensusi për:
Kuotat gjinore, ku gratë do të kenë jo më pak se 30% përfaqësim; identifikimin elektronik, ku të gjithë zgjedhësit do të identifikohen në bazë të pajisjeve elektronike; shpenzimin në fushata, ku thuhet se subjektet zgjedhore përfitojnë financime publike dhe jopublike në mbështetje të fushatës së tyre, sipas dispozitave ligjore përkatëse; ndalimin e votimit familjar, i cili do të dënohet në bazë të ligjit; rolin e Policisë së Shtetit, e cila do të garantojë paanshmëri të plotë ndaj subjekteve zgjedhore.
Koha zgjedhore, zgjedhjet do të zhvillohet mes prillit dhe majit, ose tetorit dhe nëntorit; krijimi i KQZ0s së re, e cila do të ketë organet drejtuese të saj janë: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Votimi i Diasporës: KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë. KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit
Kolegji zgjedhor: Kolegji Zgjedhor Gjyqësor përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nga rradhët e gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses, me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, sipas ligjit nr. 84/2016, nga gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit të Republikës së Shqipërisë, gjykatat administrative të shkallës së parë dhe Gjykata Administrative e Apelit Tiranë. Përjashtohen nga shorti gjyqtarët e Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.