Ambasadori gjerman, Zingraf ka komentuar marrjen e Presidencës 6-mujore të BE nga vendi i tij si dhe objektivat e saj.
Peter Zingraf thotë se prioriteti i Presidencës gjermane do të jetë pikërisht situata me COVID-19. Do të krijohet një Fond Ringritje ekonomike sipas tij për të zbutur pasojat nga kriza.
Por nga ndihma nuk do të përjashtohet Shqipëria. Zingraf thotë se BE do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë sa i përket zbutjes së pasojave.
Zingraf shpeh gëzimin që Presidenca gjermane ka qëlluar fill pas vendimit të Këshillit Europian për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Po ai kujton 15 kushtet, dhe shpreson që institucionet shqiptare të përkushtohen që të plotësojnë ato që duhen për t’u ulur në Konferencën Ndërqeveritare me BE-në.
“Sot me 1 korrik Gjermania merr përsipër për një periudhë 6 mujrore kryesinë e radhës së Këshillit Europian.
Në rolin e motorrit dhe moderatorit ne dëshirojmë që së bashku me institucionet Europiane dhe shtetet e tjera anëtare të forcojmë Europën dhe ta përçojmë përpara atë. Tema qëndrore e presidencës sonë do të jetë përballimi i krizës së virusit korona. Kancelarja Federale ka thënë që kjo krizë është sfida më e madhe e Europës që prej fillimit të historisë së saj objektivi ynë në këtë kontekts duhet të jetë për ta nxjerrë Europën prej kësaj krize më të pavarur dhe me solidare.
Vetëm duke vepruar bashkarisht në mënyrë të koordinuar dhe të vendosur do të mund të ulin pasojat sociale dhe ekonomike të krizës. Pikërisht në këtë kohë të vështirë, Europa duhet të qëndrojë e bashkuar. Një Bashkim Europian i fortë është në interes të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
BE dhe shtete e tjera anëtare e kanë mbështetur tanimë Shqipërinë dhe rajonin në përballimin e krizës, ndër të tjera përmes dërgimit masiv të instrumenteve mjekësore ndihmëse apo përmes mbështetjes së grupeve vulnerable. Por ne do të vazhdojë që të mbështesin Shqipërinë dhe rajonin edhe në terma afatgjatë në funskion të zbutjes së pasojave ekonomike dhe sociale.
Por presidenca jonë nuk do jetë vetëm presidenca e koronës. Bashkimin Europian e presin shumë detyra për zgjedhjen e të cilave Presidenca Gjermane dëshiron të japë një kontribut vendimtar.
Kështu ne do të përmbyllim jo vetëm krijimin e Fondit të Ringritjes prej koronës, por edhe planifikimin buxhetor afatgjatë të BE-së. E përtej kësaj, ne duam të formësojmë më tej Europën dhe megjithatë krizën e koronës dëshirojmë të hedhim piketa qëndrore për kontinentin tonë, qoftë për konsolidimin e pavarësisë digjitale dhe teknologjike, qoftë në dakordësimin e objektivave ambicioze në mbrojtje të klimës, qoftë edhe në funksion të përforcimit të vlerave bazë, sikundër është shteti ligjor edhe brenda vetë unionit.
Pjesë e të ardhmes së Europës është edhe perspektiva europiane e Shqipërisë dhe rajonit. Dhe ne dëshirojmë të nxisim më tej këtë perspektivë në kuadër të presidencës sonë si motorr dhe moderator i saj. Më gëzon fakti që presidenca jonë ka qëlluar të jetë pas marrjës së vendimit nga ana e Këshillit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Kushtet e formuluara formalisht, të cilat ishin të parapërcaktuara edhe në vendimin e Bundestagut janë cilësuar në vend si një udhërrëfyes për kalendarin shqiptar të reformave.
Unë uroj shumë që institucionet shqiptare t’i vënë vetes objektiva ambicioze në zbatimin e këtyre reformave. Në mënyrë të veçantë kushtet, që duhet të përmbushen përpara Konferencës së Parë të anëtarësimit, janë thelbësore për vendin dhe do të duhej të ishin të zbatueshme në një periudhë të afërt kohore.
Gjatë Presidencës së Këshillit Gjermani do të jetë në krah të Shqipërisë me fjalë dhe vepra. Pres me gëzim gjashtë muaj intensivë.”- tha Zingraf.