Ish-deputeti Arben Malaj reagon pas nismës së Rames për të rindërtuar rrugët në vend përmes koncesioneve.
Malaj del kundër skemës së propozuar nga Rama që modernizimi i infrastrukturës të bëhet me me Partneritete Publike Private.
‘Ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së prapambetur të vendit tonë vetëm me 4P është modeli që do të prodhojë krizë të rëndë të borxhit publik, prandaj duhet ndalur tani dhe jo më vonë’,- thotë ai.
Reagimi i plotë i Arben Malajt:
Ky mentalitet qeverisës mund ta mbysë vendin me borxhe. Modernizimi i infrastrukturës së prapambetur shqiptare vetëm me Partneritete Publike Private Preferenciale (4P), është model që do të prodhojë krizë të rëndë të borxhit publik, prandaj duhet ndalur tani dhe jo më vonë.
4P të pa studiuara me përgjegjshmëri profesionale e ligjore dhe ky mentalitet qeverisës mund ta mbysin vendin me borxhe. Të dështosh të thithesh fonde nga donatorët dhe të krenohesh se do të ndërtosh me forcat e veta / me taksat e shqiptarëve infrastrukturën e vendit – është jo vetëm një dështim por edhe një risk i madh për nivelet e borxhit publik dhe barrën e rëndë të tij.
Konferenca e Berlinit qartësoi thelbin e projekteve që do të mbështeste, ato duhet të kishin një impakt ekonomiko-social në më shumë se një vend.
Korridori blu është një projekt i tillë dhe duhet të jetë prioritar në negociatat me BE-në duke synuar që një pjesë e investimeve të ishte grant/falas dhe një pjesë kredi mundësisht të buta që do të vinin nga Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe një pjesë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Rama duhet të qartësojë pse aftësia thithëse e qeverisë Rama e këtyre financimeve në kuadër të Berlinit rezulton më e dobët se e vendeve të tjera. E dyta po të shikojmë ecurinë e vendeve të varfëra të Europës, ato e kanë ndërtuar infrastrukturën e tyre me financime të BE-së.
Është e vërtetë se jo të gjithë kanë qenë grante, por një pjesë e konsiderueshme kanë qenë falas dhe pjesa tjetër kredi e butë.
Kohët e fundit donatorë të ndryshëm kanë shprehur shqetësime për projekte të vonuara ku risku i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit ka qenë i lartë dhe konkret.
Shqiptarët nuk duhet të paguajnë dështimin e qeverisë Rama.
FMN ka kërkuar që të ndalen projektet me PPP se qeveria shqiptare nuk ka kapacitete profesionale për të bërë analiza të thelluara për efektet e tyre pozitive apo për të identifikuar risqet potenciale mbi stabilitetin e financave publike.
Ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës së prapambetur të vendit tonë vetëm me 4P është modeli që do të prodhojë krizë të rëndë të borxhit publik, prandaj duhet ndalur tani dhe jo më vonë.
Arbeni