
Thumana, zona e goditur më rëndë nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit në jetë njërëzish dhe dëme, bashkëjeton edhe sot me rrënojat dhe mbetjet inerte, ndonëse ka kaluar më shumë se gjysmë viti nga fatkeqësia natyore.
Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj tha më 8 prill se pastrimi i plotë i zonës do bëhej për 6 ditë. “Faktoje” ishte në Thumanë, 2 muaj pas afatit të premtuar, por realiteti ishte zhgënjyes.
Më 8 prill, kohë kur ishin në fuqi masat shtrënguese për shkak të pandemisë së COVID-19, kryeministri Rama shkoi në Thumanë dhe siguroi banorët për vijimin e procesit të rindërtimit. Ndër problematikat e cekura ishte edhe pastrimi i zonës, në atë kohë e mbushur me mbetjet inerte të ndërtesave të shembura. Në bashkëbisedimin e tij me kryeministrin, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj garantoi pastrimin e tyre brenda më pak se një jave.
“Këtë zonën këtu për 6 ditë e pastrojmë komplet” – tha ai.
Gazetari Joel Çela i “Faktoje” shkoi në Thumanë një muaj më vonë, më 7 maj, për të parë si ishte situata në këtë njësi administrative. Inertet nuk ishin pastruar dhe nuk vumë re ndonjë njësi të angazhuar në terren për t’i zhvendosur.
Mbetje inerte, 7 maj 2020





Më 4 qershor, kryetari i Partisë Demokratike, zoti Lulzim Basha, e risolli në vëmendje këtë problematikë. Në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, ai ballafaqoi deklaratën e datës 8 prill të ministrit Ahmetaj me situatën e asaj dite në Thumanë, ku sipas tij mbetjet inerte vazhdonin të ishin të palëvizura.
Pamje e marrë nga video e publikuar nga zoti Basha
Më 17 qershor, rreth dy muaj e gjysmë pas skadimit të afatit të vendosur nga ministri Ahmetaj, “Faktoje” shkoi sërish në Thumanë për të parë se çfarë kishte ndryshuar me situatën e mbetjeve inerte.
Fotot e shkrepura e kanë të tepërt komentin.
Mbetje inerte, 17 qershor 2020

Mbetje inerte, 17 qershor 2020



Më 20 qershor, sipas deklaratës së ministrit Ahmetaj, të gjitha zonat e dëmtuara do të ktheheshin në kantiere ndërtimi, por Thumana sot ka thuajse të njëjtën pamje me ditët e para pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Banorët, të cilëve iu premtua se do hynin shumë shpejt në banesat e reja, 7 muaj pas fatkeqësisë vazhdojnë të bashkëjetojnë me këtë realitet tronditës.
JOEL ÇELA