Publikohet videoja e operacionit të zhvilluar sot në në Durrës ku u arrestuan në flagrancë 5 shtetas.
Në videon e policisë duket momenti kur ndalohen disa prej trafikantëve. Policia i neutralizon duke i shtrirë në tokë në aksin rrugor Kavajë-Durrës, në segmentin e quajtur “Plepat”.
Kujtojmë që në cilësinë e provës materiale gjatë finalizimit të operacionit u sekuestruan 20 kg lëndë e dyshuar marijuanë, një sasi kokaine (180 gr), ekstazi, fara kanabisi për kultivim, 5 aparate celularë dhe 2 automjete.
Aktualitet.al ka mundur të zbardhë edhe emrat e të arrestuarve në operacionin e policisë. Ata janë Abedin Llajaj 33 vjeç nga Vlora (banues në Tiranë), Aleks Mecorapaj 47 vjeç nga Vlora, Ervin Begaj 38 vjeç nga Tirana, Nertian Lamaj 35 vjeç nga Vlora dhe Ardit Petraj 34 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
Njëri nga mjetet qarkullonte në një distancë rreth 1 km larg nga mjeti tjetër, me qëllim sinjalizmin e personave që ndodheshin në mjetin tjetër që transportonte lëndën narkotike.
Falë veprimeve të shpejta u bë i mundur evidentimi edhe i mjetit tjetër që dyshohej se transportonte lëndën narkotike dhe falë ndërhyrjes profesionale u bë bllokimi në të njëjtën kohë i të dy automjeteve, kapja dhe vënia në pranga e 5 personave.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Golf” që drejtohej nga shtetasi Abedin Llajaj, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 20 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Gjithashtu u sekuestrua edhe automjeti tip “Passat” me drejtues shtetasin Aleks Mecorapaj dhe pasagjerë shtetasit Ervin Begaj, Ardit Petraj dhe Nertian Lamaj, i cili shërbente për të kontrolluar nëse kishte punonjës policie apo pika kontrolli në rrugë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Abedin Llajaj, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, disa fara cannabis sativa dhe një sasi ekstazi.