Imuniteti që ofron vaksina kundër koronavirusit duhet të zgjasë për të paktën disa vite, sipas një shkencëtareje britanike. Profesoresha Sarah Gilbert u tha deputetëve të vendit se vaksina mund të sigurojë “një zgjatje të mirë të imunitetit.”
Ajo është ekspertja me famë botërore që drejton një ekip nga Universiteti i Oksfordit që po krijon një vaksinë të mundtshme anti-Covid.
Prej kohësh tashmë është ngritur shqetësimi nëse vaksina kundër koronavirusit mund të ofrojë imunitet të përhershëm apo vetëm për disa muaj apo vite.
Megjithatë, Gilbert i tha Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë se mund të ketë një rezultat më të mirë nga një vaksinë sesa imuniteti natyror i fituar kur individët thjesht shërohen nga një virus.
‘Vaksinat kanë një mënyrë të ndryshme të përfshirjes me sistemin imunitar, dhe ne i ndjekim njerëzit në studimet tona duke përdorur të njëjtën lloj teknologjie për të bërë vaksinat për disa vjet, dhe vazhdojmë të shohim reagime të forta imune, “ u shpreh ajo.
Po ashtu, Sarah Gilbert shtoi se kjo është një çështje që duhet ndjekur me kalimin e kohës, pasi nuk mund të dihet asgjë e sigurt pa pasur të dhëna të plota.
“Por jemi optimistë bazuar në studimet e mëparshme që do të shohim një kohëzgjatje të mirë të imunitetit, të paktën për disa vite, dhe ndoshta më i mirë sesa imuniteti i fituar natyrisht,” shtoi studiuesja. /abcneës.al/