Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka bërë një denoncim të fortë ditën e sotme nga Divjaka, për një tentativë të shitjes së bazës ushtarake të Marinës Detare në Sarandë nga Edi Rama te miqtë e tij oligarkë.
Këtë denoncim, ai e bëri përmes një video live në facebook. Basha thotë se fakti kjo që aferë që po bëhet në sekret të plotë cenon sigurinë kombëtare, ndaj i bën thirrje Presidentit Ilir Meta që të investigojë.
‘Në sekret të plotë, është marrë një pjesë e territorit e bazës ushtarake navale të marinës së flotës luftarake detare në Sarandë dhe është bërë gati t’u jepet klientëve të qeverisë.
Mbetet të verifikohet se kujt do i jepet, por emrat e përmendur janë të dyshuarit e zakonshëm, pjesë e 5 apo 6 oligarkëve që marrin çdo gjë në këtë vend. Shpresoj që të jetë një lajm i rremë, në radhë të parë sepse largimi i territoreve nga forcat e armatosura, nuk mund të bëhet në mënyrë sekrete, por transparente se cenon sigurinë kombëtare.
U bëj apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, nga ato ekzekutive deri te komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të investigojnë nëse është e vërtetë që në ditët e tyre të fundit po falin bazat detare oligarkëve për zhvillime klienteliste pa garë.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit, zhvillimi ekonomik që sjell mirëqenie është objektivi i qeverisjes sonë, por kjo nuk mund të jetë fitimprurëse deri sa nuk bëhet transparente’, ka deklaruar kreu i PD.