‘Ghislaine do thotë emra’/ Një triller me seks dhe pushtet

0

Ky është një triller me seks dhe pushtet që nuk di të ndalet, edhe pse ‘aktori’ kryesor i saj ka vdekur.

FBI amerikane bëri të ditur se ka arrestuar britaniken Ghislaine Maxwell, ish-të dashurën e pedofilit të dënuar amerikan, Jeffrey Epstein.

Britanikja, e njohur si një personalitet në rrethet shoqërore të personazheve të famshme, akuzohet nga FBI se ka ndihmuar Epstein të abuzojë seksualisht me vajza të mitura.

Ghislaine njihej si tutorja e Epstein. Ajo rekrutonte viktimat e mitura. Pas arrestimit, ajo është vendosur në paraburgim.

Maxwell, 58 vjeç, ka mohuar çdo përfshirje apo njohuri në aktivitetin seksual të Epstein. Ky i fundit ndërroi jetë në burg më 10 gusht të vitit të shkuar, teksa priste të gjykohej për trafik seksual.

Ai akuzohej se drejtonte një rrjet prostitucioni me vajza minorene, disa prej tyre vetëm 14 vjeç. Ai vrau veten në burg, edhe pse vdekja e tij është e mbuluar me shumë konspiracion.

Arsyeja është se miqtë dhe klientët e rrjetit të tij ishin personazhe të pasur dhe shumë të famshëm.

E përditshmja britanike Daily Mail, shkruan sot se Ghislaine Maxwell do të tregojë emra dhe do të bashkëpunojë plotësisht me FB-në.

Mes atyre që duhet të shqetësohen është princi britanik, Andrew, që dyshohet se ka marrë pjesë në orgjitë e Epstein me minorene.

Ghislaine është vajza e pasanikut britanik, botuesit të njohur Robert Maxwell. Ajo u arrestua në shtëpinë e saj me vlerë 1 milion dollarë. Prokurorja që e arrestoi tha se kanë prova se ajo ishte tutore e vajzave minorene.

Nëse dënohet, ajo përballet me 35 vite burg, çka do të thotë se do dalë nga qelia kur të jetë 93 vjeç.

Ekspertët kanë vlerësuar vendosmërinë e FBI për të hetuar edhe pasi Epstein i dha fund jetës.

Viktimat e tij kanë shprehur çlirim kur kanë mësuar për arrestimin e Ghislaine, pasi ajo ishte personazhi kyç në këtë skemë.

Artikulli i mëparshëmShteti i dorëzuar para Covid-19/ Shifra rekord vdekjesh për një javë
Artikulli i radhësBilanc tronditës/ Të fundit në Europë për nga numri i tamponëve