Nga Yanis Varoufakis
Fondi i rimëkëmbjes i propozuar nga Bashkimi Europian për të luftuar pasojat negative ekonomike të pandemisë, duket se është i destinuar të lërë shumicën në çdo shtet anëtar më keq se më parë. Financat do të mbrohen sërish, nëse përkeqësohen, kurse punëtorët do të vazhdojnë të paguajnë faturat përmes raundeve të reja të shtrëngimit.
Kriza e euros që shpërtheu një dekadë më parë është portretizuar prej kohësh si një përplasje midis Veriut të egër të Europës dhe shfytëzimit të Jugut. Në fakt, në zemrën e saj ishte një luftë e ashpër klasore që la Europën, përfshirë kapitalistët e saj, shumë të dobësuar në raport me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Akoma më keq, përgjigjja e Bashkimit Europian ndaj pandemisë, përfshirë fondin e rimëkëmbjes së BE-së aktualisht nën diskutim, është detyruar të intensifikojë këtë luftë klasore dhe ti japë një goditje tjetër modelit socio-ekonomik të Europës.
Nëse kemi mësuar ndonjë gjë në dekadat e fundit, është e kotë të përqendrohemi në ekonominë e çdo vendi në izolim. Një herë e një kohë, kur paratë lëviznin mes vendeve kryesisht për të financuar tregtinë, dhe shumica e shpenzimeve të konsumit shkonte për prodhuesit vendas, pikat e forta dhe të dobëta të një ekonomie kombëtare mund të vlerësoheshin në mënyrë të mëvetësishme. Jo më. Sot, dobësitë e, le të themi, Kinës dhe Gjermanisë janë ndërthurur me ato të vendeve si SHBA dhe Greqisë.
Paqëndrueshmëria e financave në fillim të viteve 1980, pas eliminimit të kontrolleve të kapitalit të mbetura nga sistemi Bretton Ëoods, mundësoi çekuilbra të mëdha tregtarë të financuar nga lumenj parash të krijuara privatisht përmes inxhinierisë financiare. Ndërsa SHBA-të lëvizën nga një suficit tregtar në një deficit masiv, hegjemonia e tyre u rrit. Importet e SHBA-ve mbajnë kërkesën globale dhe financohen nga fluksi i fitimeve të të huajve që derdhen në Wall Street.
Ky proces i çuditshëm riciklimi menaxhohet de fakto në botë nga banka qendrore, Rezerva Federale e SHBA-ve. Dhe mbajtja e një krijimi kaq mbresëlënës – një sistem global i çekuilibruar përgjithmonë – kërkon intensifikimin e vazhdueshëm të luftës së klasave si në vendet me deficit dhe atyre me të ardhura të tepërta.
Vendet e defiçitit janë të gjitha njësoj në një kuptim të rëndësishëm: qoftë të fuqishëm si SHBA-të, apo të dobët si Greqia, ata janë të dënuar të gjenerojnë flluska borxhesh, ndërsa punëtorët e tyre shohin të pafuqishëm zonat industriale të copëtohen. Sapo plasin flluskat, punëtorët në Midwest ose Peloponez përballen me skllavërimet e borxheve dhe me rënien e standardeve të jetesës.
Kurse vendet me të ardhura më të mëdha se shpeznimet, edhe pse karakterizohen nga lufta e klasave kundër punëtorëve, ato ndryshojnë dukshëm nga njëra-tjetra. Imagjinoni Kinën dhe Gjermaninë. Të dy shfaqin teprica të mëdha tregtare me SHBA-të dhe pjesën tjetër të Europës. Të dy cënojnë të ardhurat dhe pasurinë e punëtorëve të tyre. Dallimi kryesor midis tyre është se Kina mban nivele të mëdha investimesh përmes një flluske krediti të brendshme, ndërsa korporatat e Gjermanisë investojnë shumë më pak dhe mbështeten në flluska kredie në pjesën tjetër të eurozonës.
Kriza e euros nuk ishte kurrë një përplasje mes gjermanëve dhe grekëve. Përkundrazi, ajo buroi nga një intensifikim i luftës së klasave brenda Gjermanisë dhe brenda Greqisë, në duart e një oligarkie pa kufij që jeton nga flukset financiare.
Për shembull, kur shteti grek falimentoi në 2010-n, shtrëngimi i imponuar dhe i madh për shumicën e popullatës greke bëri mrekulli për të kufizuar investimet në Greqi. E njëjta gjë ndodhi edhe në Gjermani, ku u cënuan indirekt pagat e gjermanëve në një kohë kur shtypja e parave të Bankës Qendrore Europiane po rriste në stratosferë çmimet e aksioneve (dhe shpërblimet e drejtorëve gjermanë).
Lufta e klasës është ndoshta më brutale në Kinë dhe SHBA sesa në Europë. Por mungesa e një bashkimi politik në Europë siguron që lufta e saj klasore të jetë e pakuptimtë, edhe nga perspektiva e kapitalistëve.
Provat që kapitalistët gjermanë shkatërruan pasurinë e nxjerrë nga klasa e punës e BE-së nuk janë të vështira për tu gjetur. Kriza e euros shkaktoi një zhvlerësim masiv prej 7% të suficitit që sektori privat gjerman kishte grumbulluar që nga viti 1999 e në vazhdim, sepse pronarët e kapitalit nuk kishin alternativë tjetër, përveç se t’i huazojnë këto triliona për të huajt, shqetësimi i mëpasshëm i të cilave çoi në humbje të mëdha.
Ky nuk është vetëm një problem gjerman. Është një gjendje që prek edhe vendet e tjera me suficit të BE-së. Gazeta gjermane Handelsblatt kohët e fundit zbuloi një fenomen. Ndërsa në vitin 2007, korporatat e BE-së fituan rreth 100 miliardë euro (113 miliardë dollarë) më shumë se sa homologët e tyre amerikanë, në vitin 2019 situata ishte e përmbysur.
Për më tepër, ky është një trend përshpejtues. Në vitin 2019, të ardhurat e korporatave u rritën 50% më shpejt në SHBA sesa në Europë. Dhe fitimet e korporatave amerikane pritet të vuajnë më pak nga recesioni i shkaktuar nga pandemia, duke rënë 20% në vitin 2020, krahasuar me 33% në Europë.
Thelbi i enigmës së Europës është se, ndërsa është një ekonomi suficitare, fragmetarizimi i saj nuk siguron as që humbjet e të ardhurave të punëtorëve gjermanë dhe grekë as të bëhen fitime të qëndrueshme për kapitalistët e Europës. E thënë me pak fjalë, prapa narrativës së egërsisë veriore përgjumet spektri i shfrytëzimit të humbur.
Lajmet sipas të cilave COVID-19 bëri që BE të krijojë lojën e saj, janë të ekzagjeruara rëndë. Vdekja e qetë e bashkimit të borxhit europian garanton që rritja gjigante e deficiteve të buxhetit kombëtar do të pasohet nga masa shtrënguese po aq të mëdha sa në çdo vend. Me fjalë të tjera, lufta klasore që ka gërryer tashmë të ardhurat e shumicës së njerëzve do të intensifikohet. “Por, në lidhje me fondin e propozuar të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh?” dikush mund të pyesë. “A nuk është një përparim marrëveshja për lëshimin e borxhit të përbashkët?”
Po dhe jo. Instrumentet e zakonshëm të borxhit janë një kusht i domosdoshëm por i pamjaftueshëm për të përmirësuar luftën e intensifikuar të klasave. Për të luajtur një rol progresiv, borxhi i përbashkët duhet të financojë familjet dhe firmat më të dobëta në të gjithë zonën e përbashkët ekonomike: në Gjermani, si dhe në Greqi. Dhe duhet ta bëjë këtë automatikisht, pa u mbështetur në mirësinë e oligarkëve vendas. Duhet të funksionojë si një mekanizëm automatik riciklimi që zhvendos tepricën e të ardhurave të vendeve me suficit në ato me deficit brenda çdo qyteti, rajoni dhe shteti. Në SHBA, për shembull, tollonat e ushqimit dhe pagesat e sigurimeve shoqërore mbështesin të dobëtit në Kaliforni dhe Misuri, ndërsa zhvendosin burimet neto nga Kalifornia në Misuri – dhe të gjitha pa ndonjë përfshirje nga guvernatorët e shtetit ose burokratët lokalë.
Në të kundërt, alokimi fiks i fondit të rimëkëmbjes së BE-së për vendet anëtare do t’i kthejë ato kundër njëri-tjetrit, pasi shuma fikse që do t’i jepet, të themi, Italia ose Greqia portretizohet si një taksë për klasën punëtore të Gjermanisë. Për më tepër, ideja është transferimi i fondeve në qeveritë kombëtare, duke i besuar në mënyrë efektive oligarkisë lokale detyrën e shpërndarjes së tyre.
Forcimi i solidaritetit të oligarkëve të Europës nuk është një strategji e mirë për fuqizimin e shumicës së Europës. Përkundrazi, është krejt e kundnërta. Çdo “rimëkëmbje” e bazuar në një formulë të tillë, do të ndryshojë pothuajse të gjithë europianët dhe do ta nxisë shumicën në një dëshpërim më të thellë.