Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve. Kim shprehet në mesazhin e saj se ky festim këtë vit s’është si të tjerët pasi Covid po na ndalon të festojmë nën një çati 244-vjetorin e Pavarësisë.
“Së bashku ne kemi punuar për më shumë se 1 shekull për të formuar një bashkim më të përsosur midis kombeve tona. 100 vjet më parë, SHBA përdorën fuqinë e tyre për të mbështetur një Shqipëri të pavarur dhe shtruan rrugën që ju t’i bashkoheshit Lidhjes së Kombeve në 1920. Presidenti amerikan punoi për të promovuar mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve në mënyrë që ata të gëzonin bekimet e lirisë”, tha ambasadorja Kim.
Për të siguruar një mbrojtje të përbashkët, ajo nënvizoi se, “Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009”. “Që prej asaj kohe Shqipëria ka qenë një partner i besueshëm për sigurinë e rajonit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krenare krah jush, ndërsa zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet tona të mbrojtjes dhe e bëjmë Shipërinë një aleate më të fortë dhe më të aftë”, tha ajo.
Kim u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, ndërsa u shpreh se “në vitin 2016, kur Kuvendi miratoi njëzëri Reformën në Drejtësi, vendi hodhi hapat e parë drejt vendosjes së drejtësisë së re në Shqipëri për të çrrënjosur korrupsionin, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të vendosur me vendosmëri sundimin e ligjit”.
“Ky është një proces që kërkon kohë dhe përpjekje për të sjellë rezultate, por si gjithmonë SHBA do të vazhdojnë t’ju mbështesin”, tha ajo.
Sot, vijoi Kim, “Shqipëria është në rrugën drejt një bashkimi tjetër, BE”. “Reformat e nevojshme për këtë do të sjellin më shumë drejtësi dhe begati për popullin shqiptar.
Shtetet e Bashkuara ishin me ju në fillim të këtij procesi dhe ne do të qëndrojmë me ju derisa ju të arrini synimin tuaj”, siguroi ajo.
Në mesazhin e saj, Kim theksoi se “festimi i ditës së pavarësisë së Amerikës këtë vit nuk është si asnjë tjetër”. “Për herë të parë po përballemi me një pandemi, e cila nuk na ka lënë të mblidhemi në një çati për të festuar ditëlindjen e 244-rt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa duhet të qëndrojmë të distancuar fizikisht, ne amerikanët dhe shqiptarët , jemi po aq afër dhe të bashkuar si gjithmonë. Mbetemi të lidhur nga dashuria dhe mbrojtja e lirisë sonë, e pavarësisë sonë dhe e vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen”, tha ajo.
Kim u shpreh se “më 17 shtator 1787, anëtarët e Konventës Kushtetuese nënshkruan draftin përfundimtar të Kushtetutës së SHBA-së”. “52 fjalët e para të këtij dokumenti, në hyrjen e tij, janë disa nga më të fuqishmet në historinë amerikane. Ato thonë: Ne populli i Shteteve të Bashkuara , me qëllim që të krijojmë një bashkim më të përsosur, të vendosim drejtësinë , të sigurojmë qetësinë në vend, të sigurojmë mbrojtjen e përbashkët, të nxisim mirëqenien e përgjithshme dhe të sigurojmë bekimet e lirisë për veten tonë dhe pasardhjen tonë, caktojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë të SHBA-së”, tha Kim.
Për dy shekuj e gjysmë, ajo theksoi se, “Amerika ka ndjekur atë ëndërr për të formuar një bashkim më të përsosur”. “Sipërmarrja jonë demokratike ka arritur sukses në një mënyrë unike dhe të pashembullt në historinë e njerëzimit. SHBA kanë përdorur fuqinë e tyre për të sjellë paqe dhe begati më të madhe, jo vetëm për popullin amerikan , por edhe për botën. Historia e Amerikës është vërtetë një histori unike suksesesh. Sukses që nuk përcaktohet nga mungesa e dështimeve apo gabimeve, por nga vendosmëria jonë për t’u përballur me çdo dështim dhe gabim dhe për të bërë më të mirën. Me fjalë të tjera vendosmëria jonë për t’u përpjekur që gjithmonë të formojmë “një bashkim më të përsosur”. Dhe i tillë është rasti me miqësinë midis Shqipërisë dhe SHBA-së”, tha ajo.