Kryetari i Partisë Demokratike është ndaluar sot në Korçë ku ka zhvilluar një takim me dy përfaqësues të bizneseve. Njëri prej tyre, Luani tregoi se si ishte cilësuar dyqani i tij që tregton artikuj ushqimore, si biznes i madh, ndonëse sipas tij ai ishte i vetëm i punësuar aty. Ai theksoi se taksat e larta po e detyrojnë që të falimentojë.
“Ju përshëndes nga Lagja Radanec në Korçë. Ndodhem në praninë e dy sipërmarrësve, Luanit dhe të Besjanit që është sipërmarrës i ri në moshë. Dua ta nis me Luanin. Si i ke punët?” tha Basha.
Luani: Punët janë si mos më keq. Po shkoj drejt falimentimit pasi taksat janë të larta. Nga 270 mijë, kanë shkuar në 800 mijë. Ata më futën në biznes të madh.
Luani (I tregon Bashës biznesin nga brenda): A është biznesi i madh me një punëtor? Këtu punoj vetëm, më ndihmon vetëm gruaja. S’kam punëtor të tjerë, pasi nuk ka punë.
Basha: Me këto të kanë kaluar si biznes i madh!
Luani: Po ashtu.
Basha: Kryeministri ka kopjuar programin e PD, por e ka kopjuar keq.
Luani: Ne jemi të mbaruar, jemi drejt mbylljes. Këtu nuk ka njerëz. Kanë ikur njerëzit, Konsumi ka rënë, s’ka punë. Këtu në këtë bllok ka 5-6 milionë lekë borxhe të pambledhura. Janë me vite. Kërkojnë mallra njerëzish, se s’kanë bukë.
Basha: Gjendja është e tillë në Korçë. Në një nga qytetet do të thoja që nuk dallohet për varfëri, por një nga qytetet me më shumë mirëqenie në Shqipëri. Bashkë kemi qenë përmes kamerës së këtij telefoni dhe Facebook-ut, me sipërmarrës në qytete dhe fshatra të tjera të vendit dhe e keni parë se situata është keq e më keq.
Ndaj dua të theksoj edhe njëherë masat stabilizuese urgjente që ne do të ndërmarrim ditën tonë të parë në pushtet.
Së pari, do të çlirojmë biznesin nga ankthi, nga klima e tmerrshme e biznesit, në të cilën është zhvendosur për shkak të terrorit qeveritar dhe të administratës, duke futur në karantinë inspektoriatet. Një vit karantinë për inspektoriatet, në mënyrë që këta njerëz të mos përballen nga mëngjesi deri në darkë, sa ngrini qenat-ulni qepenat, me inspektorë, me tatimorë, me lloj-lloj harbutësh, që vijnë sa për xhepat e tyre edhe për xhepat e pushtetarëve.
Së dyti, duke vendosur një sistem taksash konkurues për rajonin. Sa i përket biznesit të vogël siç është Luani, 140 milionë lekë e poshtë, do të kenë një taksë 0.5% e xhiros vjetore. Çdo taksë tjetër lokale apo qëndrore çdo tatim tjetër, çdo lloj tjetër formë tarifimi do të zhduket. Do të ketë vetëm një taksë dhe asnjë tarifë dhe asnjë taksë tjetër. Së dyti, për biznesin e madh ne do të vendosim tasën e sheshtë 9% e cila do të synojë që më shumë para të mbeten për investime për hapje vende pune të cilat natyrisht, për çdo vend të ri pune, do të thotë më shumë konsum. Dhe më shumë konsum, do të thotë edhe më shumë mundësi, edhe më shumë të ardhura në xhepat e njerëzve edhe më shumë xhiro për sipërmarrjen, do të thotë nisje e një zinxhiri pozitiv për ekonominë shqiptare. Pa këto masa, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të hidhet drejt një gropë gjithmonë e më të thellë, siç është hedhur këto 7 vite.
Padiskutim, në këtë kohë të vështirë të koronavirusit, në majën e gjuhës të çdo shqiptari është një rrezik tjetër, po kaq i madh, madje edhe më i madh që tanimë njihet si Ramavirusi, që është pandemia e varfërisë, pandemia e krizës ekonomike, pandemia e krizës sociale, e cila po shkatërron ditë për ditë mirëqenien familjare, vendet e punës dhe po shkakton një stres të jashtëzakonshëm në shoqëri dhe në familjet shqiptare.
Ju përshëndes nga Korça, nga kjo e diel e trishtë për biznesin, e trishtë për qytetarët, por plot me besim se me masat e duhura, në kohën e duhur, pa humbur asnjë ditë dhe duke u dhënë njerëzve atë që meritojnë, jo lëmoshë por drejtësi mbështetje nga taksat e tyre do tja dalim ta ringrejmë biznesin e vogël, ta fuqizojmë atë të ngremë konsumin dhe të ngremë sipërmarrjen shqiptare, së bashku me fermerët shqiptarë. Ky është prioriteti numër 1 i Partisë Demokratike, i programit tonë ekonomik, ky është prioriteti numër 1 i qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme dhe ky është prioriteti im i parë dhe kryesor, ekonomia juaj, punësimi dhe mirëqenia. Ju përshëndes dhe ju uroj një të diel sa më të paqtë!