Kryeqyteti i Kubës, Havana, iu rikthye jetës normale pas rihapjes së vendit të premten e 3 korrikut, pas më shumë se 3 muajve në izolim, por këtë verë nuk ka asnjë gjurmë të turistëve të huaj, ndërsa vetë banorët janë furnizuar me ujë dhe ushqime bazike.
Havana, qyteti me 2,2 milionë banorë në bregdetin e Kubës, ishte qyteti i fundit që doli nga karantina, pasi hyri nga 3 korriku në fazën e tretë të lehtësimit të masave kufizuese.
Pas karantinës, tashmë banorëve u lejohet të përdorin transportin publik apo taksitë private, të shkojnë në plazh e të bëjnë jetën e mëparshme normalisht, teksa ruajtja e distancës sociale dhe mbajtja e maskave mbetet masë e detyrueshme. Aeroportet e Kubës u mbyllën që në muajin mars, bashkë me hotelet. Këto të fundit janë hapur pjesërisht, teksa nuk ka asnjë ide se kur vizitorët e huaj mund të kthehen.
Pjesa më e madhe e ishujve të Havanas prej më shumë se një muaji nuk raporton asnjë rast me koronavirus, ndërsa në kryeqytet rastet numërohen me gishtat e dorës.
“Gjithçka Kuba ofron është dielli, palmat dhe plazhi. Dhe ne ndihemi mirë. Bota nuk mund të paralizohet, gjithçka duhet të riaktivizohet dalëngadalë”, thotë një qytetare.
Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel, shprehet: “Nevojitet dispilinë, ne duhet ta mbajmë virusin nën kontroll, duhet të ulim numrat e të prekurve dhe të shmangim komplikacionet. Kemi kapacitetin të shkëpusim zinxhirin e infektimit”.
Autoritetet në Kuba kanë parashikuar një rënie në 10% të aktivitetit ekonomik për 2020-n, ndërsa ende nuk ka një vlerësim për të ardhurat nga turizmi këtë vit.