Është sfidë e madhe të ndërtosh një kullë të lartë, që do të qëndrojë pranë godinës më të lartë në botë. Por studio arkitekturore holandeze UNStudio duket se ia ka dalë mbanë që të projektojë një ndërtesë që nuk stonon aspak me Burj Khalifan e Dubait, 828 metra e lartë.
Kulla e re, që do të ndërtohet kompania shtetërore e emiratit, Wasl, nuk kishte si objektiv vetëm “pushtimin” e qiellit, por të ndërtonte një objekt që të mbahej me energji të rinovueshme dhe t’i rezistonte kohës.
Kulla pritet të përfundojë në gusht 2021. Ajo do të kushtojë rreth 400 milionë dollarë dhe do të jetë 302 metra e lartë. E dizajnuar me një formë asimetrike, frymëzuar nga skulpturat klasike, kulla duket sikur është gjithmonë në lëvizje.
Godina do të ketë gjithashtu edhe një prej fasadave më të mëdha prej qeramike, ndërtuar me pllaka të mëdha që kanë dy funksione, të krijojnë hije mjaftueshëm nga dielli i nxehtë i Dubait, por nga ana tjetër të ulin kostot e energjisë, pasi mundësojnë përdorim më të paktën të kondicionerëve.
Forma dhe vendosja e qeramikës do të japë edhe një tjetër efekt mahnitës. Duke pasqyruar rrezet e diellit në mënyrë ritmike, arkitektët pretendojnë që godina do të duket sikur po merr frymë. Një efekt i ngjashëm me atë të dritave LED të vendosura në një fasadë.
Përtej kësaj, Kulla Wasl do të jetë një novacion, me “bulevardin vertikal” që përshkon të gjithë godinën në lartësinë e saj. Ajo do të shërbejë si hotel i kompanisë botërore “Mandarin Oriental”, por në të do të ketë edhe zyra, apartamente private dhe pishina. Ndërsa një urë këmbësore do ta lidhë atë me stacionin e metrosë së Burj Khalifas.