Maskat jo të detyrueshme në Brazil, presidenti Bolsonaro: Herët a vonë të gjithë do prekemi nga COVID-19

0

Qeveria në Brazil kundërshtoi ligjin që detyron mbajtjen e maskës mbrojtëse, në çdo ambient publik, në hapësira të mbyllura apo në grupe të mëdha, teksa Brazili po dështon prej javësh në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, dhe shifrat rriten çdo ditë e më shumë.

Vetë brazilianët duket se nuk e kanë marrë seriozisht këtë situatë, pasi përshëndeten e përqafohen kudo. Vetë presidenti Bolsonaro, i cili është vënë në qendër të akuzave pasi e quajti koronavirusin një grip të vogël e pasi tha se e shkuara e tij si atlet e ka bërë imun ndaj virusit, përballet tashmë me një presion në rritje nga guvernatorët e kryebashkiakët e vendit, të cilët kërkojnë rihapjen e ekonomisë.

“Kishim disa sugjerime për ligjin që tashmë e refuzuam, që e bënte mbajtjen e maskës të detyrueshme kudo, edhe brenda në shtëpi. Unë e kundërshtova këtë. Nuk mund t’i vëmë njerëzve gjoba brenda në shtëpi. Kështu, edhe unë do gjobitesha sepse jam pa maskë”, tha presidenti brazilian.

Brazili është vendi i dytë me numrin më të lartë të të infektuarve në botë, me më shumë se 1.5 milionë raste dhe shifrat pritet të rriten teksa baret, restorantet apo palestrat u hapën ndërsa betejën me Covidin e kanë humbur mbi 60 mijë vetë.

“Ne duhet të respektojmë pandeminë. Më vjen keq për ata që kanë humbur jetën por dua ta bëj të qartë. Karantina shërbeu për t’i dhënë kohë spitaleve të përgatiten për virusin, me mjetet e nevojshme dhe respiratorët për ata që u infektuan. Qëllimi ynë tashmë është një i infektuar, të mos infektojë të tjerët por herët a vonë të gjithë do prekemi”, vijoi Bolsonaro.

Vetëm në Rio, në 4 muaj kanë humbur jetën 6600 vetë ndërsa Sao Paulo, qyteti i goditur më rëndë nga pandemia, pritet të rihapet javën e ardhshme.

Artikulli i mëparshëmRama nxjerr videon e policëve në terren: Kush është i prekur nga COVID-19, s’duhet të thyejë rregullat e karantinës
Artikulli i radhësLegjenda e Brazilit: Disa po ëndërrojnë për një dyshe Messi-Ronaldo te Juventus