Shitjet e prodhimit të birrës në vend, në muajt mars-prill ranë deri në 70%, ndërsa prodhimi u përgjysmua. Prodhuesit kryesorë pohojnë se te rënia e shitjeve ndikoi mbyllja e bareve, lokaleve, restoranteve, mungesa e turistëve dhe oraret e reduktuara të hapjes të marketeve. Rritja e stoqeve, shtimi i kostos së prodhimit dhe treguesit në rënie të shitjeve edhe në muajt maj-qershor, sidomos në zonat turistike, i bën edhe më pesimistë prodhuesit për përmirësim të situatës në muajt e verës. Ndërsa importi i birrës në muajin prill u ul rreth 60% në krahasim me një vit më parë.
Mbyllja e bareve, lokaleve, klubeve të natës, restoranteve dhe mungesa e turistëve në muajt e karantinës ndikoi negativisht te shitjet e prodhimit vendas të birrës, sipas kompanive kryesore. Për vitin 2020, tendenca rënëse e prodhimit të birrës nisi që në muajin mars dhe u thellua më shumë në prill, kur popullata ishte tërësisht e izoluar nga pandemia e Covid-19 dhe shumë njësi shërbimi ishin të mbyllura.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për muajin prill 2020, prodhimi vendas ishte 1,377 mijë litra, me rënie prej 48% në krahasim me vitin 2019. Një vit më parë, në muajin prill, u prodhuan 2,631 mijë litra birrë. Ndërsa për muajin mars, rënia ishte 21%. Në dy muajt e parë të vitit, prodhimi vendas u rrit krahasuar me vitin e kaluar.
Prodhuesit kryesorë në vend të birrës raportojnë rënie të shitjeve për muajt mars-prill nga 30 deri në 70%. Tkurrja që ka njohur shitja e prodhimit vendas në këta dy muaj është ndikuar nga disa faktorë: si mbyllja e bareve, restoranteve, klubeve të natës dhe mbyllja e sektorit të turizmit, oraret e reduktuara të shitjeve në markete dhe supermakete, si dhe orientimi i konsumatorëve për të kryer më shumë blerje të mallrave ushqimorë. Operatorët pohojnë se për birrat, tregu i shitjeve është i ndarë, 25% e produktit shitet në markete, ndërsa 75% në bare, restorante dhe hoteleri-turizëm.
Në total, për 4 muajt e parë të vitit prodhimi u tkurr me 17% dhe kjo tendencë pritet të thellohet, pasi pritshmëritë për muajt në vijim nuk janë pozitive, sipas operatorëve.
Armand Xoxa, drejtor i shitjeve të Birrës Korça, kompania që renditet e para në treg për të ardhurat më të larta për 2018, tha për “Monitor” se për muajt mars-prill shitjet ranë 70%, kurse për majin 50%. “Pandemia ndikoi negativisht te birra vendase, pasi me ndaljen shitjeve në bare, restorante dhe supermakete u krijuan stoqe. Produkti nuk qarkulloi dhe në këto kushte, fabrika u detyrua të ulë nivelin e prodhimit, të menaxhonte lëndën e parë dhe ciklin e prodhimit. Ndryshoi i gjithë sistemi që nga prodhimi deri te shitja e birrës.
Rënia e prodhimit ishte pothuajse në të njëjtat nivele edhe me shitjet. Në muajin maj, prodhimi u ul më pak, sepse shpresojmë që të punojmë edhe për muajt e verës”, pohon Xoxa. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Birra Korça kryesoi tregun vendas për 2018. Të ardhurat e kompanisë ishin rreth 858 milionë lekë në 2018, nga 810 milionë lekë në 2017.
Luan Bregasi, sipërmarrës i Birrës Tirana, e cila u pozicionua e dyta në treg për 2018, pohon se industria u godit dy vite rresht, si nga tërmeti edhe nga pandemia. “Tërmeti krijoi ngadalësimin e parë të ekonomisë shqiptare, sidomos për sektorët e prodhimit dhe specifikisht edhe për prodhimin vendas të birrës. Covid-19 e gjeti të ngadalësuar prodhimin dhe shitjet e industrisë vendase të birrës. Mbyllja e bareve, kafeneve dhe restoranteve ulën ndjeshëm prodhimin dhe shitjen e birrës.
Për periudhën mars-prill-maj, prodhuesit vendas të birrës punuan me 30-50% të kapaciteteve të tyre. Edhe treguesit e shitjeve ranë në të njëjtat nivele, ndërsa shërbimi funksionoi vetëm për marketet dhe supermarketet”. Në 2017, sipas të dhënave të QKB-së, Birra Tirana kryesonte tregun vendas, ku të ardhurat e kompanisë ishin rreth 966 milionë lekë. Rënia e shitjeve ndikoi në uljen e të ardhurave të kompanisë për 2018, që ishin rreth 754 milionë lekë. Të ardhurat ranë 22%.
Birra Stela renditet e treta në tregun vendas nga të ardhurat, që në 2018 ishin rreth 304 milionë lekë. Stefan Pinguli, përfaqësues i kompanisë së Birrës Stela, konfirmon rënien e shitjeve deri në 40% për shkak të mbylljes së bareve dhe lokaleve. “Lokalet kanë qenë të mbyllura dhe shitjet e birrës ranë 30-40%. Pavarësisht rënies së shitjeve dhe mungesës së punonjësve për shkak të pandemisë kemi qenë të detyruar të paguanin pagat e tyre, pasi ndaj tyre jemi të detyruar jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht”, shprehet Pinguli.
Rënia e importeve të birrës
Për muajt mars-prill dhe maj, mbyllja e bareve, lokaleve dhe mungesa e turistëve për shkak të pandemisë ndikoi edhe tek importet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, importi i birrës ra 58% për muajin prill 2020 në krahasim me prill 2019. Për muajin mars, importet ranë 47% në krahasim me një vit më parë.
Administratorja e kompanisë së importit të Birrës Peja, Valbona Begu, tha për “Monitor” se në periudhën e karantinës, importet ranë 15%, ndërsa shitjet, 40-50%, çka krijoi stoqe në inventarë. “Arsyeja e rënies së importit ishte mbyllja e lokaleve, bareve, restoranteve dhe klubeve të natës, ndërsa marketet kanë punuar me kapacitet 25% për shkak të kufizimit të orareve dhe distancimit të konsumatorëve. Duhet thënë që birra është produkt ‘luksi’. Qytetarët ishin më shumë të interesuar të blinin produktet e shportës, si makarona, miell, sheqer, vaj, oriz, pavarësisht se produkti ynë konsumohet më shumë nga shtresat e mesme dhe me të ardhura të ulëta”.
Tendenca rënëse e importit të birrës në 2 muajt e karantinës konfirmohet edhe nga “Eurolab Internacional Grup”, një ndër kompanitë më të mëdha në Shqipëri për shpërndarjen e 12 markave ndërkombëtare të birrës. “Volumi më i madh i tregtisë së birrës të importit në Shqipëri bëhet në Horeca (hotel-restorante, kafe), me mbylljen e këtij shërbimi për shkak të pandemisë, për rreth 2 muaj shitjet kanë rënë 10 % në krahasim me vitin 2019.
Por kjo rënie është zbutur nga shitjet me retail-it dhe e-commerce, që kanë qenë në nivele më të mira. Me rikthimin e shërbimit Horeca, parashikojmë që në pak muaj shitjet të rikthehen në normalitet, por në vlerë absolute vjetore humbjet e periudhës të karantinës do të mbeten”, sqarojnë për Monitor përfaqësues të kompanisë.
Shitjet në rënie, edhe pas hapjes së bareve
Prodhuesit e birrës thonë se pas hapjes së aktiviteteve të shërbimit janë rritur shitjet krahasuar me periudhën e karantinës, ndërsa me një vit më parë janë ulur. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, konsumi i birrës për 4-mujorin e 2020 ra 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019. Ndikimi më i madh i rënies së konsumit ishte nga muaji prill dhe javët e fundit të muajit mars kur nisi karantina.
Sipërmarrësi i Birrës Tirana, Luan Bregasi, thotë se te rënia e shitjeve edhe pas hapjes së aktiviteteve të shërbimit ndikoi pasiguria e konsumatorit, pasi qytetarët po tregohen të kujdesshëm në shpenzime pas goditjeve të të ardhurave nga pandemia. “Hapja e ekonomisë sapo ka filluar, por sigurisht që me rifillimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve në të gjithë vendin ka një lëvizje në drejtim pozitiv.
Ekonomia filloi të hapet gradualisht nga 18 maji dhe në dy javët e fundit të këtij muaji treguesit e shitjeve të industrisë së birrës u rritën. Duhet theksuar se rritja është në krahasim me periudhën kur ekonomia ishte e izoluar, ndërsa në krahasim me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar shitjet kanë rënë. Edhe pse aktivitetet e ekonomisë u hapën, parashikohet që rritja e shitjeve të birrës dhe konsumi të mos jenë të menjëhershme, pasi izolimi 3-mujor i popullatës ndikoi tek ekonomia, të cilat do të transmetohen edhe për këtë industri. Konsumi ka rënë, pasi konsumatorët me më pak të ardhura, po tregohen të kujdesshëm ndaj shpenzimeve”, pohon Bregasi.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë së Birrës Korça, Armand Xoxa, konfirmon të njëjtën situatë. “Hapja e bareve, lokaleve dhe restoranteve dha efekte pozitive te fillimi i qarkullimit të produktit, por nëse krahasojmë këtë periudhë me një vit më parë, apo me vite të mëparshme, qarkullimi i produktit është shumë i ngadaltë”. Sipas tij, kjo lidhet me dy faktorë kryesorë. Së pari, me rënien e të ardhurave të konsumatorëve, shpenzimet e tyre janë të orientuara drejt produkteve të shportës ushqimore dhe jo për produkte “luksi”.
Së dyti, mbyllja e aktivitetit në një periudhë që nuk është e përshtatshme për industrinë e birrës, në krahasim me vitet e tjera, pasi në muajt mars-prill-maj, produkti i birrës zgjeron klientët, ka shtim të konsumit, favorizohet nga hapja e pikave të krikos si dhe çeljen e sezonit turistik. “Periudha e fundit e muajit maj-qershor ishte koha e pikut të shitjes për këtë produkt. Ne qëndruam mbyllur në periudhën mars-prill-maj. Ndërsa në muajin qershor, kur fluksi i turistëve është i lartë, sidomos në vendet turistike, si Gjirokastër, Krujë, Velipojë, Golem, Vlorë, Pazari i ri Korçës, që janë edhe pikat kyçe të konsumit të birrës, aktualisht janë kthyer në pika të vdekura, nuk po kryhet as 10% e konsumit”, sqaron Xoxa.
Sipërmarrësi i Birrës Stela, zoti Pinguli, kur flet për shitjet e birrës në lokale dhe restorante vazhdon t’i cilësojë ato me rënie drastike. “Prej 15 ditësh që janë hapur lokalet, shitjet kanë rënë në mënyrë drastike, pasi është reduktuar frekuentimi dhe njerëzit nuk kanë mundësi të shpenzojnë. Shitjet nuk janë as sa gjysma e vitit të kaluar.
Rriten kostot e prodhimit dhe stoqet
Industria vendase po vuan edhe krijimin e lartë të stoqeve, pasi rënia e shitjeve vazhdon edhe pas hapjes së njësive të shërbimit. Zoti Pinguli shpjegon se rënia e shitjeve, rriti edhe kostot e prodhimit që po shkon dëm nga tkurrja e konsumit. “Në periudhën e karantinës, për shkak të rënies të shitjeve, prodhimi u ul deri në 40%, por kjo tregon se gjithë pjesët e tjera janë kosto e shtuar në njësinë e shitjes.
Nëse njësia e shitjes ulet dhe kostot mbeten konstante, atëherë del një produkt me kosto më të madhe, edhe pse çmimi është i njëjtë, por edhe ka pasur ulje. Shteti, duhet të na mbështeste te humbjet që na janë shkaktuar në kosto. Deri në 20% e vlerës së kostove duhej të subvencionohej nga shteti, pasi një pjesë e konsiderueshme e prodhimit ka shkuar dëm”, thekson përfaqësuesi i kompanisë Stela.
Prodhuesit, pesimistë edhe për muajt e verës
Pritshmëritë nuk janë aspak optimiste edhe për muajt e verës për drejtuesit e industrisë shqiptare të birrës. Prodhimit vendas do t’i duhet 6 muaj deri në 1 vit të kthehet në normalitet, sipas parashikimeve të kompanive kryesore. “Me muajt e verës ende mbetet e paqartë situata se si do të veprohet me prodhimin. Çdo prodhues birre bën llogaritë e veta për të menaxhuar sa më mirë situatën, pasi nuk ka një situatë të ngjashme me të cilën ta krahasosh.
Sipas parashikimeve, nga muaji shtator e më pas, konsumi pritet të shënojë rënie, e ndikuar edhe nga frika e konsumatorit për rikthim të virusit, siç shprehen edhe institucionet publike. Kjo i ka trembur konsumatorët dhe po shpenzojnë vetëm për produkte të domosdoshme. Nëse virusi nuk do të rikthehet dhe qeveria vazhdon të subvencionojë qytetarët dhe bizneset për ringritjen ekonomike, atëherë do të duhen 6 muaj që shitjet të kthehen në normalitet, por dëmi i shkaktuar nuk rikuperohet”, nënvizon drejtori i shitjeve të Birra Korçës.
Që prodhimi vendas dhe shitjet të rigjallërohen, duhet që edhe ekonomia të rimëkëmbet, veçanërisht sektori i turizmit sipas Luan Bregasit. Ai nuk parashikon ecuri optimiste për 2020 në këtë industri, por edhe më tej. “Industrisë së birrës do t’i duhet një vit për të stabilizuar treguesit. Industria e birrës nuk është e veçuar nga ekonomia dhe duhet të shikohet se si do të funksionojnë në tërësi aktivitetet e ekonomisë. Duhet të funksionojë turizmi që të funksionojë industria e birrës dhe industritë e tjera prodhuese. Nëse nuk rigjallërohet sektori i turizmit, që është konsumatori kryesor i industrisë së birrës, skenari për ecurinë e vitit 2020 nuk do të jetë shumë optimist”.
Ndalen eksportet
Biznesi vendas në periudhën e pandemisë, jo vetëm që ka qenë i detyruar të ulë prodhimin për shkak të rënies së shitjeve, por ka frenuar totalisht eksportin. “Eksportet në këtë periudhë kanë qenë zero”, pohon zoti Xoxa nga Birra Korça. Luan Bregasi shpjegon se të njëjtët faktorë që ndikuan te rënia e prodhimit, ndikuan edhe për ndaljen e eksporteve.
“Birra Tirana, por edhe prodhues të tjerë vendas të birrës kryejnë shumë pak eksporte dhe më tepër janë të fokusuar drejt vendeve të rajonit. Për shkak të mbylljes së kufijve, izolimit të popullatës nga pandemia, edhe pse transporti ndërkombëtar i mallrave funksionoi, eksportet e birrës u ndalën. Arsyet janë që nga vështirësitë me të cilat u përball industria e birrës për t’u përshtatur me mënyrën e re të të punuarit nga shtëpia. Po ashtu goditja e tregjeve ndërkombëtare nga pandemia, largoi vëmendjen për eksporte. Është konsumuar më shumë birrë në tregun e brendshëm. Shitjet janë bërë nga marketet dhe supermarketet që qëndruan të hapura gjatë karantinës dhe shërbimet ‘delivery’ që u kryen për klientët”.
Industria “e braktisur” nga shteti
Sipërmarrësi Stefan Pinguli, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës së Prodhuesve Vendas, nënvizon se situata e shkaktuar nga Covid-19 duhet të kishte kaluar edhe me ndihmën nga shteti. Zoti Pinguli thotë se pandemia shkaktoi anormalitet tek industria, ndërsa shteti nuk ndërhyri. “Nga ana e shtetit nuk është treguar përgjegjshmëri ndaj këtij sforcimi që kemi bërë. Rënia e punës ka ndikuar në aktivitetin tonë, pasi janë paguar detyrimet, si sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, taksat e tjera, faturat e dritave.
Së pari, nisur nga situata, shteti duhet të subvenciononte nga 30-40% deri në 50% të pagave të punonjësve në këtë periudhë. Së dyti, nga shteti, po ashtu për sipërmarrjen tonë, taksat vendore duhet të faleshin apo të shtyheshin në kohë pagesat e tyre, pasi nuk janë shfrytëzuar.
Jemi para presionit për të paguar të gjitha detyrimet pa vonesë. Ky anormalitet ka sjellë shpërqendrim te ne, një marrëdhënie të vështirë me shtetin pa asnjë lloj kujdesi ndaj nesh në këto momente krize. Edhe pagesa e TVSH-së duhej të shtyhej. Në Kosovë, ndihma e shtetit ndaj bizneseve dhe qytetarëve të dëmtuar nga Covid-19 ishte 1,2 miliardë euro, kurse nga shteti ynë nuk është bërë asnjë përpjekje, përkundrazi na kanë paragjykuar”, – thotë Pinguli.
Shkurtimi i vendeve të punës
Importuesit pohojnë se, nëse tendenca rënëse do të vazhdojë edhe për muajt e verës, numri i punonjësve do të shkurtohet. “Pavarësisht se në periudhën karantinës, puna ka qenë me ritme të ulëta, nuk është larguar asnjë punonjës nga puna, por edhe disa prej tyre kanë konsumuar lejet vjetore.
Në këta muaj janë paguar të gjithë punonjësit dhe asnjë prej tyre nuk u përfshi në paketat shtetërore, pasi aktiviteti ka qenë i hapur. Aktualisht, po mundohemi që punonjësit t’i mbajmë në punë, pasi nuk mund të bëjmë shkurtime të tyre në periudhën e sezonit. Nëse situata do të vazhdojë me rënie të shitjeve, parashikohet që në muajin shtator të merren masa për punonjësit, pasi duhet të ulen kostot dhe të rishikohet mënyra e operimit”, thotë administratorja e kompanisë Peja.
Gjatë stinës të verës, konsumi i birrës dyfishohet, por edhe importuesit shfaqen pesimistë për tendencë rritëse në muajt korrik-gusht, pasi shitjet, edhe pas hapjes së ekonomisë, ranë 20%. “Me hapjen e lokaleve nuk po shohim rritje të shitjeve dhe janë krijuar shumë stoqe, pasi nuk ka treg shitje. Importet po vazhduan në ritmet e muajit maj dhe qershor, me nisjen e korrikut do të ulen, pasi në magazinë janë krijuar shumë stoqe. Në muajt maj dhe qershor shitjet janë 20% më pak.
Nëse tendenca rënëse do të vazhdojë në majin korrik, stoku do të rritet 20%. Është një situatë me të cilën nuk jemi përballur më parë, pavarësisht përvojës në biznes dhe njohjes së tregjeve, jemi përpara një terreni të panjohur”, pohon zonja Begu. Në total, në tregun e birrës në vend, sasia e importuar në 4-mujorin e parë të 2020 zuri 50% të tregut. Importet në të njëjtat nivele ishin edhe në 2019 në tregun vendas./ Nga Dorina Azo / Monitor