Sindikata e profesorëve në Universitet kërkon shtyrje të zgjedhjeve në institucionet e arsimit të lartë në vend.
Pas studentëve, edhe sindikata e profesorëve shprehet se kërkohet garë reale, kurse shton se duhen po ashtu organe legjitime.
Njoftimi i Sindikatës së Profesorëve në Universitet:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
SINDIKATA E PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE TË SHQIPËRISË (SPUSH)
Rruga “Bilal Konxholli”, Pallati “Dr. &. Di”, Kati I, Njesia Administrative nr. 8, Tiranë
INUS: L91623453V,Cel. 0693589216, e-mail: sindikata.spush@gmail.com
Tiranë, më 04/07/2020
Thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve në universitetet publike.
- Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) po ndjek me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e vendimit të Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nr. 175, datë 30. 6. 2020, “Për zhvillimin e procesit zgjedhor për autoritet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Sindikata vëren se nuk është plotësuar asnjë kusht suplementar për adresimin e problematikave që kemi shtruar në deklaratën tonë të datës 06.05.2020, ku kërkonim shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por as të arësyeve për të cilat Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë mori vendimin Nr.108, datë 8.05.2020 “Për shtyrjen e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë….”:
- Së pari, këto zgjedhje në kohë pandemie dhe në mungesë të studentëve në Universitete janë formale sepse nuk krijojnë asnjë premisë e mundësi reale për konkurrim. Në kushtet kur numri i të prekurve me Covid-19 shtohet nga dita në ditë, hapja e fushatës për zgjedhje presupozon grumbullime studentësh e pedagogësh në takime me kandidatë për shefa departamentesh, dekanë dhe rektorë, të cilët do të shpalosin secili platformën e vet të drejtimit, gjë që në këto kushte është i pamundur, ashtu sic eshte e pamundur dhe llogaridhënia e drejtuesve aktualë që duan të rikonfirmohen, për rezultatet gjatë mandatit të tyre të sapo përfunduar.
- Një trupë zgjedhore me peshë vote prej 10 % zerohet ose mund të krijojë mundësi të korrupsionit zgjedhor, ku kandidatë të caktuar mund të “sjellin” për të votuar vetëm studentët e “porositur” sa për fasadë dhe sërish, në kuptimin e ligjit, do të përfaqësonin fiktivisht 10 % të votave.
Nga një sondazh që SPUSH i ka bërë orareve të provimeve në universitete të ndryshme rezulton se sezoni i provimeve në gjithë fakultetet mbaron më 25 korrik 2020, pra 5 ditë para zgjedhjeve, ndërkohë që disa universitete e fakultete (si Fakulteti i Gjuhëve të Huaja) po i bëjnë provimet on-line, madje kjo vetëm për vitet e fundit, ndërsa për vitet e tjera Bachelor dhe Master as nuk u lejohet ardhja ne universitet deri me 25 Gusht 2020, në zbatim të Urdhrit 104, datë 30.04.2020 të Ministrit ku, ndër të tjera, urdhëron IAL për: “… krijimin e mundësive për kthimin në auditor të studentëve të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme të të gjitha cikleve të studimit, për përsëritjen e leksioneve, seminareve apo punëve laboratorike, pas datës 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë jo më pak se 4 javë”.
Kjo hedh poshtë konstatimin e ministres se “… Sipas raportimeve që IAL-të kanë paraqitur për prezencën e studentëve në ambientet e tyre, muaji korrik do të ketë një numër të madh studentësh të pranishëm në provime.”!!!
Zgjedhjet në këtë kohë të pandemisë dhe mungesës së studentëve në universitete u mohojnë plotësisht të drejtën e votës studentëve me banim jashtë qytetit dhe rrethit ku gjendet universiteti. Si do të shkojnë studentët nga rrethet për të votuar në universitetet e Tiranës apo ato rajonale, ndërkohë që dhe godinat studentore janë të mbyllura? A mund të urdhërojë MASR kthimin e të gjithë studentëve në auditore vetëm për hir të zgjedhjeve? A mund të organizojë MASR ose universitetet transportin e sigurtë të studetëve të rretheve për takime elektorale dhe ditën e votimit?
Si për ironi, vetë zonja ministre, në një prononcim të saj, thekson se “… Pa patur mundësi të votojnë studentët, natyrisht që nuk mund të ketë zgjedhje të mirëfillta nëpër universitete…”
- Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë me bindje të plotë se zhvillimi i zgjedhjeve është jo vetëm detyrim ligjor por dhe jetik për mbarëvajtjen e administrimit të universiteteve, e konsideron si një element kompromentues të procesit zgjedhor mospjesmarrjen e studentëve, apo zhvillimin e tyre në mungesë të një konkurrimi real siç e detyron dhe Ligji i Arsimit të Lartë. Për këtë arësye do të kërkonim rishqyrtimin e këtij urdhri për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme ligjore që të kemi autoritete dhe organe drejtuese legjitime në universitetet publike.
Propozimi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë është që të bëhet një shtyrje tjetër e datës së zgjedhjeve dhe si periudhë e përshtatshme zgjedhjesh mendojmë se do të ishte java e katërt e fillimit të vitit të ri akademik 2020 – 2021.
NË EMËR TË SINDIKATËS SË PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE TË SHQIPËRISË
KRYETARI
Prof.asoc.dr. Sandër KOVAÇI