
Kina u shpreh sot e gatshme për t’iu bashkuar diskutimeve ruso-amerikano për reduktimin e armëve bërthamore, ashtu si kërkon SHBA-ja, por vetëm nëse këto të fundit angazhohen për të reduktuar arsenalin e tyre në nivelin kinez, 18 herë më të ulët.
Amerikanët dhe rusët zhvilluan në fund të qershorit në Vjenë diskutime në përpjekje për të zgjatur traktatin e reduktimit të armëve nukleare.
Kjo marrëveshje dypalëshe kufizon numrin shumë të madh të armëve të tyre bërthamore dhe përfundon në shkurt të vitit 2021.
SHBA-ja kërkon të përfshijë edhe Kinën në negociata duke theksuar se kapaciteti i saj bërthamor po zgjerohet me shpejtësi.
Pekini refuzon duke nënvizuar se ka një arsenal që nuk ka lidhje me sasinë e dy ish-rivalëve të Luftës së Ftohtë.
”Amerikanët disponojnë rreth 5 800 koka bërthamore dhe rusët 6 375, kundër 320 për kinezët, 290 për francezët dhe 215 për britanikët”, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit për Paqen (SIPRI).