Teoritë konspirative dhe mashtrimet në Ballkan

0

Me përhapjen e teorive konspirative dhe mashtrimeve, pandemia COVID-19 kërcënon të dëmtojë akoma më shumë demokracitë në Ballkanin Perëndimor.

Nga Florian Bieber

Ndërsa bota, përfshirë Ballkani Perëndimor, u prekën nga pandemia e COVID-19, dukej se shkenca mbizotëronte kudo.

Këshillat dhe ekspertizat mjekësore dukeshin se ishin më të rëndësishme sesa mesazhet e thjeshta populiste.

Nëse, në vitet e kaluara, faktet mund të mohoheshin dhe ekspertiza të denigrohej, dukej sikur pandemia kishte shënuar rikthimin e shkencës, ose siç theksoi shkencëtari politik Ivan Krastev në mars 2020, “Profesionalizmi është përsëri në modë”.

Kjo pikëpamje shpresëdhënëse nënvlerësoi fuqinë e dyshimit dhe konspiracionit. Gjatë më shumë se tre muajve të pandemisë deri më tani, bota ka parë shtimin e teorive konspirative, lajmeve të rreme dhe dyshuesve të versionit zyrtar të origjinës dhe përhapjes së sëmundjes dhe seriozitetit të saj.

Këto fenomene nuk janë të izoluara. Dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë imunë ndaj kësaj.

Një pjesë e konsiderueshme e popullsive në demokraci dhe shtete autoritare, në vendet e prekura keq dhe ato të prekura lehtë, janë pushtuar nga një shumëllojshmëri teorish konspirative dhe mashtrimesh.

Kjo nuk është aspak e habitshme duke pasur parasysh faktin se sëmundja jo vetëm që shoqërohet me ekspertizë mjekësore, por shkakton dinamikë sociale dhe psikologjike që shoqërohet me konspiracione.

Teori të tilla lulëzojnë kur njerëzit përpiqen të kuptojnë një ngjarje që u duket e pakuptimtë.

Përpjekje për të kuptuar ngjarje të rastësishme

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për vrasjen e një presidenti amerikan nga një njeri i vetëm apo nëse bëhet fjalë për një pandemi globale, ngjarjeve që në dukje janë të rastësishme u jepet kuptim përmes teorive konspirative.

Një tendencë e tillë është veçanërisht e theksuar kur ekziston një disonancë konjitive e rëndësishme midis shkakut dhe pasojës. Për shembull, një pandemi e shkaktuar nga infeksioni i rastësishëm i disa njerëzve nëpërmjet kafshëve ka shkaktuar miliona infektime dhe rreth gjysmë milion vdekje në të gjithë botën deri në mes të qershorit 2020.

Konspiracionet që lindin nga ngjarje të rastësishme në mënyrë paradoksale po fuqizojnë ata që nuk kanë fuqi.

Teoritë konspirative theksojnë gjithmonë një komplot të lig, shpesh nga një grup i vogël njerëzish kundër botës ose një kombi, duke shfuqizuar kështu individë ndërkohë që i lehtëson ata gjithashtu nga përgjegjësia e tyre.

Në të njëjtën kohë, konspiracionet ofrojnë një arsye për gjëra që ndodhin dhe nuk i konsiderojnë këtë ngjarje thjesht rastësi.

Teoritë konspirative përmbajnë dy përbërës kryesorë. Së pari, ato sugjerojnë një model ngjarjesh që përndryshe mund të duken të rastësishme, shpesh duke lidhur dy ose më shumë së bashku në një narrativë koherente, duke i dhënë kështu kuptim një situate.

Së dyti, ato atribuojnë përfshirje, pa sugjerojnë që dikush është përgjegjës.

Konspiracionet lulëzojnë veçanërisht kur ngjarjet prekin njerëzit personalisht, si pandemia, dhe kur besimi tek njohuritë dhe ara që ofrojnë këto njohuri, siç është shteti, shkenca dhe media, është i ulët.

Fajësohet Bill Gates

Teoritë konspirative që shoqërojnë COVID-19 mund të ndahen në dy grupe të mëdha.

Grupi i parë e pranon seriozitetin e sëmundjes dhe nuk mohon legjitimitetin e politikave të qeverisë, siç janë izolimet. Në vend të kësaj konspiracioni përqendrohet tek origjina dhe përhapja e sëmundjes. Ndërkohë që disa besojnë se COVID-19 u krijua në një laborator kinez nga shkencëtarët dhe, në disa raste, u përhap qëllimisht për të dobësuar vendet e tjera, të tjerë ia atribuojnë këtë virus aktorëve të ndryshëm, siç janë shkencëtarët amerikanë, ose përhapjen e tij grupeve të veçanta, të tilla hebrenjtë ose myslimanët, ose individë me qëllime të këqija.

Teoria më e zakonshme e konspiracionit fajëson miliarderin amerikan, themeluesin dhe filantropin e Microsoft, Bill Gates. Sipas kësaj pretendohet se ai kërkon të vendosë mikroçipe te njerëzit me anë të një vaksine, që të mund të ushtrojë më pas kontroll global. Lidhur ngushtë me këtë është edhe teoria e konspiracionit 5G që pretendon se instalimi i rrjeteve mobile 5G ka lidhje me përhapjen e sëmundjes.

Grupi i dytë e minimizon seriozitetin e virusit dhe pretendon se virusi në vetvete është një mashtrim ose është i ngjashëm me gripin e zakonshëm, i zmadhuar në shkallë nga qeveritë ose grupe të veçanta për të çuar para qëllimet e tyre.

Përveç këtyre teorive konspirative, të cilat kërkojnë të përshkruajnë shkurtimisht narrativa në lidhje me sëmundjen, origjinën dhe përhapjen e saj si dhe të interpretojnë kuptimin e saj, ekzistojnë edhe disa lloje mashtrimesh.

Këto – mund të quhen gjithashtu lajme të rreme ose jo të sakta – përfshijnë kura të rreme, siç është përdorimi i Hidroksiklorokinës ose terapisë së ozonit për të kuruar, trajtuar ose parandaluar COVID-19.

Mashtrimet mund të bashkëjetojë me fakte shkencore në lidhje me origjinën, përhapjen dhe seriozitetin e sëmundjes, por gjithashtu refuzojnë mjekësinë dhe shkencën konvencionale.

Teori të tilla konspirative mund të gjenden si në të majtë ashtu edhe në të djathtën, por zakonisht lidhen me ekstremet. Demonstruesit dhe grupet e rrjeteve sociale kundër masave të izolimit në Europë dhe Amerikën e Veriut përfshijnë lëvizje identitare të ekstremit të djathtë, grupe që janë kundër vaksinave dhe të tjerë që refuzojnë mjekësinë konvencionale.

Kështu, COVID-19 nuk shënoi një rikthim te shkenca dhe ekspertiza, por, përkundrazi, përkeqësoi dinamikën e mosbesimit që u shfaq në mes të rritjes së populizmit global, vënien e tij në dyshim të ekspertizës dhe nocionit se faktet nuk përcaktohen, por pretendohen.

Terren pjellor për teori konspirative

Në pamje të parë, mund të duket se Ballkani Perëndimor është i pajisur më mirë për të pritur valën e konspiracioneve në lidhje me COVID-19.

Rajoni e kaloi valën e parë më pak i prekur sesa disa pjesë të tjera të Europës, si Italia, Franca dhe Spanja.

Për më tepër, mediat konvencionale në rajon vazhdojnë të kenë një shtrirje shumë më të madhe sesa rrjetet sociale: 57 dhe 68 për qind e qytetarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut përkatësisht i marrin lajmet e tyre nga televizioni. Pra, shumë më tepër sesa janë ata që përdorin mediat online dhe rrjetet sociale për të marrë informacione të ndryshme.

Një shumicë e madhe e qytetarëve në të gjithë rajonin janë të vetëdijshëm se informacionet mashtruese dhe të rreme janë një problem. Besimi te televizioni u rrit gjatë pandemisë, ku ky i fundit ishte burimi kryesor i informacionit dhe, deri më tani, burimi më i besueshëm, duke lënë kështu pas të gjitha llojet e mediave të tjera.

Por lajmi i mirë mbaron këtu.

Nivelet e larta të polarizimit politik, një ndjenjë e fortë për mosqenien në gjendje të shprehesh lirshëm – më shumë se gjysma e popullsisë është disi ose shumë e frikësuar të shprehin mendimin e tyre në Mal të Zi, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovinë – dhe besimi i ulët tek institucionet është diçka e zakonshme.

Vazhdimisht, institucionet më të besuara janë organizatat fetare, ushtria dhe policia. Pra, institucionet më hierarkike, konservatore dhe më pak demokratike janë ato që gëzojnë më së shumti besim.

Besimi i ulët dhe polarizimi i lartë ofrojnë kështu një terren pjellor për lulëzimin e konspiracioneve.

Në Ballkanin Perëndimor, narrativat që sfidojnë shpjegimet mbizotëruese mjekësore mund të gjenden në disa mënyra të ndryshme.

Një mund të jetë refuzimi tradicional fetar i këshillave mjekësore. Liderë të ndryshëm fetarë refuzuan këshillat mjekësore dhe refuzuan t’i përshtatnin traditat e tyre fetare në përputhje me këshillat mjekësore.

Për shembull, një zëdhënës i Kishës Ortodokse Maqedonase shpjegoi përdorimin e së njëjtës lugë gjatë kungimit duke thënë: “Ne nuk do të ndryshojmë një traditë shekullore”. Edhe pse nuk ishte një teori konspirative, vetvetiu, kjo qasje hodhi poshtë provat mjekësore dhe në vend të kësaj i vendosi një vlerë më të madhe traditës.

Një variant i dytë mund të ishin teoritë konspirative që qarkullonin në rrjetet sociale dhe që pasqyronin komplotet e lartpërmendura globale. Ato gjetën disa mbështetës të njohur, përfshirë deputeten serbe Nada Kostiç, një mjeke dhe për pak kohë ministre e shëndetësisë në vitin 2001, e cila shprehu dyshimin se COVID-19 nuk është fare një virus dhe akuzoi se pas përhapjes së sëmundjes fshiheshin Bill Gates, 5G dhe filantropi miliarder George Soros.

Në të njëjtën linjë, një figurë kryesore e opozitës malazeze, Nebojsa Medojeviç e Frontit Demokratik, pohoi në një postim në Tëitter se “Komunizmi nisi në Angli dhe Gjermani dhe zuri rrënjë në Rusi dhe Lindjen Ortodokse. Shënjestra ishin Romanovët! Koronavirusi e pati origjinën në Kinë dhe zuri rrënjë më së miri në SHBA! Shënjestra është Trump! Pas komunizmit dhe koronavirusit janë rtë njëjtat qendra”.

Ndërkohë që mund të jetë e lehtë të hedhësh poshtë deklarata të tilla, ato përforcojnë teoritë ekzistuese nacionaliste dhe të djathta të komplotit që akuzojnë Sorosin ose individë të tjerë se po kontrollojnë botën.

“Virusi më idiot”, thotë specialisti serb i mushkërive

Varianti i tretë mund të përshkruhet si teori konspirative dhe mashtrime qeveritare.

Një promovues i shquar i kurave të rreme ka qenë pronari i konglomeratit më të rëndësishëm të televizionit privat në Serbi, Zeljko Mitroviç, i cili është një përkrahës i ngushtë dhe i zjarrtë i presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Në televizion dhe në profilet e tij në rrjetet sociale, Mitroviç tregoi se si e përdori terapinë e ozonit për veten e tij si një trajtim parandalues për COVID-19, edhe pse nuk ka prova shkencore për të mbështetur efikasitetin e kësaj kundër koronavirusit.

Duke marrë parasysh që TV Pink në pronësi të tij është media e dytë më e ndjekur në Serbi, një mashtrim i tillë ka të ngjarë të arrijë një audiencë të gjerë.

Megjithatë, zëri më i spikatur i komploteve dhe mashtrimeve në Serbi ka qenë Branimir Nestoroviç, i cili u bë i njohur pasi u bë anëtar i ekipit qeveritar për luftimin e pandemisë.

Ndërkohë që është një ekspert për sëmundjet respiratorë, ai fitoi famë për deklaratat e tij të egra për pandeminë. Edhe para se pandemia të prekte rajonin, me Vuciçin duke qeshur pas tij, Nestoroviç u shpreh në një konferencë për shtyp se COVID-19 ishte “virusi më idiot në historinë e njerëzimit” dhe pretendoi se gratë janë të mbrojtura nga virusi për shkak të hormoneve të tyre.

Edhe pas shpërthimit të pandemisë në Serbi, ai vazhdoi të sugjeronte se serbët kishin gjenet “më të mira” që i mbronin ata nga sëmundja, një pretendim që qarkullonte gjerësisht në tabloidë dhe televizione.

Përveç pretendimit se kombet janë gjenetikisht të ndryshëm, gjë që nuk ka një bazë shkencore, deklarata të tilla u dhanë atyre që i besuan këto një lloj ndjenje të rreme sigurie.

Konsensusi i fortë mjekësor për origjinën, përhapjen dhe seriozitetin e sëmundjes është gërryer kështu nga teoritë konspirative dhe mashtrimet nga drejtime të ndryshme dhe shumë qytetarë i kanë besuar teori të tilla.

Frikë, paranojë, mosbesim…

Sipas një sondazhi të fundit, 27 për qind e qytetarëve serbë besojnë se COVID-19 u krijua nga shkencëtarët amerikanë dhe 19 për qind besojnë se ai ishte vepër e shkencëtarëve kinezë.

Duke marrë parasysh faktin se të dy opsionet janë reciprokisht ekskluzive, gati gjysma e popullsisë serbe beson një teori konspirative mbi origjinën e virusit. Këto shifra nuk janë befasuese.

Një studim më i detajuar në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se 10 deri në 20 për qind e popullsisë besojnë një shumëllojshmëri teorish konspirative, duke filluar që nga krijimi i virusit nga Kina si një armë biologjike për grupe dhe individë të ndryshëm (hebrenjtë, myslimanët apo Bill Gates-in), të cilët e kanë përhapur ose krijuar virusin për të arritur qëllimet e tyre.

Teori dhe mashtrime të tilla mund të jenë vdekjeprurëse nëse dëmtojnë masat e qeverive për të frenuar përhapjen e pandemisë. Ato janë gjithashtu helmuese për demokracitë.

Kështu, në vend që të rikthejë besimin tek ekspertiza, pandemia mund të forcojë shumë politikën e frikës, paranojës dhe mosbesimit ndaj disavantazhit të madh të demokracisë, madje edhe në Ballkanin Perëndimor.

Mendimet e shprehura janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e BIRN.

Ky artikull u realizua si pjesë e programit rajonal “Ballkani Perëndimor: Të kuptosh dhe Parandalosh Ndikimin Anti-Perëndimor” të vënë në zbatim nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, IRI, në Sarajevë. Mendimet e shprehura nga autori jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e IRI.

Artikulli i mëparshëmArta Marku dhe Rama liruan Kajmakun/ Bardhi: Skenar mafioz
Artikulli i radhësVIDEO/ Pamjet nga Shkodra, si makina u përplas me murin dhe shkaktoi një viktimë