COVID-19: Pse zgjodhëm eleminimin total. Flet doktori që hartoi strategjinë e suksesshme të Zelandës së Re

    0

    Zelanda e Re është vlerësuar gjerësisht për përgjigjen e saj agresive ndaj covid-19. Por Michael Baker, mjeku që hartoi strategjinë e eliminimit të ndjekur nga ana e Zelandës së Re, thotë që disa nga kolegët e tij fillimisht menduan se ishte një plan tepër radikal dhe i rezistuan zbatimit të tij. “Disa e krahasuan atë me përdorimin e një kamxhiku, për të vrarë një plesht,” thotë ai.

    Rasti i parë i covid-19 në Zelandën e Re u regjistrua në 28 shkurt. Ashtu si shumica e vendeve, ajo fillimisht planifikoi të forcojë gradualisht masat e kontrollit pasi virusi mori vrull. Por Baker, një ekspert i shëndetit publik në Universitetin e Otagos, i cili është në panelin këshillues të qeverisë për Covid 19, besoi se kjo ishte qasja e gabuar. “Mendova se duhet ta bënim në rendin e kundërt, dhe t’i kundërviheshim pandemisë me gjithçka, që në krye të herës”, thotë ai.

    Baker u frymëzua nga raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë pas misionit të saj i përbashkët në Kinë në shkurt, i cili dokumentoi sesi vendi e frenoi covid-19 kur ishte në kulmin e vet. Kjo bindi Baker-in, se edhe Zelanda e Re mund të frenonte përhapjen e virusit dhe madje ta eleminonte atë plotësisht, nëse do të zbatonte një bllokim të rreptë, sa më shpejt të ishte e mundur.

    Sidoqoftë, ekspertë të tjerë argumentuan se Zelanda e Re duhet të ndiqte një qasje më të lehtë si Suedia, e cila kurrë nuk u mbyll plotësisht. Shumë besuan se përhapja e covid-19 ishte e pashmangshme dhe se një strategji eliminimi “nuk do të funksiononte”, thotë Baker. Të tjerë menduan se mbyllja e vendit do të çonte në papunësi masive, varfëri dhe vetëvrasje, gjë që peshonte më shumë, se sa përfitimet e frenimit të virusit.

    Qeveria vendosi përfundimisht të ndiqte me këshillat e Baker-it, ndoshta për shkak të së kaluarës së tij të suksesshme, në sektorin e shëndetit publik. Në vitet 1980, për shembull, ai ndihmoi në krijimin e programit të parë kombëtar të gjilpërave në botë, që ka bërë që, nivelet e HIV midis përdoruesve të drogës me injektim në Zelandën e Re të jenë ndër më të ulëtat në nivel global.

    Më 25 mars, kur Zelanda e Re kishte vetëm 205 raste të covid-19 dhe asnjë vdekje, qeveria zbatoi një nga izolimet më të rrepta në botë, duke lejuar njerëzit të linin shtëpitë e tyre vetëm për arsye thelbësore si blerja e ushqimeve dhe shkuarja te mjeku. Kjo pasoi me mbylljen e kufijve të Zelandës së Re më 19 mars.

    Baker u ndje “shumë i prekur” nga vendimi i qeverisë, por edhe i shqetësuar, sepse nuk e dinte nëse do të funksiononte. “Si shkencëtar, ndjehesh shumë i shqetësuar nëse jep këshilla, në një kohë kur baza e provave nuk ekziston ende, veçanërisht kur bëhet fjalë për diçka që mund të jetë e dëmshme për njerëzit,” thotë ai. Sidoqoftë, vënia e të gjithë vendit herët në karantinë shtëpie, çoi në shuarjen e transmetimeve komunitare dhe u dha autoriteteve kohë për të forcuar kapacitetet e testimit dhe të gjurmimit të kontakteve, që në fillimisht ishin “me të vërtetë shumë dobët”, thotë Baker.

    Vendi ka regjistruar vetëm 1515 raste të covid-19 dhe 22 vdekje deri më tani, dhe nuk ka pasur ndonjë rast të ri, me burim lokal që nga 22 maji. Rastet aktuale aktive janë të gjithë qytetarët në karantinë, të mbikëqyrur pas kthimit nga jashtë.

    Më 8 qershor, Zelanda e Re hoqi të gjitha kufizimet, përveç masave të kontrollit kufitar. “Ekzistonte një ndjenjë e mrekullueshme lehtësimi,” thotë Baker.

    Ai është krenar për suksesin e Zelandës së Re, por thotë se është e rëndësishme të mos biem në vetëkënaqësi. Baker paralajmëron se vendet e tjera që në dukje kanë arritur të mposhtin virusin, të tilla si Kina dhe Koreja e Jugut, kanë përjetuar shpërthime të mëvonshme.

    Javën e kaluar, Zelanda e Re u trondit nga lajmi se dy gra kishin rezultuar pozitive për covid-19 pasi u kthyen nga Britania e Madhe dhe u lejuan të linin karantinën më herët, për të vizituar një të afërm që po vdiste. Gjurmimi i gjerë i kontakteve nisi menjëherë.

    Për të mbrojtur kundër një valë të dytë në Zelandën e Re, Baker mendon se maskat duhet të mbahen me detyrim në transportin publik, avionët dhe në kontrollin kufitar, si dhe në vendet e karantinës.

    Për të, një gjë pozitive e daljes nga pandemia është se ajo ka treguar sesi masat proaktive të qeverisë mund ta mbrojnë publikun nga rreziqet e shmangshme. Baker shpreson se kjo do të frymëzojë veprime më ambicioze mbi ndryshimin e klimës dhe humbjen e biodiversitetit.

    “Njerëzit thonë : ‘Mezi po pres t’i kthehem biznesit si zakonisht’, por ka shumë gjëra që duhet t’i bëjmë më mirë,” thotë ai. “Shpresoj se ky është mësimi që nxjerrim nga kjo ngjarje e tmerrshme”. / focus – bota.al

    Artikulli i mëparshëmDënohen dy italianët që vranë të riun shqiptar pse ndërhyri për të mbrojtur një vajzë
    Artikulli i radhësEmiratet dhe Izraeli, më shumë sesa një “martesë interesi”