Epidemiologia shqiptare në SHBA: Nuk mjaftojnë 300-400 testime në ditë, nuk shkohet gjëkundi me izolim

0

Rubina Muzina, epidemiologe në një spital të Teksasit në SHBA, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të rrisin numrin e testimeve.

“Testimet duhet të rriten, nuk mjaftojnë 300-400 testime në ditë. Task forca shqiptare duhet të bëjë me urgjencë zgjerim të testimeve me tampon. Me testimet serologjike po harxhohet kohë dhe fonde. Duhet testim i shpejtë dhe agresiv”, tha Muzina.

Sipas saj, SHBA-ja e pa se nuk shkohej kurrkund vetëm me izolim dhe gjurmim të personave të kontaktit dhe për këtë arsye ndryshoi strategji: “E pamë se vetëm me izolim dhe gjurmim të personave të kontaktit nuk ia dilej dhe kemi nisur testimin e gjerë të popullatës. Testimet janë falas dhe kjo është një lloj strategjie që ka vendosur Amerika për ta ndjekur. Duhen kapur rastet asipmtomatike, pasi janë këta persona që po sjellin këto shifra të përkeqësuara”.

Sipas saj, edhe pse shifrat nuk po ulen në të gjithë botën, “nuk jemi njëlloj si në mars, pasi tani ka trajtime”.

“Kjo vjeshtë nuk do të na gjejë si marsi. Ka disa ilaçe dhe tani mësuam se si mund të punojmë nëpër spitale në rrethana të tilla. Një spital mund ta shndërrojmë për 1-2 orë në një spital Covid”, tha epidemiologia.

Në lidhje me vaksinën, Muzina u shpreh: “Vaksinën mund ta kemi nga janari dhe mesa shoh, kjo mund të bëhet edhe si diçka sezonale, si vaksina e gripit”.

Artikulli i mëparshëmTransporti publik: Veliaj na premtoi heqje taksash, pastaj na solli zarfin
Artikulli i radhësReforma dhe zgjedhjet/ Sa po rrezikon Rama me gjermanët dhe PPE