Votat e nevojshme në parlament për miratimin e Kodit Zgjedhor të ardhur nga Këshilli Politik janë drejt plotësimit. Pas deklarimit të votës pro të 6 deputetëve të opozitës parlamentare, duket se kuorumi për votimin e Kodit Zgjedhor në parlament po arrihet.
Fatjona Dhimitri, Artur Roshi, Besnik Troplini, Suzana Topi, Gjetan Gjetani dhe Lefter Maliqi deklaruan sot votën e tyre pro konsensusit të arritur në Këshillin Politik.
PS ka 74 vota, 1 PSD dhe duke shtuar 6 të deputetëve të opozitës, bëhen 81 deputetë deri tani pro kodit zgjedhor të dalë nga Këshillit Politik. E vetmja pikëpyetje mbetet tek 3 deputetë të PDIU (Elena Xhina, Reme Lala dhe Dritan Bici hynë në parlament nga listat e PDIU por me daljen e opozitës nga parlamenti hynë në grupin parlamentar demokrat që drejtohet nga Myslim Murrizi) për të bërë shumicën e nevojshme për të kaluar kështu kodin zgjedhor. Ndërkohë sot PS deklaroi se i qëndron marrëveshjes dhe se do ta kalojë më 23 korrik.