Gjatë vitit të kaluar, vetëm 33.6% e totalit të lejeve të drejtimit të lëshuara në vendin tonë kanë qenë për gra apo vajza, pra rreth 1/3 e totalit, çka sinjalizon mentalitet ende diskriminues ndaj grave dhe vajzave.
Por cilat qytete janë ato më pak fanatiket dhe ato më fanatiket karshi vajzave shofere?
“Scan” ka përpunuar të dhënat e publikimit të fundit të Instat për burrat dhe gratë duke përpiluar një listë sipas qarqeve të vendit sipas raporti gjinor të patentave të reja të lëshuara në 2019 në atë qark.
Paçka se Instat i referohet me qarqe ose prefektura, në të vërtetë bëhet fjalë për drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor, pasi në listë figurojnë si qarqe edhe Saranda apo Laçi, të cilat nuk janë qarqe. Në vend të parë qëndron kryeqyteti, ku gjatë vitit të kaluar, 41.4% e lejeve të reja të drejtimit ishin për gra apo vajza. Më pas ndjek Durrësi me 38%, Shkodra me 36.6% dhe Vlora me 34.5% të totalit të lejeve të drejtimit të lëshuara.
Në vend të katërt ndjek Laçi me 32.4%, më pas Saranda me 31.2%. Elbasani me 30%, Fieri me 25.9%, Kukësi me 25.8%, Gjirokastra me 25.4%, dhe Korça me 23.2% vijojnë listën. Dy qytetet e fundit të listës ndërkohë janë Berati me 21.5% dhe Dibra e vendit të fundit me vetëm 18.6% të lejeve të reja të drejtimit për gra apo vajza.