Turqia regjistroi sot rënie të numrit të rasteve ditore të të infektuarve me koronavirusin e ri (COVID-19), me 1.008 të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 214.001, transmeton Anadolu Agency (AA).
Numri i rasteve ditore ka rënë çdo ditë, pasi 1.016 raste të reja u raportuan të shtunën dhe 1.012 të dielën.
Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, në Twitter njoftoi se bazuar në të dhënat nga një mesatare prej një jave më parë, vendi është i vendosur të ulë numrin e rasteve ditore nën 1.000.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, vendi konfirmoi 1.156 pacientë të shëruar në 24 orët e fundit nga koronavirusi i ri, duke e çuar shifrën e të shëruarve në 195.671.
Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Turqi arriti në 5.382, me 19 të vdekur në 24 orët e fundit.
Turqia ka kryer mbi 4,02 milionë teste të dyshuara për COVID-19, ndërsa vetëm gjatë ditës së fundit ka kryer 46.492 teste.
Ministri Koca theksoi se kryeqyteti Ankara, Stambolli, si dhe provincat në juglindje të Turqisë, Gaziantepi, Şanlıurfa dhe Diyarbakır, janë pesë provincat që kanë regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve, duke shtuar se këto qytete gjithashtu kanë numrin mesatar më të lartë të pacientëve në kujdes intensiv.