Kujdes në rrugë, 136 mijë makina nuk kanë siguracion

0

Pandemia e Covid- 19 ka ndikuar në rritjen e numrit të automjeteve në vend që qarkullojnë pa sigurim të detyrueshëm. Mësohet se janë rreth 136 mijë automjete që nuk kanë bërë sigurimin e detyrueshëm motorik.

Shifra u publikua nga drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete gjatë raportimit vjetor para Komisionit të Ekonomisë në Kuvend.

Mete vuri në dukje faktin se pandemia rriti me 22 % numrin e makinave të pasiguruara, shifër që përbën një risk sistemik për Fondin e Kompensimit dhe për gjithë tregun e sigurimeve.

Më tej, kreu i AMF u ndal në zhvillimet kryesore të vitit të kaluar, si edhe përmendi disa nga objektivat për vitin në vazhdim, duke marrë parasysh edhe efektet e pandemisë COVID-19 në tregjet nën mbikëqyrje.

Referuar tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit, të cilat ishin ngjarjet që shënjuan vitin 2019 sa i përket tregut të sigurimeve, bazuar në vlerësimet e deritanishme vlera e kërkesave për dëmshpërblim arriti nivelin 475 milionë lekë për ngjarjen e 21 shtatorit dhe rreth 3.65 miliardë lekë për ngjarjen e 26 nëntorit, – bëri me dije Mete.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, ngjarjet e tërmetit nxorën në pah domosdoshmërinë e zgjerimit të mbulimit të sigurimit të pronës, duke qënë se afro 2.5% e banesave kanë një mbulim të tillë.

Mete informoi Kuvendin edhe në lidhje me masat rregullatore të ndërmarra nga Autoriteti pas dy katastrofave natyrore për të garantuar shëndetshmërinë e tregut të sigurimeve, duke rritur me 34.4% provigjonet teknike, krahasuar me vitin 2018, që përbën rritjen më të madhe të realizuar ndonjëherë ndër vite.

Referuar Fondit të Kompensimit, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv deklaroi se Autoriteti ka vijuar monitorimin e procesit të pagesave të prapambetura. Gjatë vitit 2019 u paguan rreth 604 milionë lekë dëmshpërblime me objekt Fondin e Kompensimit.

Kostot e krijuara për këtë fond nga mjetet e pasiguruara transferohen tek mbajtësit e rregullt të policave të sigurimit, duke reflektuar në primin e tyre të sigurimit. Ndaj, kërkohet veprim në këtë aspekt.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se Autoriteti ka punuar për të plotësuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi, duke patur në vëmendje nxitjen e qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë së tregjeve financiare që mbikëqyren, mbrojtjen e interesave të investitorëve dhe personave të siguruar dhe sigurimin e respektimit të ligjit.

Mete theksoi se pandemia COVID-19, në varësi të shtrirjes së efekteve në tregjet nën mbikëqyrje, do të përcaktojë sfida domethënëse për Autoritetin gjatë pjesës së mbetur të këtij viti, por edhe në vazhdim.

“Autoriteti do të vijojë të monitorojë zhvillimet në tregjet nën mbikëqyrje, ndërsa mbetet i angazhuar për hartimin e protokolleve të qarta për menaxhimin e krizave, me qëllim amortizimin e pasojave të tyre, shoqëruar me fleksibilitetin e vendimmarrjes në situata emergjence, në linjë edhe me rekomandimet e autoriteteve evropiane.

Gjithashtu, AMF synon të përmirësojë planet e vazhdimësisë së biznesit për subjektet nën mbikëqyrje, duke arritur njëkohësisht një përputhshmëri të lartë me standardet ndërkombëtare të sigurimeve dhe të tregjeve të kapitalit,” theksoi Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv.

Mete deklaroi se gjatë këtij viti drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit, duke marrë në konsideratë edhe ndikimet e COVID-19 në tregjet nën mbikëqyrje do të përqendrohen te menaxhimi i situatës dhe ruajtja e qendrueshmërisë së tregjeve të mbikëqyrura, mbikëqyrja efektive dhe zhvillimi i mëtejshëm i tregjeve, digjitalizimi, plotësimi i kuadrit ligjor dhe mbrojtja e personave të siguruara dhe investitorëve.

Artikulli i mëparshëm4 gjërat që duhet të dini kur një mizë prek ushqimin tuaj, rreziqet që sjell
Artikulli i radhësSekretariati i Energjisë: Në Shqipëri falsifikohen të dhënat nga rafineritë dhe importuesit