Ndërkombëtarët, ku ngjan regjimi i Ramës me atë të Enverit

0

Kam lexuar shumë komente pas deklarimit të Ramës se do të ndryshojë Kushtetutën që të pengojë koalicionet. Ndër komentet opozitare mbizotërojnë ato se kësaj here Rama ka shkelur në “dërrasë të kalbur”, pasi ka dalë kundër ndërkombëtarëve që kanë deklaruar me forcë se marrëveshja e 5 qershorit duhet respektuar dhe aprovuar ashtu siç është.

“Më në fund, edhe ata e kanë kuptuar se cili është Rama i vërtetë”, thonë komentuesit. Ka të tjerë që na kujtojnë se kjo ka ndodhur më herët: që kur Rama prishi Teatrin në sy të të gjithë Europës. Disa shtojnë si “dërrasë të kalbur” edhe përfshirjen e tij në aferën e pistë antieuropiane të ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Rëndësia që i jepet këtij ndërgjegjësimi të ndërkombëtarëve tregon se çfarë peshe ka te ne mbështetja ose jo nga ana e tyre e qeverisë që kemi mbi krye. Duket sikur ajo thënia e njohur, sipas së cilës “Çdo popull ka qeverinë që meriton”, te ne është kthyer në: “Populli shqiptar ka qeverinë që mbështesin ndërkombëtarët” dhe se kundërvënia ndaj tyre gati-gati barazohet me rrëzimin e saj. Po sa është vërtet kështu?

Po ta shohësh pak më thellë, thënia se çdo popull ka qeverinë që meriton nuk është ashtu dhe aq e vërtetë, ashtu sikurse edhe ajo se ne kemi gjithmonë qeverinë që mbështesin ndërkombëtarët. Pa e mohuar vërtetësinë e pjesshme të këtyre pohimeve, do të thosha se i afrohemi më shumë së vërtetës nëse themi edhe se “Çdo popull ka qeverinë që i imponon sistemi i pushtetit që është ngritur në vend”. Që do të thotë se populli, megjithë mëkatet e veta, mund të mos e meritojë qeverinë që ka; që ndërkombëtarët, megjithë bashkëpunimet e tyre, mund të mos e mbështesin atë, por se kjo qeveri, si shprehje e sistemit të pushtetit në vend, mund t’u imponohet të dyja palëve. Historia e Enver Hoxhës, prej nga ne vijmë, është ilustruese e kësaj ideje: nuk mund të thuash se qeveria e tij ishte shprehje e vullnetit të popullit dhe as e vullnetit të ndërkombëtarëve, – perëndimorëve jo e jo, por në një pikë as edhe e Kampit Lindor që e kishte pas mbështetur. Tek e fundit, ajo u imponua në sajë të sistemit të pushtetit që ngriti në vend një bandë – ku krimi në formën e terrorit stalinist dhe të shfrytëzimit të të burgosurve politikë nëpër Gulage kishte një peshë kryesore – nga i cili nuk tërhiqej dot, qoftë edhe me koston e prishjes me mbështetësit e fuqishëm ndërkombëtarë dhe fitimin e urrejtjes popullore.

“Toute proportion gardée” sikurse thonë francezët, d.m.th. duke pasur parasysh diferencat në krahasimin midis dy regjimeve, gjykoj se kemi mjaft ngjashmëri midis dy fenomeneve historike shqiptare.

Në pikën ku kemi arritur duke ecur mbi dërrasat e shumta të kalbura të Ramës, vendimi i tij për të mos lejuar koalicione si manovër për të mos ia lëshuar me asnjë çmim qeverinë opozitës, vjen si pasojë e një procesi ku pushteti i krimit nuk mund të pranojë mundësinë e një qeverie tjetër, të ngritur nga një opozitë që ka denoncuar simbiozën e krimit me politikën, me Policinë e Shtetit, pastrimin prej tij të parave të pista nëpërmjet lejeve të ndërtimit apo koncesioneve, kanabizimin e vendit etj., etj.

Ne e kemi parë se sa ka vuajtur Rama për t’i përgënjeshtruar këto, se sa të madhe e ka pasur dhe e ka vullnetin që zhduk fare nga skena të gjithë “kazanët”, “plehrat”, “shpifësit” e “delet” që i thonë këto gjëra, deri edhe t’u bërtasë ndërkombëtarëve “gënjeshtra!”, “gënjeshtra!” kur ia kanë përmendur. Kjo që po bën është përpjekja për realizimin përfundimtar të këtij vullneti. Mirëpo, duke pasur parasysh kontekstin europian ku vepron, nuk mund t’ia lejojë vetes ndryshimin deri në atë pikë të Kushtetutës, sa të shpallë Rilindjen si partinë e vetme udhëheqëse të jetës politike të vendit. “De facto” ai këtë synon, por “de jure” kërkon ta arrijë këtë nëpërmjet një ndryshimi kushtetues që i mundëson të fitojë përsëri. Hapi tjetër vjen më vonë.

“Kjo do ta vendoste Parlamentin Shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në BE”, deklaroi zv.kryetari i Grupit të CDU-CSU, Wadephul, “Populli shqiptar nuk e meriton këtë”.

Duket se edhe Wadephul mendon që thënia “Populli ka qeverinë që meriton” nuk është ashtu dhe aq e vërtetë, përderisa ne durojmë ende këtë qeveri. Duke e konsideruar aktin e Ramës si “kundër” BE-së, ai paralajmëron braktisjen e mbështetjes europiane ndaj qeverisë Rama, duke na vënë kështu përpara pikëpyetjes: A është më e vërtetë thënia se populli shqiptar ka qeverinë që mbështesin ndërkombëtarët, apo se ka qeverinë që i imponon (edhe ndërkombëtarëve) sistemi kriminal i pushtetit, që ndihet më i sigurt kur ecën mbi dërrasa të kalbura?

Panorama

Artikulli i mëparshëmI hoqën patentën për konsum alkoli, Brozovic ironizon tifozët: “Premtoj, vetëm ujë”
Artikulli i radhësRama me gjuhën jashtë/ Çfarë janë broshurat që surprizuan qytetarët sot në mëngjes (FOTO)