Tek firmat e vogla, një në 3 në të gjithë botën, janë detyruar të shkurtojnë vende pune në muajin maj për t’i mbijetuar pandemisë së koronavirusit, sipas një sondazhi që tregoi vështirësinë e infeksionit tek ekonomia botërore. Rreth 26% e firmave të vogla e të mesme të anketuara nga Facebook, në partneritet me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik si dhe Bankën Botërore, bënë të ditur se ishin mbyllur nga mes Janarit dhe Majit 2020.
Sondazhi mori përgjigjen e mbi 30,000 liderëve të bizneseve të vogla nga mbi 50 shtete. Tek bizneset që kanë qëndruar të hapura kur është zhvilluar sondazhi, thuajse 2/3 përmendën shitje të ulëta në 30 ditët e fundit nga e njëjta periudhë një vit më parë. Për t’i bërë ballë “sfidës më të madhe në histori”, një e treat e bizneseve të vogla u përgjigjën se kanë reduktuar fuqinë punëtore. “Covid-19 nuk është vetëm një emergjencë publike, por edhe një krizë ekonomike që po godet bizneset e vogla e të mesme”,- thekson raporti. Firmat e vogla e të mesme me një llogari biznesi në Facebook janë anketuar në serinë e parë të mbledhës së të dhënave në një periudhë 6-mujore, që synon të vlerësojë ndikimin e pandemisë tek këto.
Koronavirusi detyroi qeveritë në të gjithë botën që të vendosin masa të karantinës këtë vit, duke gjunjëzuar aktivitetin ekonomik dhe zhytur shumë ekonomi në recesion. Sondazhi theksoi se sektorët që përqendrohen tek konsumatori janë goditur më rëndë. Rreth 54% e agjencive të turizmit dhe 47% e bizneseve të vogla që punojnë në mirëpritjen e turistave dhe manaxhimin e eventeve, bënë të ditur se ishin mbyllur në periudhën e sondazhit. Bizneset e drejtuara nga gratë kishin më shumë gjasa të ishin mbyllur gjatë kohës së sondazhit, krahasuar me firmat e drejtuara nga burrat.