Zyra e shtypit e Parlamentit Europian i ka dhene pergjigje shqetesimit te krijuar per fshirjen nga faqja zyrtare te deklarates se tre eurodeputeteve dhe botimit te saj, disa ore me pas.
Në një përgjigje per “Panorama” zyra e shtypit të Parlamentit Europian informon se deklarata u fshi nga faqja, pasi ajo qe ishte postuar gabimisht nuk ishte deklarata finale, por mesazhi eshte i njejti me ate qe u publikuar sot paradite.
“Përshëndetje,
Faleminderit për e-mailin tuaj.
Deklarata është përsëri në internet.
Për shkak të një gabimi, versioni i parë jo përfundimtar i deklaratës u ngarkua gabimisht.
Mesazhi i deklaratës është i njëjtë dhe është e qartë, marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore duhet të zbatohet plotësisht”, thuhet në përgjigjen me e-mail të PE për “Panorama”.
Çfarë ndodhi
Pak orë pasi u fshi nga faqja zyrtare, Parlamenti Europian ka publikuar sot edhe një herë, duke i ndryshuar një fjali, deklaratën e tre përfaqësuesve të saj, të majtë dhe të djathtë për çështjen e ndryshimeve kushtetuese në Shqipëri, ku i kërkojnë Qeverisë shqiptare të votojë pa humbur kohë paktin e 5 Qershorit.
ISHTE: “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit dhe për rrjedhojë, të ngadalësojë procesin e integrimit europian”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tre eurodeputetëve.
ESHTE: “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të mblidhet konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të vazhdojë procesin e integrimit evropian”.
Siç thuhet sot në faqen e PE, në një deklaratë të përbashkët, tre eurodeputetët dërgojnë një mesazh të fortë: “Nëse Shqipëria dëshiron të fillojë negociatat e pranimit, ajo duhet të përmbushë angazhimet e saj”.