Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa me anë të një deklarate për mediat ka hedhur akuza ndaj Drejtorit të Transportit Rrugor të Shqipërisë, Blendi Gonxhe, duke thënë se ai është paguar mbi 220 milionë lekë nga qeveria për kompaninë e tij private të transporteve.
Më tej Zhupa ka bërë thirrje që Prokuroria të hetojë këtë skemë vjedhjeje dhe skemën gjigande të korrupsionit me patentat, të denoncuar në media.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA E PD, INA ZHUPA
Përshëndetje!
Ndodhem tek Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, e cila drejtohet nga Blendi Gonxhe.
Shumë shpesh, media e ka cilësuar mikun e kryeministrit në ikje si një nga drejtorët më të korruptuar të administratës.
Media ka bërë të njohur të dhëna për sistemin e ryshfeteve që Blendi Gonxhe ka perfeksionuar për t’u zhvatur para qytetarëve që marrin një patentë.
Ata që kanë ardhur të paktën 1 herë tek zyrat e patentave, e njohin shumë mirë këtë sistem korrupsioni. Por Blendi Gonxhe nuk kënaqet vetëm me zhvatjen direkt të qytetarëve.
Blendi Gonxhe përfiton miliona lekë nga buxheti i shtetit përmes një kompanie private, të vendosur në emër të bashkëshortes.
Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor ka në pronësi një kompani private për transport udhëtarësh, të cilën e përdor për t’u dhënë makina me qera kolegëve të tij në institucione të tjera shtetërore. Janë rreth 220 milionë lekë që Blendi Gonxhe ka përfituar me këtë biznes në konflikt të hapur interesi.
Nëse do të këtë një hetim nga Inspektorati i Kontrollit të Pasurive, do të gjejë se institucione qendrore, të drejtuar nga miq të Blendi Gonxhes, kanë paguar miliona lekë për kompaninë e tij, ndërkohë që ky vetë është në këtë pozicion kyç të sektorit të Transporteve.
Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Parlamenti, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, por veçanërisht Agjencia e Planifikimit të Territorit, paguajnë me miliona lekë kompaninë private të Blendi Gonxhes së Drejtorisë së Transporteve për të siguruar makina me qera apo shërbime të tjera transporti.
Janë miliona lekë për transport privat që paguhen nga taksat e qytetarëve direkt e në xhepin e mikut të kryeministrit që drejton Transportin Rrugor të Shqipërisë. Ky është një aktivitet në konflikt të hapur interesi.
Është shkelje e ligjit, që tregon sesa të babëzitur janë këta që na drejtojnë. Blendi Gonxhe, që përdor miqësinë me Edi Ramën për të zhvatur çdo qindarkë nga taksat dhe nga xhepat e shqiptarëve në çdo formë dhe mënyrë, është funksionari tipik i korruptuar i qeverisë në ikje.
Më e pakta që Blendi Gonxhe mund të bëjë sot është të japë dorëheqjen. Ndërsa prokurorisë i takon të mos heshtë. Kjo skemë e përfitimit të parave duhet hetuar, njësoj siç duhet hetuar edhe skema e vjedhjes gjigande përmes sistemit të patentave.