Rusia ka mohuar se ka kryer sulm kibernetik ndaj Universitetit të Oksfordit, por ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje me këtë institucion dhe kompaninë farmaceutike “AstraZeneca” për prodhimin e vaksinës.
Deklarata erdhi pasi Kremlini u akuzua për përpjekje të vjedhje të të dhënave për vaksinën përmes sulmit kibernetik, shkruan “Daily Mail”.
Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja thanë të enjten se hakerat e përkrahur nga shteti rus janë duke u përpjekur t’i vjedhin të dhënat e hulumtimeve për zbulimin e vaksinës dhe trajtimit kundër koronavirusit nga institucionet akademike dhe farmaceutike rreth botës, raporton abcnews.
Sidoqoftë, Kirill Dmitriev, kryetar i Fondit Rus të Investimeve Direkte (RDIF) tha në një intervistë të premten se Moska nuk ka nevojë të vjedhë sekrete, sepse tashmë ka një marrëveshje me kompaninë “AstraZeneca” për prodhimin e një vaksine të mundshme britanike në Rusi.
“AstraZeneca tashmë ka një marrëveshje me R-Pharm për prodhimin e vaksinës së Oksfordit në Rusi. Nuk ka arsye që Rusia të vjedhë të dhëna”, tha Dmitriev.
Në anën tjetër, vetë kompania “AstraZeneca” nuk e ka komentuar këtë deklaratë, por muajin e kaluar ka njoftuar se është në bisedime me Rusinë dhe disa vende të tjera për t’i furnizuar më vaksinë. Rusia ka deklaruar dikur se ishte duke zhvilluar një vaksinë për të cilën tashmë raportohet se muajin e ardhshëm do të miratohet nga rregullatori dhe do të jetë e gatshme për një pjesë të madhe të popullsisë në shtator.