“Nuk ishte normale që të luanim 2 ditë pas Kupës. E kishim menduar që do të luanim nesër, si gjithmonë. Nuk kishim shumë kohë në dispozicion për rikuperimin e lojtarëve. Batha nuk ishte sepse ishte shumë i lodhur”. Kështu Emmanuel Egbo shpjegon rotacionin jo pa një shigjetim të vogël ndaj përcaktimit të kalendarit për të luajtur të shtunën, një ditë para gjithë gjysëmfinalistëve të tjerë të Kupës së Shqipërisë.
Nigeriani i pankinës bardheblu nuk ka dashur të bëjë lëvizje nga 11- shi i tij i besueshëm, por ngjeshja e takimeve dhe sfida e lehtë në letër e bënë ti jepej rotacionit: “Jam i kënaqur deri diku. Në fund të fundit na nevojiteshin 3 pikë dhe ato i morëm. Është sprinti i fundit i kampionatit, ka shumë gjëra brenda. Kemi bërë vetëm 1 ditë stërvitje”.
Tirana pret të mësojë rezultatin e Kukësit nesër në Shkodër, në të kundërt i duhet vetëm të fitojë në Lac për tu shpallur kampion. Në fjalët e Egbo, mes reshtave, lexohet qartë se titulli është punë e kryer: “Ky ekip është si një familje. Çdo lojtar e di, që kemi menduar për klubin. Nuk ka rëndësi kush ka luajtur. Rëndësi ka që të arrijmë objektivin. Unë i kam bërë gjërat me pastërti. I falenderoj të gjithë, ata brenda dhe ata jashtë për mbështetjen. Po presim deri në momentin e fundit, prandaj e kam thënë që do marrim ndeshjet një e nga një. Jam i kënaqur me të gjithë. Të gjithë lojtarët që janë pjesë e ekipit, duhet të vazhdojnë, ata e fituan kampionatin, duhet të mos largohet asnjë” përfundoi tekniku.